Lulzim Basha apel Ramës: Hiq dorë nga marrja peng e buxhetit të Tiranës!

464
Sigal

Kryetari i opozitës, njëherësh dhe kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, i bën apel kryeministrit Rama që të mos mbajë të bllokuar buxhetin e Bashkisë së Tiranës. Gjatë përurimit të rikonstruksionit të kopshtit Nr. 35 në kryeqytet , kryebashkiaku Basha, akuzoi qeverinë se po mban peng buxhetin e qytetarëve të Tiranës. “Bashkia nuk mund të hapë asnjë nga investimet e planifikuara për 70 shkolla, kopshte e çerdhe, sepse buxheti i Bashkisë së Tiranës është kthyer në një mollë sherri të qeverisë dhe Kryeministrit Rama me kryetarin aktual të Bashkisë. Me pretekste gjithfarësoj ia ka dalë që ta lenë Tiranën pa buxhet. Dua t’i bëj një thirrje, hiq dorë nga marrja peng e buxhetit të qytetarëve”,- deklaroi Basha. Me një investim prej 14.5 milion lekësh, Bashkia e Tiranës ka rikonstruktuar tërësisht kopshtin Numër 35, në Njësinë Bashkiake nr. 8. Në këtë kopsht të ndërtuar në vitin 1970 mungonte tërësisht kishte probleme të mëdha, lagështirë në të gjitha ambientet mungonte ngrohja dhe ambientet e përshtatshme për fëmijët.

“Sot, kushtet që kopshti ofron janë moderne dhe të nivelit më të lartë. Kuzhinë e re, infrastrukturë e re higjieno-sanitare, ngrohje qendrore e kopshtit, rinovim i ambienteve të brendshme dhe i ambienteve të jashtme dhe çfarë është më e rëndësishmja fëmijë, të cilët jo vetëm nuk kanë asnjë pengesë, asnjë vështirësi, për të kaluar ditën, por duket se nën kujdesin e edukatoreve, nën përkujdesin e tyre gëzojnë, dhe i kënaqen kushteve të reja të këtij kopshti. Të tilla kopshte kemi rikonstruktuar anembanë qytetit të Tiranës dhe disa të tjerë janë në përfundim e sipër, ky është një lajm i mirë, është lajm i mirë për afro 140 vogëlushë të kësaj lagjeje që do të shërbehen në këto rrethana, në këto kushte europiane, dhe për prindërit e tyre, për familjarët e tyre, të cilët sa u përket cilësisë së shërbimit dhe cilësisë së infrastrukturës mund t’i gëzohen, do të thoja një cilësie europiane dhe moderne”, -u shpreh Basha.