Lulzim Basha: Besëlidhur kundër kartelit të drogës, për Shqipërinë europiane

451
Sigal

BASHA: NUK PRANOJME TE QEVERISEMI NGA KARTELI I DROGES
Kretari i PD, Lulzim Basha duke folur nga protesta, tha se opozita nuk do ta lejojë që venditn ta qeverisë pushteti i kartelit të drogës. Në fjalën e tij Basha kërkoi dorëheqien e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar si përgjegjës kryesor dhe të implikuar në trafikun e drogës.

“Sot nuk dua të ndalem gjatë me gjëmën e rëndë të narkotrafikut, të drogës me avionë, të drogës që nuk zvarritet më, nuk hipën më as në mushka, makina e gomone, por ka kapur qiellin e shqipërisë dhe për ta bërë këtë ju deshën vetëm 9 muaj. Plani i kartelit të drogës është të blejë zgjedhje pas zgjedhje, të blejë tokën, ujin, të blejë liritë, të blejë demokracinë e shqiptarëve. Plani i tyre ogurzi është të rrënjosin dhe të konsolidojnë përmes mashtrimit të atyre që janë brenda oligarkinë e drogës në vend të demokracisë. Por nuk do të mundin sepse shqiptarët janë më të fortë dhe më të bashkuar se kurrë. Një përgjegjës ka këtu, është vetëm Edi Rama.” u shpreh Lulzim Basha

Sipas kreut të PD, qeveria po përpiqet të fshehë të vërtetën e ngjarjes së Divjakës.

“Jemi përballur me të për të mbrojtur ligjin, për mashtrimet dhe dështimin e tij, që në 8 muaj ja ka dalë të nxjerrë më shumë njerëz nga puna se në 10 vitet e fundit. Sot do përballemi me të jo si opozitë por si shumica absolute, dhe kemi detyrën e shenjtë, dhe të drejtën ti themi dorëhiqu dhe ik. Shqiptarët nuk mund të pranojnë të qeverisen nga një njeri i kapur fund e krye nga karteli i drogës. Shqiptarët nuk ja kanë borxh të ardhmen e fëmijëve të tyre një njeriu që i ka borxh kartelit të drogës. A do ta pranojmë ne këtë qeveri e cila sot ka 1 javë hallin se si t’i ikë përgjegjësisë dhe të fshehë të vërtetën, apo do të përcojmë shqetësimin mbarëpopullor për të mos lënë shqipërinë në dorë të drogës. Ndaj sot e nisim këtë betëjë, për ta vazhduar çdo ditë javë e muaj deri sa Rama të mbajë përgjegjësinë dhe të largohet.” tha Basha

Fjala e plotë e Lulzim Bashës

Shqiptare dhe shqiptarë, burra dhe gra, të rinj dhe të reja

Qytetarë të lirë, mirësekeni ardhur në këtë tubim madhështor i cili përball sot si asnjëherë tjetër më parë të drejtën themelore të pushtetit sovran që quhet populli sovran shqiptar, me oligarkinë e drogës e cila po përpiqet ti bëjë gjëmën çdo shqiptari dhe shqiptareje. I hoqën dritat sepse kanë frikë nga zëri juaj. I hoqën dritat sepse nuk duan të dëgjojnë zërin tuaj. I hoqën dritat sepse tremben nga zëri juaj dhe nga ajo që shqiptarët kanë për të thënë.

Sot nuk dua të ndalem gjatë në gjëmën e rëndë që ka pasuar pas disa zullumeve të tjera të Edi Ramës, gjëmën e rëndë të narkotrafikut, të drogës me avionë, të drogës që nuk zvarritet më, që nuk hipet më në mushkë, as në makinë, apo në gomone, por ka kapur qiellin e Shqipërisë, dhe për këtë ju desh vetëm 9 muaj të qeverisjes së tij.

