Lulzim Basha-Limaj: Bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë na afron me familjen evropiane

445
Sigal

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, priti dje në një takim, Fatmir Limaj, deputet i Kuvendit të Kosovës. Kryebashkiaku Basha e uroi Limaj për titullin Doktor ‘Honoris Causa’, akorduar nga Universiteti i Tiranës, për kontributin e dhënë për çështjen e Kosovës dhe krijimin e shtetit të ri. “Ne kemi mundësinë të kemi sot heronj të gjallë,  tha Basha, “të cilët duhet t’i nderojmë dhe vlerësojmë për atë çfarë kanë bërë dhe një prej tyre është edhe Fatmir Limaj”. “Kombi ka arritur suksese të mëdha, Kosova është e pavarur, Shqipëria është anëtare në NATO dhe qytetarët shqiptarë që lëvizin pa viza në Europë, por përpara kemi projektin tjetër madhor të shqiptarëve, anëtarësimin në BE”,-tha Basha. Kryebashkiaku Basha shprehu bindjen se duke punuar së bashku, Shqipëri-Kosovë do të arrijmë të bashkohemi më shpejt në familjen tonë europiane. Basha dhe Limaj kanë theksuar domosdoshmërinë e gjetjes së mundësive për një bashkëpunim më të madh ekonomik, së cilës i shërben pa dyshim Rruga e Kombit, arteria që bashkoi shqiptarët. Gjithashtu, Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim në Lezhë nga ku ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve për protestën e së premtes para kryeministrisë, për t’i thënë ndal narkotrafikut. Në fjalën e tij, Basha tha se “droga ka mbjellë pasiguri, ka mbjellë fatkeqësi, ka hapur plagë për shqiptarët. Shqiptarët, sot janë më të përbashkuar se kurrë nga ky hall dhe brengë e madhe, por dhe nga një vendosmëri e madhe për t’i qëndruar dhe për t’i bërë ballë kësaj të keqeje dhe PD do ta udhëheqë me vendosmëri betejën kundër saj”.