Lulzim Basha: “Pazar me pronat në bregdet. Rama reagon me inicialet H.V”

520
Sigal

Bashkia e Tiranës: 4 kompani në garë për ndërtimin e bulevardit të ri, javën e ardhshme fituesi

Kryetari i Partisë Demokratike, njëherësh Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha ka reaguar  në lidhje me konferencën që pritet të organizojnë sot Partia Socialiste, “Shqipëria e Gjeneratës Tjetër”.  Kjo konferencë, që sipas kryeministrit të zgjedhur Edi Rama, do fokusohet tek një kapitull i ri për territorin dhe ekonominë, për Bashën nuk është gjë tjetër, veçse ndarje e tortës në mënyrë okulte, sidomos e pjesëve të çmuara të vendit siç është bregdeti, shprehet Basha. “Kryesocialisti ka thirrur disa arkitekte të huaj me të cilët ka punuar e qarkulluar konkurse në Bashki dhe ka përjashtuar në bllok të gjithë ekspertët e mirëfilltë shqiptarë. Dhe ka dy ditë që punohet me dyer të mbyllura për çfarë mendon të bëjë në pjesët më të çmuara të vendit. Sidomos bregdetit. Po ndahet torta në mënyrë okulte. Pushteti lokal është jashtë loje. Në rend të ditës grabitja e pronave të bregut dhe stimulimi i bizneseve të fshehta që financuan në fushatë”, shprehet Basha.

Sipas Bashës, konferenca e sotme është thjesht një fasadë, pasi sipas tij, pazaret tashmë janë bërë. “Po e bën këtë pa asnjë plan e proces transparent. Konferenca nesër është vetëm fasadë. Pasi pazaret u bënë dje dhe sot. Por gjenerata e re e shqiptarëve nuk mund ta pranojë pazarin me të ardhmen në emër të interesave të së shkuarës”, përfundon komenti i Lulzim Bashës për Ramën. Por pak minuta, pasi Kryebashkiaku  Basha postoi mesazhin e tij për konferencën e Partisë Socialiste, e cila nis sot, një tjetër postim ka ardhur nga kryesocialisti Rama. Në profilin e tij në Facebook, por edhe në Twitter menjëherë janë postuar prej tij dy iniciale H dhe V, e cila në zhargonin e thjeshtë nënkupton hajvan, por nuk dimë nëse kryetari ka nënkuptuar atë fjalë. Në reagimet e ndjekësve të profilit të tij, kuptohej se bëhej fjalë për një mesazh të shkruar gabimisht, por ende nuk dimë për çfarë e kishte fjalën kryesocialisti Rama.

Për Bulevardin e ri të Tiranës, këtë javë shpallet fituesi

Javën e ardhshme, Bashkia e Tiranës do të përzgjedhë kompaninë e cila do të ndërtojë bulevardin e ri të Tiranës. 4 kompani prestigjioze ndërkombëtare nga Evropa dhe Lindja e Mesme paraqitën ofertat financiare si dhe dokumentacionin përkatës, për të realizuar këtë projekt strategjik, më i rëndësishmi i realizuar në 70 vitet e fundit në kryeqytet. Ky projekt i lançuar për herë të parë nga Kryebashkiaku Basha gjatë fushatës elektorale të vitit 2011, nis të shndërrohet në realitet, rreth 2 vjet pas zgjedhjes së tij në krye të Bashkisë së Tiranës. Në fazën e parë të punimeve që nis nga Stacioni i Trenit përfshihet edhe një parkim i madh nëntokësor. Përgjatë bulevardit është parashikuar kalimi i linjës së tramit, që do të lidhë terminalin multimodal të pasagjerëve me sheshin “Nënë Tereza”. Në bulevardin e ri të Tiranës do të ndërtohet Pallati i Drejtësisë dhe institucione të tjera publike, disa institucione kulturore dhe artistike, qendra biznesi etj. Ndërtimi i bulevardit të ri do të shtojë mbi 150 mijë metra katrorë gjelbërim, përgjatë aksit të tij, ose afërsisht 5 herë më shumë se parku “Rinia”. Zbatimi i projektit të bulevardit verior dhe lumit të Tiranës do të zhvillojë një nga pjesët më të prapambetura të qytetit të Tiranës. Zona urbane që ndikohet nga ky projekt është 14 km2. Zbatimi i këtij projekti do të mundësojë urbanizimin me standarde bashkëkohore të 1/5 së qytetit të Tiranës dhe ndërtimin e një poli të ri zhvillimi në kryeqytet. Krahas zhvillimit ekonomik të zonës, krijimit të vendeve të reja të punës gjatë zbatimit të projektit dhe zhvillimit të projekteve të reja përgjatë këtij korridori, ndërtimi i bulevardit të ri të Tiranës do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, duke e vendosur Tiranën në trajektoren e zhvillimit të një qyteti modern evropian, ku punohet dhe jetohet më mirë. Projekti që do të zbatohet për bulevardin e ri dhe lumin e Tiranës u hartua nga studio arkitekturore britanike “Grimshaw Architects”. Ajo është përzgjedhur nëpërmjet një konkursi ndërkombëtar, ku morën pjesë 7 nga studiot më prestigjioze të planifikimit urban dhe arkitekturës, si studioDARGroup Turkey & United Kingdom, West 8 – The Netherlands, Albert Speer & Partners – Germany, Cino Zuçhi Architetti – Italy, Gerkan, Marg & Partners – Germany, Kees Christianse & Partners – The Netherlands, Grimshaw Architects – United Kingdom. Përzgjedhja e studios britanike u bë nga një juri ndërkombëtare, e përbërë nga personalitete me famë botërore në këtë fushë si z. Daniel Libeskind, Dr.Sarah Whitting, Dr. Philip Road, Giles Robin Dolphin si dhe ekspertët më të mirë të fushës në Shqipëri.