Shqiptarët e ndershëm, burrat dhe gratë, nënat dhe baballarët e këtij vendi, të rinjtë dhe të reja, ndihen të sfiduar, të tallur dhe të kërcënuar në përpjekjen e tyre të përditshme të sigurimit të bukës së gojës me djersën e ballit, të sigurimi të së ardhmes së fëmijëve të tyre me punën e ndershme. Nga tallja, kërcënimi dhe rreziku i atyre që duan ta shndërrojnë këtë tokë, këto qytete dhe fshatra, këto rrugë dhe këto sheshe në prona të drogës.

Kërcënimi është akoma më i madh sepse karteli i drogës, bosët dhe baronët e drogës, janë ata që para zgjedhjeve të kaluara e bënë planin e tyre ogurzi dhe sot e kanë vënë në lëvizje dhe plani i kartelit të drogës është të blejë zgjedhje pas zgjedhjesh, të blejë pushtetin, të blejë ajrin, tokën, ujin, të blejë liritë e shqiptarëve, të blejë demokracinë e shqiptarë, të blejë gjithçka të mirë që kemi në këtë vend.

Plani i tyre ogurzi është që të rrënjosin dhe të konsolidojnë përmes përfshirjes, mashtrimit dhe shurdhërisë të atyre që janë brenda, oligarkinë e drogës në vend të lirisë dhe demokracisë për shqiptarët. Por nuk do të mundin, nuk do të mundin sepse shqiptarët janë më të fortë dhe më të bashkuar se kurrë.

Një përgjegjës ka këtu. Populli e di që ky është Edi Rama, i cili ka dy muaj që gënjen dhe mashtron shqiptarët për të fshehur të vërtetën tronditëse të narkotrafikut dhe drogës me avionë.

Populli nuk ka mundësitë dhe instrumentet për të kontrolluar trafikun e drogës. Qytetarët e kanë parë, qytetarët e kanë denoncuar, qytetarët kurajozë kanë folur edhe kur janë kërcënuar, gazetarët dhe mediat po kështu dhe shumë punonjës të ndershëm të shtetit që kanë bërë detyrën e tyre para shoqërisë dhe vendit.

Por populli ka një tjetër mundësi, qytetarët shqiptarë kanë një tjetër mundësi, ka një tjetër instrument që njeriun përgjegjës për këtë situatë ta çojë në shtëpi dhe bashkë me të edhe kartelin e drogës.

Që kur ky çast fatkeq në historinë e kësaj toke dhe këtyre njerëzve trokiti, që kur u dhanë indikacionet e para, denoncimet e para, akuzat e para për trafik droge përmes ajrit, Edi Rama nuk ka bërë gjë tjetër vetëm është munduar ta fshehë, ta justifikojë, të mashtrojë, të fshehë krimin që në doktrinën politike, kjo pra, fshehja e krimit, është më e rëndë se vetë krimi.
A nuk ishte ky që u tall dhe u përqesh me denoncimet e opozitës dhe ju tha keni parë mushkonja?!

A nuk ishte ky që shpërndau ministrat e tij bashkëfajtorë për të bindur shqiptarët se kishin parë ëndra dhe jo fakte?!

A nuk ishte ky, që mbrëmë darkonte me dhjetëra gazetarë të Bashkimit Europian në restorantin e Rogner, dhe nuk gjeti një fjalë të vetme për gazetarin shqiptar që u kërcënua me kokën e prerë të dhisë në pragun e derës?!

A nuk ishte ky që i vuri kazmën policisë së shtetit duke shkarkuar përdhunshëm dhe paligjshmërisht dhjetëra e qindra oficerë policie, burra dhe gra, zonja dhe zotërinj që u përleshën me kurajo me krimin dhe që u dhanë shqiptarëve Shqipërinë në NATO dhe lëvizjen pa viza dhe me dinjitet?!

A nuk ishte ky, me urdhrat e tij, që drejtorë të rëndësishëm të administratës i largoi dhe i zëvendësoi me persona të dënuar për trafik kokaine, heroine e drogash të tjera?!

