Lulzim Basha me investitorët italianë: Do kemi taksat më të ulëta në historinë 26 vjeçare të demokracisë

376
Programi ynë e nxjerr ekonominë nga kriza dhe e fut në rrugën e një zhvillimi të përshpejtuar
Lulzim Basha me investitorët italianë: Do të kemi taksat më të ulëta në historinë 26 vjeçare të demokracisë dhe gjithçka në mbështetje të sipërmarrjes së ndershme
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha organizoi sot një tryezë me investitorë italinë që gjenden në Shqipëri dhe të tjerë që erdhën enkas për këtë takim, ku të pranishëm ishin dhe dy senatorët Paolo Romani dhe Mario Mauro.
Basha u bëri të ditur rreth 100 investitorëve italianë, nga cdo sektor i ekonomisë, se qeverisja e Partisë Demokratike do të krijojë të gjitha kushtet për rritjen e prezencës së tyre në vendin tonë, do të krijojë kushtet për përfitime të dyanshme, të investitorëve dhe shqiptarëve, me krijimin e vendeve të reja të punës.
Basha theksoi se pengesa kryesore sot në vend për biznesin është qeveria, e cila ka rritur taksat dhe burokracitë.
Kryetari i Partisë Demokratike prezantoi pikat kryesore të programit qeverisës, që janë; vendosja e taksës së sheshtë 9 përqind, reduktimi i tvsh në 15 përqind, apo heqja e barrës burokratike dhe krjimi i lehtësive.
“Në themel të sistemit janë taksat e ulëta dhe të sheshta: 9 për qind për të ardhurat personale, 9 për qind për fitimin e kompanive. TVSH do të ulet në 15 përqind. Tatimi mbi dividentin do të bëhet zero. Do të kemi taksat më të ulëta në historinë 26 vjeçare të demokracisë dhe gjithçka në mbështetje të sipërmarrjes së ndershme. Të gjitha kontratat publike do të jenë transparente, të gjitha ofertat e ardhura për shërbime publike do të jenë të aksesueshme nga sipërmarrja dhe qytetarët, përmes një sistemi dixhital, online. Të gjitha vendimet në lidhje me prokurimet dhe kontraktimet do të bëhen publike, nuk do të lejojmë prokurime me fonde publike me një kandidat, e aq më pak që çdo tender e koncesion ta marrin vetëm 11 klientë të qeverisë, siç ndodh sot. Biznesi do të çlirohet menjëherë nga një mal pengesa të shpikura apo të ringjallura të burokracisë për leje, licenca, autorizime, miratime, aprovime. 80% prej tyre sipas studimit të ekspertëve tanë do të anulohen brenda 3 muajve të parë të qeverisjes tonë, jo lejet, por detyrimi për to, duke i shndërruar ato në vetë deklarime”, tha Basha.
Duke përmendur politikat e vendit fqinj, Kryetari i Partisë Demokratike tha: “Nëse në Maqedoni sot u ofrohet dy muaj në vit pagesa të sigurimeve shoqërore nga shteti, për këdo që hap një investim me 100 vende pune me garanci 10 vjeçare, kjo mund të aplikohet lehtësisht nga qeveria e Shqipërisë nëse është e përgjegjshme, nëse lekët nuk i çon për palma, për automjete luksi për qeveritarët, por i çon për të ndihmuar biznesin që ndihmon në hapjen e vendeve të punës. Ky është roli i qeverisë moderne, të bëjë gjithçka për të ndihmuar sipërmarrjen që ndihmon në krijimin e vendeve të reja të punës”.
I pranishëm në këtë takim, senatori Paolo Romani, i Forca Italia, u shpreh:
“Me thënë të drejtën ndjeva një zili kur po dëgjoja kryetarin Basha sepse ai u shpreh qënësisht për tri revolucione të mëdha, një; revolucion fiskal që do duhej ta bënim me fleksibilitet dhe në Itali, revolucion kundër burokracisë, dhe revolucion tek shpenzimet publike. Falenderoj krytetarin Basha për këtë takim të jashtëzakonshëm, tani po ju përcjell këtë mesazh; Në 18 qershor, Shqipëria ka zgjedhjet dhe mesazhet që përcolli kryetari me duken si një shenjë e rezultatit të mire”.
Senatori Mario Mauro, është i grupit të Partive Popullore në Itali. “Këtu jemi një parti që është në opozitë, e shoqëruar nga parti që janë në opozitë në vendin e tyre, dhe të shohësh kaq shumë interes të bën të kuptosh atë besueshmëri të madhe që ka jo vetëm Partia Demokratike Shqiptare, por sidomos figura e kandidatit të kësaj partie për kryeministër të ardhshëm, Lulzim Basha. Eshtë një figurë që ka një rëndësi të veçantë në kontekstin europian, që ka një rëndësi të veçantë në kontekstin ndërkombëtar, pikërisht sepse është një figurë me besueshmëri të jashtëzakonshme, shumë të madhe dhe mbështetet në ide”, tha Mauro.
“Shumë njerëz po ikin, dhe nuk po ikin vetëm ata në nevojë, por po ikin më të mirët”, ishte shqetësimi që ngriti, Carlo Alberto Rossi, sipërmarrës në fushën e turizmit.
Lulzim Basha e njeh gjendjen dhe ka një përgjigje.
“Pse ikin këta mijëra shqiptarë? Ju e thatë vetë, po ikin më të mirët, nuk po ikin vetëm të varfërit. Pse ikin? Sepse këtu, i miri, i afti i talentuari nuk can përpara. Këtu can përpara trafikanti, nepotisti, klientelisti, krimineli, i korruptuari. Cila shoqëri ka bërë përpara nëqoftëse vlerëson, shpërblen krimin, vjedhjen gënjeshtrën dhe ndëshkon punën e ndershme. E kundërta, qëndron në themel të shoqërive të përparuara. Ndaj ne, do ti japim mundësinë cdokujt që të punojë e të ecë përpara me punën e ndershme. Puna do të shpreblehet e jo të ndërshkohet. Aftësia, talenti, kreativiteti, inovacioni, kapitali në funskion të kësaj do të shpërblehen në qeverisjen time”, deklaroi Lulzim Basha.
Dhoma italiane e industrisë ka shprehur vazhdimisht shqetesime këto 3 vite për rritjen e taksave dhe arbitraritetin e qeverisë, dhunën e korrupsionin e tatimorëve. Investitorët italianë kërkuan të njohin detaje mbi programin dhe kërkuan garanci për investimet e tyre.
“Çfarë detyre mund të ketë qeveria e Shqipërisë, shteti shqiptar më të rëndësishme sesa të bëjë gjithçka që dikush që punëson shqiptarët, të ketë të gatshme infrastrukturën rrugore, energjitike dhe të mos ketë asnjë pengesë burokratike. Çfarë detyre tjetër më të rëndësishme mund të ketë qeveria e Shqipërisë? Për mua kjo është detyra më e rëndësishme. Të mbështesin me të gjitha format dhe mënyrat, përfshirë ato financiare sipërmarrjen që krijon dhe siguron vende pune, pra krijon dhe siguron mirëqenie. Kjo do të thotë jo vetëm me sistemin fiskal më konkurues në Ballkan, nuk do të gjeni nën qeverisjen time, një vend me taksa më të ulëta sesa Shqipëria, por dhe me një sjellje tërësisht të reformuar në raport me sipërmarrjen, qeverisje më miqësore ndaj sipërmarrjes, jo me fjalë por me veprime”, siguroi Basha investitorët italianë. Basha e garantoi sipërmarrjen për rend e siguri, për shtypje të krimit pa mëshirë.
Sigal