Lulzim Basha: “ Dorëheqja e Berishës dëshmoi dimensionin e jashtëzakonshëm të tij”

463
Sigal


Në daljen e parë për mediat, që prej deklaratës së dorëheqjes së kryeministrit Berisha mbrëmjen së mërkurës, kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka vlerësuar punën e lidershipit të selisë blu, si njeriu që realizoi transformimet më të mëdha në vend pas viteve ‘90. Pjesë të sukseseve të Kryeministrit, Basha ka renditur edhe projektin TAP, për të cilin shtoi ai “meritë të veçantë ka Kryeministri Berisha për lobimin e bërë në të gjitha samitet ndërkombëtare që prej 2005”. “Dje nuk lë vend për komente, por prezonon akoma për gjithë qytetarët e Shqipërisë dhe thekson dhe njëherë dimensionin e jashtëzakonshëm të këtij njeriu që kemi pasur fatin ta kemi në krye të PD. Njeriun që shndërroi dhe mundësoi transformimet më të mëdha në Shqipërinë e pas viteve ‘90. Nuk ka provë më të mirë se kjo në ditën e sotme, sesa konfirmimi i linjës së gazsjellësit TAP, një projekt për të cilin Kryeministri Berisha ka lobuar që në fillim të mandatit të parë në vitin 2005, 2006, 2007, 2008, kam pasur privilegjin të jem në krah të tij kur në samite të rëndësishme ndërkombëtare i dedikonte energji dhe kohë këtij projekti të jashtëzakonshëm përkundrejt skepticizmit të disa aktorëve kryesorë. Për Shqipërinë është një hap transformues për nga rëndësia historike, i barabartë me anëtarësimin tonë në NATO pa të cilin nuk do kishte ndodhur, për nga rëndësia ekonomike diçka që ne sot nuk mund ta matim me fjalë, por që në vitet që vinë shqiptarët do ta ndjejnë si në shtëpitë e tyre, ekonomitë e tyre, si në forcën e ekonomisë shqiptare. Kjo është vetëm një copëz e vizionit të Kryeministrit Berisha, e kthyer në realitet”,- tha Basha. Lidhur me zërat që po qarkullojnë për pasuesin e liderit Berisha, e ku të gjitha drejtimet të çojnë pikërisht tek zoti Basha, vetë ai nuk ka dashur të bëjë asnjë koment, duke argumentuar se fokusi kryesor i PD-së mbetet projekti TAP.