Lulzim Basha: Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të kuksianëve të rrëmbyer në mënyrë të paligjshme

81
Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të kuksianëve të rrëmbyer në mënyrë të paligjshme, pa urdhër arresti, në kryerje të veprës penale të heqjes së paligjshme të lirisë.
• Këshilltarët bashkiakë të Kukësit kanë kallëzuar penalisht policinë dhe prokurorinë e Kukësit për këtë akt kriminal.
• Prokurorja e Përgjithshme, me të shkuar të njollosur nga kufizime të padrejta të lirisë së qytetarëve, të ndalë menjëherë së vepruari si hetuesi politike në shërbim të Edi Ramës.
• Qytetarët e Kukësit janë në të drejtën e tyre legjitime dhe demokratike. Edi Rama po lufton për paratë e korrupsionit me të cilat po mbush xhepat e tij dhe të bandës së tij.
Deklarata e plotë e kryetarit të PD, Lulzim Basha.
Prokuroria dhe policia patën një javë për të ndaluar dhe arrestuar trafikantin ndërkombëtar Arbër Çekaj, i cil,i së bashku me politikanë të lartë, trafikoi 613 kilogramë kokainë kolumbiane, por ata nuk bënë asgjë, as nuk e ndaluan, as e arrestuan, por e lanë të lirë të ikte i qetë nga Shqipëria.
E njëjta polici dhe e njejta prokurori dje ka mobilizuar brenda pak orësh me qindra forca për të rrëmbyer në mes të natës nga shtëpitë e tyre qytetarët e thjeshtë të Kukësit, vetëm pse protestuan për mbijetesën e tyre dhe të fëmijëve të tyre.
Kjo polici dhe prokurori që lë të lirë, vëllezërit Habilaj, Klement Balilajn, Orest Soten, Agron Xhafajn dhe dhjetra kriminelë në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, mbrëmë pas mesnate u hodh me urdhër politik të Edi Ramës, e armatosur dhe e blinduar kundër njerëzve më të varfër dhe më të shpërfillur të Shqipërisë.
Aktet për të cilat akuzohen protestuesit janë vepra të lehta penale që Kodi Penal i parashikon nga gjobë deri në 3-4 vjet burg. Por policia dhe prokuroria e Edi Ramës janë hedhur në një reprezalje tipike për vendet diktatoriale në të cilat kritika dhe kundërshtimi i qeverisë është krimi më i rëndë se çdo krim tjetër.
Arrestimet e kryera në mes të natës kanë vetëm një qëllim: ushtrimin e terrorit ndaj banorëve të Kukësit, në mënyrë që ata dhe gjithë shqiptarët e tjerë të nënshtrohen dhe të mos ngrenë zërin kundër bandës kriminale që qeveris vendin.
Shumica e qytetarëve janë rrëmbyer në mënyrë të paligjshme nga shtëpitë e tyre në mes të natës pa paraqitur asnjë urdhër ndalimi dhe arresti dhe janë sjellë në Tiranë. Kjo përbën vepër të rëndë penale të heqjes së paligjshme të lirisë. Për këtë akt kriminal, këshilltarët bashkiakë të Kukësit kanë kallëzuar penalisht policinë dhe prokurorinë e Kukësit. Ne nuk do të tërhiqemi derisa të gjithë ata që urdhëruan dhe ekzekutuan rrëmbimin e qytetarëve të japin llogari para ligjit.
Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tyre, pa asnjë kusht. Siç e kërkon ligji dhe të drejtat e njeriut ata duhet të hetohen në gjendje të lirë.
I bëj thirrje Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, e cila ka një të shkuar të njollosur nga kufizime të padrejta të lirisë së qytetarëve, që të ndalë menjëherë së vepruari si hetuesi politike në shërbim të Edi Ramës.
Prokuroria duhet të shpallë prioritet kombëtar luftën kundër drogës, krimit të organizuar dhe korrupsionit. Dosjet e Saimir Tahirit, Vangjush Dakos, Qazim Sejdinit, Damian Gjiknurit, Ilir Beqajt, Klement Balilit, Habilajve dhe kriminelëve të tjerë duhet të jenë fokusi i punës së saj.
Duhet t’u them qytetarëve të Kukësit që të mos tremben dhe të mos tërhiqen nga të drejtat e tyre legjitime dhe demokratike. Ju jeni në të drejtën tuaj legjitime. Edi Rama po lufton për paratë e korrupsionit me të cilat po mbush xhepat e tij dhe të bandës së tij.
Ju luftoni për mbijetesën tuaj dhe të fëmijëve tuaj. E drejta është me ju. Kukësi ka njohur shpesh shpërfilljen, izolimin, përçmimin, dhunën dhe diktaturën. Por askush nuk i ka nënshtruar dot. Edi Rama me veglat e tij janë qenie qesharake para atyre që kuksianët kanë përballuar dhe mbi të cilët kanë triumfuar. Prandaj duhet ta trajtojnë Edi Ramën ashtu siç është, një plaçkitës të cilit populli duhet t’i tregojë vendin që u takon plaçkitësve. Ne jemi me ju. E gjithë Shqipëria është me ju. Të gjithë shqiptarët janë me ju. Nga Prishtina në Sarandë.