Lulzim Basha: Në gusht nis rikualifikimi urban i gjithë bllokut

495
Sigal

Kryebashkiaku Lulzim Basha ishte i pranishëm dje në përfundimin e punimeve për rikonstruksionin e çerdhes nr.30, në njësinë bashkiake nr.11. Me një investim prej  21.4 milionë lekësh është ndërtuar një shtesë e pjesshme kati dhe janë riorganizuar ambientet e brendshme të saj, duke shtuar ambientet e lojës, fjetjes, dhomës së mjekut, etj. “Përfundimi i punimeve për rikonstruksionin e çerdhes nr.30, na jep mundësinë për të inspektuar se si po funksionon kjo çerdhe pas rihapjes. Çerdhja është rikonstruktuar në mënyrë tërësore, janë shtuar ambientet, duke mundësuar rritjen e kapacitetit për fëmijë dhe aktualisht kjo çerdhe ka kapacitete për 80 deri në 100 fëmijë. Është kryer sistemi i ngrohjes me peleta dhe së shpejti do të bëhet edhe sistemi i energjisë diellore, me ndihmën e Bankës Botërore. Janë rikonstruktuar tërësisht ambientet e brendshme, kuzhina, pra ofrohet një cilësi e re shërbimi, një cilësi shërbimi plotësisht në përputhje me normat e standardet që ne si Bashki e Tiranës kemi vendosur dhe që janë në përputhje me normat e standardet e BE” u shpreh Basha. Në këtë çerdhe janë rindërtuar tërësisht ambientet e  banjove dhe kuzhinave, oborri i jashtëm, është sistemuar dhe në të është vendosur një kënd lojërash dhe një ambient për vendqëndrimin e karrocave. Kryebashkiaku Basha u ka bërë të ditur banorëve, se çerdhja është pjesë e rehabilitimit urban të të gjithë bllokut të banimit. “Dua të ndaj me banorët e kësaj zone, lajmin se rikonstruksioni i kësaj çerdheje është pjesë e një projekti të rehabilitimit urban të gjithë zonës dhe duke filluar nga muaji gusht, pjesa pas çerdhes, duke përfshirë edhe rrugën “Learton Vathi” do të fillojnë të rikonstruktohen me buxhetin e Bashkisë së Tiranës, me fondet e parashikuara për vitin 2013″,-   tha Basha. Kryebashkiaku Lulzim Basha ka ftuar banorët e Njësisë Bashkiake nr.3, që më 23 Qershor të vazhdojnë përpara, me realizimin e projekteve të nisura në këtë njësi dhe qytetin e Tiranës dhe të refuzojnë politikën e konfliktit politik e bllokimit. “Projektet, mundësitë, zgjidhjet që ne do të ofrojmë 4 vitet e ardhshme janë zgjidhje, mundësi të reja, projekte të reja për punësim, për mirëqenie, për zhvillim, për integrim në BE. Do i çojmë përpara pa iu kthyer konfliktit politik, pa iu kthyer luftës politike por duke vazhduar bashkëpunimin me qeverinë e Sali Berishës, të rizgjedhur me votën e shqiptarëve më 23 qershor” – theksoi z. Basha. Sipas Bashës, ish – kryetari i Bashkisë që bllokoi marrjen e statusit nga Shqipëria, sot artikulon me forcë se pas 23 Qershorit do të bllokojë edhe zhvillimin e Tiranës.