Lulzim Basha: “Opozita përballet me një mendësi e kulturë të vjetër komunikimi”

484
Sigal

*kryetari i PD-së

Sot duhej ishte një ditë e veçantë për qytetarët shqiptarë. Nis një legjislaturë e re dhe fillon konstituimi i Parlamentit, por akoma pa u përmbyllur procedura e konstituimit të Parlamentit qytetarët shqiptarë dhe opozita e tyre në Parlament,  po përballen me një mendësi të vjetër, me një kulturë të vjetër komunikimi, me një tentativë për të shkelur parimet e sapo premtuara të transparencës ndaj qytetarëve shqiptarë të gjithëpërfshirjes në çdo debat, duke nisur me shkelmimin e praktikave parlamentare për debatin më fillestar, për gjenezën e çdo legjislature dhe çdo qeverisje që buron nga legjislatura, atë të konstituimit të qeverisë. Kjo është maxhoranca,e cila në opozitë ka kërkuar dhe ka marrë deri në 10 ditë për çështje të tilla si takometrat, aparate mat, dhe që sot i mohon qytetarëve shqiptarë të drejtën e tyre kushtetuese dhe legjitime për të dëgjuar një debat, një rrahje mendimesh midis të zgjedhurve të tyre, mbi çfarë ata propozojnë se do të jetë qeverisja e tyre dhe çfarë të zgjedhurit e opozitës shqiptare kanë për të pyetur dhe parashtruar në raport me këtë program. Sepse nuk ka asnjë shpjegim tjetër se si në mënyrë absurde ata që kanë marrë me javë të tëra vendime shumë më të thjeshta të ligjeve apo të Parlamentit në tërësi, sot janë të pagatshëm dhe i mohojnë opozitës kohën më minimale që ka qenë praktikë në çdo legjislaturë për tu njohur me programin e qeverisë, i cili deri në këto moment mbetet një mister i madh. I bëj thirrje kryetarit të ri të Kuvendit, t’i qëndrojë besnik fjalëve që sapo tha. Fjalë që akoma nuk ja ka lënë eterin aulës së Kuvendit dhe të rivendosë, nëse jo një standard të ri, të përmirësuar sikundër premtoi, të paktën standardin e premtuar deri tani duke i dhënë kohën e nevojshme Parlamentit dhe opozitës për t’u njohur me programin dhe për të përgatitur një debat dinjitoz dhe transparent mbi programin e paraqitur. Në të kundërt kjo situatë është e papranueshme dhe ne do të marrim të gjitha masat që na takojnë si përfaqësues të denjë të opozitës shqiptare në Kuvendin e Shqipërisë dhe si mbrojtëse e virtyteve thelbësore të opozitës që janë transparenca dhe llogaridhënia.

Paloka reagon për votat e PD-së dhënë kandidaturës së Metës: “Opozita jonë, jo problem numrash”

Pas publikimit të rezultatit të votimit, ku Ilir Meta u zgjodh kryetar Kuvendi, u vunë re votat e marra ishin në shumë se numrat e maxhorancës së re në Parlament, duke shtuar dyshime për rrjedhje votash në PD. I pyetur nga mediat në lidhje me këtë, kryetari i komanduar i grupit parlamentar  të PD-së Edi Paloka është shprehur se, nuk ka dëgjuar rezultatin e votimit për zgjedhjen e Metës. Ai shtoi se nuk do të bëjë as nuhatësin dhe as hetuesin për të gjetur deputetët të cilët votuan pro Metës, por shtoi se opozita e re nuk është problem numrash. “Opozita jonë nuk është problem numrash, jo 8, po edhe 18 po të ishin, për mua nuk është problem”,- tha Paloka. Ndërkohë, Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka sqaruar për mediat votën kundër Ilir Metës. “Deputetët e PDIU-së kanë votuar kundër Ilir Metës, si kryetar Kuvendi, pasi partia jonë është pjesë e opozitës parlamentare. Vendimi i  grupit parlamentar të djathtë për votimin e sotëm është votim politik kundër”,- tha Idrizi. Edhe deputetët e PR-së kanë deklaruar votën kundër Ilir Metës si Kryetar Kuvendi. “PR-ja është në opozitë dhe bashkë me aleaten e saj, PD-në,  do të bëj të gjitha përpjekjet për të zhvilluar një opozitë të fuqishme në shërbim të interesave të vendit, si dhe do të bashkëpunojë në çdo moment me forcat e opozitare për të rikthyer të djathtën në pushtet”, thuhet në njoftimin e PR-së.

 Opozita e bashkuar thirrje Ramës: Bëj transparencën e programit!

