Lulzim Basha: Akti normativ për buxhetin, një “minë me sahat”

421
Sigal

Kreu i PD-së akuzon Kryeministrin Rama: S’merret borxh për rrogat

 Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në mbledhjen e grupit parlamentar denoncoi planet për një ndryshim të projekt/buxhetit 2013 me një akt normativ. Sipas Kryetarit Basha: “Akti normativ i ndryshimit të buxhetit të vitit 2013 është një “minë me sahat”, është një akt i paligjshëm se nuk mund të marrësh hua për të mbuluar rrogat. PD, opozita, mbarë qytetarët duhet të jenë në këmbë për të parë se, ku do të përfundojë kjo shumë parash që i vidhet me këtë akt normativ buxhetit të përbashkët me justifikimin se nuk do të mblidhet. Ne duhet të jemi në lartësinë e misionit tonë për t’i thënë ndal shkeljes së përsëritur të ligjit, rritjes së borxhit, uljes arbitrare të të ardhurave dhe zhvatjes së tyre për xhepat e funksionarëve”.  Sipas tij, qeveria e “Ramës” e thelloi me dorë të rëndë madje me kazmë borxhin publik.  “Akti është kundër stabilitetit financiar, rruga e rrokullisjes drejt recensionit për herë të parë të ekonomisë që u rezistoi dallgëve të krizës globale, formula e recesionit Rama. PD dhe mbarë opozita do të përballen në komisione dhe Kuvend me këtë akt aventuresk të qeverisë, duke i rezervuar ekspertizën më të mirë”. Kreu i PD, nënvizoi se, “kur ishin në opozitë u çorën kundër borxhit publik dhe pse ne arritëm të mos e nxjerrim asnjëherë jashtë kontrollit, e paraqitën borxhin si gogol, vodhën iluzione më saktë gënjeshtra se do të plasë sot apo nesër, gënjyen se me të ardhur në pushtet do t’i vinin borxhit fre, por ata po e trefishojnë borxhin, e kanë çuar në 400 milionë dollarë”. Kryetari i PD, Lulzim Basha tha se u ka bërë thirrje disa herë maxhorancës që çdo arritje ta krahasojë me arritjet e PD. “U kam kërkuar zotërinjve të maxhorancës të maten me arritjet që shënuam ne, të shënojnë nivelin që patëm ne. Le të mos na arrijnë, por një gjë nuk e pranojmë që të prodhojnë vitin Zero në ekonomi”. Duke akuzuar qeverinë “Rama” për papërgjegjshmëri, Basha kërkoi tërheqjen e këtij akti.“I akuzoj për papërgjegjshmëri sepse nuk është parë ndonjëherë një qeveri që të dekurajojë të shthurë mbledhjen e taksave dhe tatimeve. Ky akt i mynxyrshëm të kthehet mbrapa”.