Lulzim Basha: Angazhim i përbashkët për demokracinë, sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë

427
Sigal

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Matthew Palmer takohet me krerët e opozitës shqiptare

 Zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Matthew Palmer ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare. Kjo vizitë e zyrtarit të lartë të DASH bëhet disa ditë pasi është publikuar edhe raporti i DASH për Shqipërinë për vitin 2018, ku Shqipëria nënvizohet si vendi që trafikon droga dhe bëhet pastrimi i parave, të nxitura këto edhe nga korrupsioni i pandëshkuar në Shqipëri. Edhe pse nuk ka bërë të ditur qëllimin e vizitës, ditën e parë zoti Palmer u takua me kryeministrin Rama në një takim që zgjati më shumë se 100 minuta. Pas atij takimi zyrtari i lartë i DASH nuk dha asnjë informacion, ndërkohë që kryeministri Rama deklaroi se u bisedua për ngjarjet në Rajon, duke anashkaluar krizën e brendshme politike. Dje Zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Matthew Palmer u takua edhe me krerët e PD dhe LSI.

Basha: Kriza politike, strumbullari i takimit

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Matthew Palmer me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Takimi ka zgjatur rreth një orë dhe asnjë prej tyre nuk ka dhënë prononcim për mediat. Basha, pas takimit me dyer të mbyllura në zyrën e tij në selinë blu, e përcolli Palmer jashtë, teksa shoqërohej edhe nga ish-deputetët Aldo Bumçi dhe Oerd Bylykbashi. Pas këtij takimi, ashtu si edhe pas atij paraardhësit në selinë blu, nuk ka pasur asnjë deklaratë për mediet nga zyrtari i lartë i SHBA-ve. Basha ka detaje të takimit në Tëitter, ku shkruan: “Diskutim i hapur dhe konstruktiv me Matthew Palmer për situatën e: Mungesës së Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, mosndëshkueshmërisë, krimit, korrupsionit dhe krizës politike. Angazhim i përbashkët për demokracinë, sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë si e vetmja rrugë drejt stabilitetit dhe Shqipërisë në BE”.

Kryemadhi: Këndvështrimet tona përputhen me raportin e DASH për luftën kundër korrupsionit, për kapjen e shtetit

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Matthew Palmer, pas takimit me kryetarin e PD-së Lulzim Basha u takua edhe kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi në një takim që zgjati më shumë se 70 minuta. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, pas takimit u shpreh: “Diskutuam për situatën dhe sigurisht që unë nuk jam e autorizuar që të flas për takimin. Z. Palmer shprehu opsionet e veta nga këndvështrimet e tij. Ne shprehëm opsionet tona nga këndvështrimet tona. Sigurisht që përputhen për sa i përket raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për luftën kundër korrupsionit, për kapjen e shtetit, për të gjithë problemet e tjera, por është shumë e rëndësishme vazhdimi i mëtejshëm për zgjidhjen përfundimtare dhe për t’i dhënë fund tranzicionit shqiptar. Shqipëria e ka vendin në BE”. Duke i kthyer përgjigje pyetje, nëse Palmer kishte dhënë apo ofruar zgjidhje, Kryemadhi thotë: “Z. Palmer nuk kishte ardhur për t’i dhënë zgjidhje për sa i përket konfliktit. Mos harroni që hallet tona do ti zgjidhim ne shqiptarët vetëm me njëri-tjetrin. Sigurisht që mendoj që viktimat e gjithë kësaj historie, janë shqiptarët nuk është Kryeministri”.