Opozita e kryesuar nga PD-ja, ndjekur nga forcat politike aleate PDIU, PR, LZHK dhe PD del në një qëndrim të unifikuar kundër hermetizimit dhe mungesës së transparencës së maxhorancës së majtë dhe Kryeministrit të saj Edi Rama lidhur me programin qeverisës. Pas një takimi për rreth 30 minuta në selinë e re të PD-së, Lulzim Basha, Shpëtim Idrizi, Nard Ndoka dhe Dashamir Shehi, dhanë një konferencë të përbashkët për mediat, ku i bënë thirrje Kryeministrit Rama dhe maxhorancës së re të tërhiqen nga qëndrimi arrogant dhe konfliktual ndaj opozitës dhe të bëjnë transparencën e plotë të programit. Kryetari i PD-së, deklaroi: “Patëm një takim me aleatët e PD-së, me të cilët diskutuam disa çështje të rëndësishme të bashkëpunimit të aktivitetit tonë si opozitë parlamentare dhe më gjerë. Në krye të diskutimeve ka qenë problemi në raport me punimet e Kuvendit paraditen e sotme, konstituimi i plotë i tij dhe i qeverisë së re. Opozita del me një qëndrim të unifikuar, që ka të bëjë me një nga interesat më themelore, interesi për transparencë dhe llogaridhënie me pushtetin e zgjedhur. Sjellja arrogante e maxhorancës  është një problem i çdo qytetari shqiptar. Konstatojmë një mungesë të theksuar serioziteti tek Kryeministri i dekretuar, ka marrë për më shumë se një muaj kohë publike për të ndërtuar çdo lloj emërtimesh, konferenca , dreka dhe darka pa bërë transparencë për publikun. Kjo përkthehet në një programim të shkatërrimit të transparencës, përmes mungesës së programit të qeverisë. Çdo qytetar është kurioz të dijë se, çfarë qëndrimesh do mbajë kabineti në raport me premtimet e bëra, si do bëhen legalizimet falas, shëndetësia, falas, heqja e TVSH, heqja e taksave për 95% të shqiptarëve?” tha kreu i PD-së, Lulzim Basha. Indirekt, kreu i PD-së ka risjellë edhe njëherë në vëmendje fjalimin e Kryeparlamentarit të ri Ilir Meta, ku sipas tij të gjitha ato zotime për gjithpërfshirje u fshinë në takimin e kryetarëve të grupeve parlamentare. “Komunikimi konfliktual, refuzimi për të kryer transparencën është një shenje e keqe dhe një fillim jo i mbarë” theksoi ai. “Që në momentin e parë po i iket në mënyrë të turpshme këtij detyrimi për transparencë. Sot në parlament gjatë paradites u fol për këto vlera, ndërsa pasdite gjuha e vjetër konfliktuale u zgjodh për të komunikuar me opozitën, ndërsa kjo e fundit kërkoi diçka krejt normale, kohën e nevojshme për tu njohur me programin. Komunikimi konfliktual, refuzimi për të kryer transparencën është një shenje e keqe dhe fillim jo i mbarë”,- tha Basha. Duke shpresuar në gjetjen e një gjuhe të përbashkët mes palëve, Basha ka kërkuar edhe një herë nga maxhoranca e re kohën e nevojshme për shqyrtimin e programit nga ana e deputetëve të opozitës. Në të kundërt, ai paralajmëroi se opozita në një qëndrim të unifikuar do të jetë e gatshme të ndërmarrë çdo veprim në mbrojtje të parimit të shenjtë të llogaridhënies dhe kontrollit parlamentar. “U themi të tërhiqen sa nuk  janë vonë nga këto qëndrime që nuk përfaqësojnë BE. Nëse nuk reflektojnë lidhur me qëndrimin e papranueshëm në raport me programin e tyre, opozita do të ndërmarrë çdo veprim . Përgjegjësia është e tëra e maxhorancës, bëjmë thirrje të shmanget konfliktualiteti dhe provokimet, të sigurohet koha e nevojshme e barabartë që kjo opozitë i ka dhënë në kohën kur ishte maxhorancë asaj opozite. Qëndrim i unifikuar do të thotë se jemi gati të ndërmarrim çdo veprim për të mbrojtur parimin e shenjtë të llogaridhënies dhe kontrollit parlamentar, për të përdorur çdo mjet të ligjshëm. Shpresoj të gjendet gjuha e nevojshme” deklaroi Basha. Interesit të medias lidhur me rrjedhjen e 8 votave nga opozita dhe kryesisht grupi i PD-së në zgjedhjen e Ilir Metës si kryetar Kuvendi, pasi aleatët Idrizi, Mediu dhe Ndoka me përjashtim të Shehit deklaruan se kanë votuar kundër, Basha nuk ka preferuar asnjë koment, pasi sipas tij në lidhje me çështjen është prononcuar vetë kreu i grupit parlamentar, Paloka.