Ky ishte dhe ky është. Çfarë do të bëjmë ne përpara kësaj?

Jemi përballur me të për të mbrojtur Kushtetutën, jemi përballur me të për të mbrojtur ligjin, jemi përballur me të për mashtrimet dhe për dështimin e tij që në 8 muaj ia ka dalë të nxjerrë më shumë njerëz nga puna se ndonjëherë në 10 vitet e fundit të marra së bashku. Por në çdo përballje me të jemi përballur në respekt të plotë të vullnetit të shumicës politike.

Sot jemi kthyer për tu përballur edhe njëherë, por tani ne nuk jemi vetëm opozita, ne jemi shumica absolute e shqiptarëve. Dhe kemi detyrën e shenjtë, misionin e madh por edhe të drejtën ti themi Edi Ramës; dorëhiqu dhe ik!

Shqiptarët nuk mund të pranojnë të qeverisen nga një njeri i kapur fund e krye nga karteli i drogës.

Shqiptarët nuk ia kanë borxh të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre, njeriut që i ka borxh kartelit të drogës.

Shqiptarët janë të vendosur për këtë përballje sado ti mbyllin sytë, sado ti mbyllin veshët por zërin e shqiptarëve nuk e mbysin dot.

A do ta pranojmë ne këtë qeveri e cila sot ka një hall, si ti ikë përgjegjësisë, se si të fshehë të vërtetën, apo do të përçojmë me zërin tonë shqetësimin mbarë popullor për të mos lënë Shqipërinë në duart e drogës.

Ndaj sot, e nisim këtë betejë, për ta vazhduar nesër, pasnesër, javën tjetër, çdo ditë, javë dhe muaj deri sa Edi Rama të mbajë përgjegjësinë e të largohet. I ka bërë llogaritë gabim, i ka bërë llogaritë jo vetëm pa opozitën, i ka bërë llogaritë jo vetëm pa demokratët, por ka bërë llogaritë pa shqiptarët.

E pra, llogaritë e tij po bien dhe do të bien përtokë. E vërteta po ngrihet dhe do të ngrihet çdo ditë.

Sot, vëllezër dhe motra, në atë sallë janë munduar të bëjnë si rëndom atë që duan dhe dinë të bëjnë; të mbysin zërin e opozitës dhe të shmangin një seancë të jashtëzakonshme për përgjegjësitë e Edi Ramës për trafikun e drogës.

Për dy orë e gjysëm me radhë, janë munduar t’ia mohojnë opozitës këtë të drejtë. Por sot ndryshe nga herët e tjera, pas dy orë e gjysmë betejë në Parlament dhe dy orë e gjysmë qëndrese jashtë parlamentit, janë dorëzuar.

5 minuta më parë, nën presionin e zërit të qytetarëve të lirë të këtij vendi Parlamenti nisi debatin e kërkuar nga opozita.

Debati ynë në Parlament, debati ynë jashtë parlamentit, po zbulon dhe do të zbulojë të vërtetën tronditëse të trafikut të drogës me symbyllje dhe s’shkelje të Edi Ramës.

E vërteta nuk mund të mbulohet përgjithmonë. E drejta vonon por nuk harron. Zoti ekziston edhe pse jo besimtarët nuk e besojnë. Dhe ne të gjithë së bashku jemi të besëlidhur sot për të qënë deri në fund garant të së vërtetës. Ashtu si sot, ia dolëm të detyrojmë Parlamentin shqiptar të ulet dhe të diskutojë për trafikun e drogës dhe përgjegjësitë e Edi Ramës, ashtu edhe nesër, pasnesër, ditët dhe javët e ardhshme me të gjithë këta shqiptare dhe shqiptarë dhe me qindra e mijëra të tjerë do ta përballim Edi Ramën me të vërtetën, deri sa të largohet.

Ky është misioni ynë sepse halli ynë, halli i çdo shqiptari është e ardhmja evropiane e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Halli i EskobaRamës është jo vetëm të fshihet, jo vetëm ti ikë të vërtetës, por të vazhdojë avazin e vjetër.

