Lulzim Basha: Decentralizim, shërbim ndaj qytetarëve, përpara hartës territoriale

509
Sigal

Shoqatat e të zgjedhurve vendorë organizon seancën e dytë të Konferencës “Decentralizimi dhe reforma territoriale”

Shoqatat e të zgjedhurve vendorë organizuan dje seancën e dytë të konferencës, “Decentralizimi dhe reforma territoriale”, në një takim të hapur, ku morën pjesë dhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha dhe përfaqësues të maxhorancës, Bashkim Fino dhe Petrit Vasili. “Si kryhet një reformë administrative – territoriale”, ishte tema që u trajtua dje, duke u vënë theksi tek zgjerimi i autonomisë vendore, dhe tek një reformë e qëndrueshme territoriale. Në këtë takim u propozuan projektet e katër organizatave të pavarura. Konkretisht, “Autonomia Vendore dhe pesë opsione për organizimin territorial” , “Metodologjia e zonave funksionale për zhvillimin vendor”,  “Riorganizimi administrativ – territorial fillon nga decentralizimi”, “Decentralizimi dhe Rajonalizimi”. Konkluzionet e seancës së dytë ishin se nevojitet reforma e decentralizimit, për zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik dhe social. Në konferencë, foli dhe kryetari i Partisë Demokratike, i cili u ndal tek rëndësia e decentralizimit. “Para se të mbërrijmë tek harta, duhet të bëjmë decentralizimin e vërtetë për të përballuar nevojat dhe sfidat e vërteta të Shqipërisë së vitit 2014”,- tha Basha. Kryetari i opozitës, duke theksuar se jemi në politikë për të shërbyer, jo për të udhëhequr, tha se: “Duhet një reformë, e cila përmirëson shërbimet ndaj qytetarëve. Çdo shërbim. Nga infrastruktura, tek marrja e lejeve apo certifikatave, tek kanalizimet, tek marrja e lejes për të rregulluar çatinë  për të hapur një dritare apo për të vënë sahatin e ujit. Që reforma territoriale të jetë e qëndrueshme ajo ka nevojë për konsensus, dhe jemi gati, që bazuar në traditën dhe vlerat më të mira, të ulemi të bisedojmë me qeverinë dhe të gjejmë konsensusin pa humbur kohë.

