Lulzim Basha: “Emërimet politike në administrimin fiskal kushtëzojnë borxhimin e mëtejshëm”

452
Sigal

  Kryetari i PD-së: “Do të bëjë gjithçka, për hapjen e negociatave,  shqetësim për sfidimin e shtetit ligjor nga maxhoranca”

Kryetari i PD-së, z. Lulzim Basha, priti dje në një takim përfaqësuesit e Bankës Botërore, Drejtorin  Ekzekutiv z. Piero Cipollone dhe Drejtoreshën për Rajonin e Europës Juglindore znj. Ellen Goldstein, me të cilët pati një bashkëbisedim dhe shkëmbim idesh lidhur me bashkëpunimin e suksesshëm shumëvjeçar mes Bankës Botërore dhe Shqipërisë, arritjet e Shqipërisë veçanërisht nën qeverisjen e demokratëve, si edhe me pikëpyetjet që po shoqërojnë zhvillimet ekonomike dhe fiskale në këto muaj të parë të qeverisjes socialiste.   Ai bëri një ekspoze të situatës makroekonomike dhe makrofiskale si dhe të zhvillimeve më të fundit që kanë pasuar rotacionin politik në Shqipëri. Ai i shprehu bashkëbiseduesve shqetësimet e lindura përgjatë një muaji të qeverisjes së re socialiste, që kishin të bënin me fusha të tilla si: ligji i nëpunësit civil, Akti Normativ për ndryshimet në ligjin e buxhetit, anulimet e koncesioneve të ligjshme në mënyrë të njëanshme nga Qeveria socialiste, prognozat aspak optimiste lidhur me zhvillimet ekonomike në vend si dhe pasigurinë që po zë gjithmonë e më shumë vend në planet e konsumatorëve dhe biznesplanet e investitorëve.  Z. Basha, në veçanti u ndal në zhvillimet në fushën e administrimit fiskal, fushë e cila është bërë arenë e emërimeve politike dhe aspak meritokratike, emërime, të cilat po kushtëzojnë borxhimin e mëtejshëm të vendit në nivele të panjohura më parë. Z. Basha informoi bashkëbiseduesit lidhur me detaje të Aktit Normativ për ndryshimet në buxhet si dhe me shkeljet e dukshme ligjore që e bashkëshoqërojnë këtë akt, i cili sanksionon marrjen e huave të reja, jo më për investime publike siç e kërkon ligji, por tashmë edhe për shpenzime administrative dhe operacionale.  Kreu i opozitës, gjithashtu u kërkoi bashkëbiseduesve që të vazhdojnë të jenë pranë Shqipërisë, si deri më sot, me programe dhe projekte zhvillimi dhe në të njëjtën kohë paraqiti idetë e tij lidhur me prezantimin e kushteve monitoruese, strikte ndaj Qeverisë shqiptare për të qenë në gjendje që të përfitojë nga kreditë dhe programet e tjera të mbështetjes buxhetore nga Banka Botërore.

 Me ambasadorin Jan Kickert për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE

 Kryetari i PD-së, z. Lulzim Basha priti në një takim drejtorin politik të Ministrisë së Jashtme të Austrisë, ambasadorin Jan Kickert, i cili shoqërohej nga drejtori i sektorit për Ballkanin Perëndimor, në Ministrinë e Jashtme të Austrisë, z. Johann Sattler. Kryetari Basha falënderoi z Kickert, për mbështetjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme e të vazhdueshme që Austriai ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve, në të gjitha fushat e bashkëpunimit dypalësh dhe në veçanti në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Z. Kickert  konfirmoi angazhimin dhe vendosmërinë e qeverisë austriake, për të vijuar të ndihmojë dhe të mbështesë Shqipërinë, në të gjitha fushat dhe në hapat e mëtejshëm të procesit të anëtarësimit në BE, por njëkohësisht edhe për punuar ngushtësisht edhe me opozitën shqiptare, në forcimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe integrimit të Shqipërisë. Duke u ndalur tek rekomandimi i Komisioni Europian, për statusin e vendit kandidat, në takim u theksua se kjo përbën një tjetër vlerësim të punës dhe të arritjeve të rëndësishme të qeverisë së PD, gjatë 8 viteve të shkuara, por njëkohësisht edhe vlerësim të veçantë për zgjedhjet e 13 qershorit, si zgjedhjet më të mira të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri, në përputhje me standardet ndërkombëtare por edhe për qëndrimin thellësisht demokratik të qeverisë së Partisë Demokratike ndaj rezultatit. Kryetari Basha theksoi se, rekomandimi për marrjen e statusit është një lajm i gëzueshëm për të gjithë shqiptarët dhe është për të ardhur keq që statusi erdhi me kaq vonesë, për shkak të bllokimeve dhe qëndrimit jo konstruktiv të opozitës së PS-së.  “Shqipëria e meriton statusin dhe Partia Demokratike do të japë kontributin e saj për marrjen e statusit në dhjetor dhe do të bëjë gjithçka, për hapjen e negociatave për anëtarësim”,– deklaroi z. Basha. Më tej, në takim u diskutua mbi situatën aktuale politike në vend. Z. Basha shprehu shqetësimin jo vetëm të opozitës shqiptare, për sfidimin e hapur të shtetit ligjor, fushatën e sulmeve që maxhoranca ka ndërmarrë ndaj institucioneve të pavarura si dhe për klimën e panikut, për sa i përket situatës financiare e fiskale në vend.  “Konceptimi i qeverisjes, si një fushatë kundër ligjit dhe kushtetutës, kundër institucioneve të pavarura, kundër konsensusit dhe kundër të vërtetave ka në themel jo vetëm mungesën e vizionit dhe programit të kësaj maxhorance, por dhe përpjekjen  për të instaluar me shpejtësi në Shqipëri, praktikën  e mungesës së transparencës dhe llogaridhënies, si pararojë e instalimit të kleptokracisë”,- theksoi z. Basha, gjatë takimit me drejtorin politik të Ministrisë së Jashtme të Austrisë.