DEPUTETET E PD: RAMA IK!
Ndërkohë deputetë të Partisë Demokratike kanë dalë përkohësisht nga salla e Kuvendit për të përshëndetur protestuesit. Ish ministri i Brendshëm, Flamur Noka tha se kjo qeveri ka rënë sëbashku me avionin e drogës.

“Nuk janë më qeveria e shqiptarëve, edhe pse qëndrojnë në ato karrige. Do qëndrojnë aty për të vjedhur shqiptarët por s’mund të na përfaqwsojnw më, ndaj opozita jemi këtu, nuk mund të vazhdosh më sepse ti zoti Rama je imazh i trafikut, i trafikantëve ndaj nuk mund të jesh aty ku je. – u shpreh Noka

Ndërsa deputeti Arben Ristani tha se “Fqinjët tanë po nxjerrin ushtrinë në kufi për të mbrojtur nga Droga. Eskobari jonë duhet të largohet.” “Mos u largoni deri në momentin e fundit. Ky kryeministër duhet të japë  dorëheqje, mushkonja janë ata që fshihen atje, jemi qytetarë të këtij vendit jo vetëm demokratë. Këta mendojmë se do lodhemi ose do gënjehemi. Rroftë shpirti i demokratëve, nuk jemi të humbur.” -u shpreh koordinatorja e PD, Grida Dume

“Ajo që ndodhi të shtunën është kapja e shtetit”- nisi fjalën e saj deputetja e PD, Jorida Tabaku duke shtuar se “Kjo nuk është betejë mes të djathtës dhe së majtës një betejë e njerëzve për të hedhur një pushtet të kapur nga droga. Ne nuk do të ndalemi deri kur Rama të ikë, nuk ka më kuptim një qeveri e kapur nga krimi. ”

“Ky kryeministër e mohoi çështjen e armëve kimike dhe ajo i plasi në dorë, mohoi drogën, tha mushkonja dhe i ra në kokë avioni. Ramës i ka ardhur koha të ikë, pasi është i paaftë për të qeverisur shqiptarët.-tha deputeti tjetër i PD, Gert Bogdani

Mesila Doda u shpreh se duhet të rezistojmë derisa kjo qeveri të largohet. “Kjo klikë oligarkësh nuk mund të ndali rrugën tonë drejt BE. Rama zëvendësoi forcat e policisë me forca kriminele. Të gjithë bashkë duhet të rezistojmë derisa kjo qeveri të largohet, nuk do ndalemi në parlament derisa të dëgjohet zëri juaj”- tha deputetja Doda.

Deputeti i PD, Aldo Bumçi u shpreh se ata do t’i shkojnë deri në fund kësaj çështje. “Ju e korrët fitoren e parë. Rama dhe Meta kanë frikë të nisin seancën parlamentare prej jush, prandaj kanë 1 orë që nuk e nisin se nuk duan të përballen me të vërtetën. Por ne do i shkojmë kësaj ccështje deri në fund, deri në largimin e Ramës.” tha deputeti Bumçi

Ndërsa deputeti Gent Strazimi tha se PD do të kërkojë zbardhjen e së vërtetës për ngjarjen e Divjakës.

“ Kemi dalë këtu si përfaqësues të PD por aty jemi zëdhënësit tuaj. Do të kërkojmë të vërtetën dhe asgjë nuk shpëton nga e vërteta. Jemi këtu për t’ju garantuar, për të ngritur zërin në emër tuaj, se nuk pranojmë të qeverisemi nga një qeveri narkotrafikantësh. Ky është vetëm fillimi, fitoren e parë e korrëm.” tha Stazimiri – See more at: http://www.shqiptarja.com/aktualitet/2731/protesta-e-pd-basha-rama-ik-ne-shtepi-bashke-me-kartelin-e-droges-214813.html#sthash.xqWnhBjC.dpuf