Pjesë nga fjalimi i z.Basha

“Para se të mbërrijmë tek harta duhet të bëjmë decentralizimin e vërtetë në përputhje me nevojat, sfidat dhe standardet e Shqipërisë 2014, dhe Shqipërisë 2015, dhe Shqipërisë 2025, Shqipërisë që duhet të shkojë drejt Europës dhe standardeve europiane. Funksionet, decentralizimi, autonominë vendore, përfaqësimin sa më afër qytetarit, atë që sot BE e konsideron gur themeli të ekzistencës së vet me një fjalë të ngatërruar latine subsidiariteti, që do të thotë shërbimi të jepet sa më afër qytetarit. Pushteti të ushtrohet sa më afër qytetarit. Këtë kemi kërkuar dhe konstatoj jo pa kënaqësi se një personalitet i shumicës sot si z Fino, me përvojën e tij si ish i zgjedhur vendor, si i ngarkuar për pushtetin vendor dhe si ish-kryeministër i vendit, bie dakord që është decentralizimi dhe autonomia vendore kyçi i suksesit apo i dështimit i këtij procesi.  Sukses dhe dështim që nuk mund të vërehet sot për sot apo sot për nesër. Procesi duhet të garantojë shtrirjen në kohë dhe sukses në kohë të kësaj ndërmarrje dhe kjo është arsyeja që në fillim thamë që duhet konsensus politik. Duhet sepse kështu garantojmë qëndrueshmërinë e kësaj reforme. Duhet konsensusi politik sepse nëpërmjet konsensusit ne do ta garantojmë llogaridhënie dhe transparencën para qytetarëve shqiptarë, shërbëtorë të të cilëve jemi. Pra një reformë e cila përmirëson shërbimet ndaj qytetarëve. Çdo shërbim. Nga infrastruktura, tek marrja e lejeve apo certifikatave, tek kanalizimet, tek marrja e lejes për të rregulluar çatinë, për të hapur një dritare apo për të vënë sahatin e ujit. Apo shërbimet të tjera që sot Europa i garanton përmes pushtetit vendor. Pra shërbime më të mira ndaj qytetarëve dhe përfaqësim më të mirë për qytetarët. Shërbim ndaj qytetarëve, demokraci për qytetarët, këtë duhet të garantojë reforma. Shërbime më të mira, përfaqësim më të mirë. Cili është rreziku?! Rreziku është veçanërisht në rastin e një megashumicë siç kemi të bëjmë sot në Parlament me 83 deputetë të zgjedhur dhe 2 të importuar dhe me sytë e hapura për të kapur ndonjë import tjetër, që jo shërbimet dhe demokracinë, por faktorin elektoral dhe kontrollin politik hipën në axhendë të parë. Cila është njësia që më leverdis më shumë dhe si mund ta kontrolloj më shumë. Po është e vërtetë, kryeministri çoi një letër dhe më ftoi ta diskutonim dhe ta diskutonim sy ndër sy, por kur unë e pyeta pa e paragjykuar fare takimin për këtë çështje apo çdo çështje tjetër të rëndësishme për shqiptarët, se nuk është problemi tek takimi apo tek marrëdhëniet personale sepse nuk është çështje personale, është çështje e qytetarëve shqiptarë, pra kur unë e pyeta nëse është i gatshëm të ofronte konsensus në parlament, aty ku merren vendimet, atëherë përgjigja e tij ishte jo. Justifikimi ishte se opozita përmes kësaj mund të bllokonte procesin, ndërkohë që opozita vetëm ka garantuar në çdo moment se është për këtë reformë. Kushtetuta i ka mandatuar si stacionin final vendimmarrës të pushtetit vendor. Ky proces nuk mund të jetë një proces ultimativ. Ka rëndësi që procesi të ecë, padyshim. Kemi humbur kohë padyshim. Të mos tregojmë me gisht se i kujt është faji. Argumentet e mia, argumentet e shoqatave, argumentet e të zgjedhurve vendor i dhashë dhe besoj se jeni të qartë se këto nuk janë argumentet e të zgjedhurve vendor blu, sepse as në Memaliaj dhe as në Rrogozhinë nuk qeveris as PD dhe as aleatët e saj, por qytetarët dhe pushtetarët që kanë dalë. E vërteta flet që njësitë vendore në tërësi janë efiçente me ato kompetenca që u janë dhënë e ndoshta do të jenë edhe më efiçente në qoftë se kompetencat do të vazhdojnë të shoqërohen me mbështetje financiare. Nuk paragjykojmë asnjë variant, asnjë hartë. Asnjë hartë nuk paragjykojmë për sa kohë që funksionaliteti, cilësia e shërbimit, demokracia, e drejta e përfaqësimit, garanton, për sa kohë që vullneti i qytetarëve shqiptar, zëri i tyre dëgjohet. Kemi gjithë mundësitë ta bëjmë këtë poçes ashtu si duhet. Na mungon vetëm vullneti. E pra sot jam këtu në emër të të gjithë të zgjedhurve vendorë të tre shoqatave, por dhe në emër të opozitës për të përsëritur vendosmërinë tonë, vullnetin tonë, për të dhënë kontributin maksimal për një reformë të suksesshme të decentralizimit, të fuqizimit të demokracisë vendore dhe natyrisht të konsolidimit territorial të Shqipërisë, në përputhje me sfidat dhe nevojat, në përputhje me horizontet evropiane të vendit tonë. Të gjithë e dimë se konsensusi politik është ai që materializohet në parlamentin e Shqipërisë, midis shumicës dhe opozitës. Ndonëse viti u mbush, nuk besoj se kujtesa e tradhton shumicën e sotme se dje në opozitë, për reformën elektorale apo reforma të tjera të ngjashme, kështu e ka marrë, dhe kështu e kemi bërë konsensusin. Konsensusi politik pra jepet në parlament. Ndaj kudo dhe kurdo të jetë gati shumica të reflektojë, për këtë moment të rëndësishëm, jo vetëm për këtë reformë, por dhe për klimën e konfliktualitetit, apo e kundërta, klimën e dialogut dhe bashkëpunimit që na e tha me zë dhe me figurë Këshilli Europian, kur mori vendimin për statusin dje, opozita është gati. Konsensus në Kuvend. Ti lëmë manovrat e tjera. Nëqoftëse e keni harruar, konsultoni se çfarë bëmë për reformën elektorale të 2008-ës. E kam fjalën për z. Fino jo për z. Vasili, se z. Vasili ishte në grevë urie atëherë. Edhe uroj që një konsensus domethënës mos të përfshijë asnjë në grevë urie. Të jemi të gjithë, por veçanërisht të jemi për të bashkuar vullnetet tona në funksion të një reforme të qëndrueshme dhe afatgjatë”.