Lulzim Basha në Helsinki: PD votoi në Asamblenë e PPE Manfred Weber të CDU/CSU për President të Komisionit Evropian

182

PD voton pro gjermanit të CDU-së së Merkel për kandidat për President të KE-së

PD-ja do të votojë për herë të parë një kandidat të PPE për President të Komisonit Evropian. Lulzim Basha bëri të ditur këtë fakt përmes një postimi në “Twitter”. Basha, i shoqëruar nga Gert Bogdani dhe deputetja Albana Vokshi, po merr pjesë në Kongresin e PPE në Helsinki. Basha që zbuloi se 4 votat e PD ditën e enjte do të shkojnë për gjermanin, Manfred Weber, pjesë e CDU/CSU të Merkel. “Në Asamblenë Politike të PPE #EPP Helsinki miratuam kandidaturat e Weber dhe Stubb. Nesër #EPPCongress debati dhe të enjten zgjedhim kandidatin e PPE për President të Komisionit Evropian. Si anëtare me të drejtë vote, 4 votat e PD-së janë për @ManfredWeber e simotrës mike CDU/CSU.”, shkruan Basha.

Weber: U jam mirënjohës miqve nga Shqipëria

Ndërkohë nga ana e tij Weber ka falënderuar Shqipërinë dhe opozitën shqiptare për mbështetjen që i ka dhënë, ndërsa është shprehur se ai do të punojë fort për një Evropë të bashkuar në Bashkimin Evropian. ‘Unë jam tepër mirënjohës për këtë mbështetje, veçanërisht nga miqtë e Shqipërisë. Bashkë me mbështetjen tuaj do punojmë për një Evropë, e cila ende nuk është një kontinent i bashkuar. Për këtë do punojmë dhe luftojmë. Për një Evropë të bashkuar në Bashkimin Evropian. Faleminderit për mbështetjen tuaj dhe le të punojmë tani për zgjedhjet!’, – deklaroi Weber.