Lulzim Basha: Duhet një qeveri për qytetarët, jo për një grusht njerëzish

619
Në një takim në Pogradec kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi biseda me tregtarë të mishit. Ata i treguan sesi vendimi e qeverisë për mbylljen dhe përqendrimin e thertoreve në pak pika ka rritur çmimin e mishit, duke ndikuar në uljen e fitimit dhe rritjen e kostos për qytetarët. Basha i pyeti për vështirësitë që kanë shitësit dhe ata iu përgjigjën: “Nuk hapin thertoren. Fuqia blerëse ka rënë”. Tregtarët folën për rënie të punës, mbylljen e bizneseve dhe shprehën kundërshtimin e tyre për vendosjen e tvsh-së për biznesin e vogël. Me kryetarin Basha qytetarët ndanë shqetësimin e papunësisë së lartë, veçanërisht mes të rinjve, për të cilët alternativë e vetme është punësimi sezonal në Greqi. Kryetari Basha i ftoi të rinjtë të bëhen pjesë e protestës së 27 janarit. Në takimin me demokratët e Pogradecit në 27 vjetorin e themelimit të degës së Partisë Demokratike Basha tha se, pas gati 3 dekadash diktatura ideologjike është zëvendësuar me diktaturën e krimit të organizuar. Kreu i opozitës tha se qeveria aktuale nuk është mazhoranca reale, por krahu politik i përfaqësuesve të klaneve të krimit dhe drogës, Shullazit, Xhafajve, Habiljave, Baliljave. Basha shpjegoi se për shkak të aleancës së qeverisë me krimin, Edi Rama nuk jep llogari para qytetarëve dhe punon kundër interesit të tyre. Kreu i opozitës u shpreh se protesta e 27 janarit është një mundësi për qytetarët për të ngritur zërin kundër padrejtësive, për të ndryshuar gjendjen e tyre përmes ndryshimit të qeverisjen e vendit dhe për të hapur një rrugë të re për Shqipërinë. “Nëse je i papunë dhe po mendon të largohesh, mos u largo! Eja me ne në sheshin e protestës!. Nëse je i ri dhe nuk gjen dot punë, mos e ul kokën, por bashkohu me ne në sheshin e protestës! Ta nisim ndryshimin e madh ditën e shtunë me 27 janar për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa!”- tha Basha. Lulzim Basha shprehu bindjen se një qeveri që punon për qytetarët dhe jo për një grusht njerëzish afër kryeministrit ka mundësitë t’i lehtësojë të pamundurit nga faturat e ujit dhe e dritave, të ulë çmimin e naftës, të ulë taksat dhe të investojë për hapjen e vendeve të reja të punës.
Sigal