Lulzim Basha: Mbështetje pa kushte për marrjen e statusit

527
Sigal

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shprehur gjatë një prononcimi pas drekës me ambasadorët e vendeve të BE-së, në Tiranë se: “opozita shqiptare mbështet pa kushte marrjen e statusit kandidat”. “Po afron fundi i qershorit, datë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët. Data kur Këshilli Europian do të shqyrtojë çështjen e statusit kandidat për Shqipërinë. Opozita ka intensifikuar veprimtarinë e saj në përputhje me përkushtimin për mbështetje pa kushte për integrimin europian të Shqipërisë dhe me këtë rast edhe me drekën e punës me të gjithë përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Europian të akredituar në Tiranë, pata rastin së bashku me bashkëpunëtorët e mi, të kërkoj mbështetje totale për miratimin e statusit kandidat për Shqipërinë në mbledhjen e qershorit”,- tha Basha. Natyrisht, vijoi kreu i PD-së, “siç është praktikë pune tashmë prej muajsh në këto takime të përmuajshme diskutuam një sërë çështjesh të tjera që kanë të bëjnë me aktualitetin politik në vend, me problematikën e bërë evidente nga opozita, por jo vetëm, në lidhje me parametrat kryesorë të shtetit ligjor dhe demokracisë funksionale, por edhe çështje të veçanta që kanë të bëjnë me grupe shoqërore apo me individin shqiptar, qytetarin shqiptar”. Por, shtoi Basha edhe një herë mund të them se, në thelb mesazhi që ju përcoll vendeve anëtare përmes të dërguarve të tyre në Tiranë ishte se, opozita shqiptare mbështet pa kushte marrjen e statusit kandidat. Opozita konsideron se, Shqipëria dhe shqiptarët e kanë merituar këtë, me përmbushjen e kritereve apo reformave të ndërmarra në vite, se ky është një stacion dhe një etapë e përmbushur me sukses dhe se sfida e vërtetë e vendit menjëherë pas një vendimi pozitiv që shpresojmë, besojmë dhe e urojmë të jetë, është hapja e negociatave për anëtarësim”.