Lulzim Basha: 192 milionat e Ramës, sa për dy vite subvencionim për fermerët

422
Sigal

Gazeta telegraf/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vijoi
turin e dëgjimit dhe bashkëbisedimin me demokratët e Beratit. Lideri i opozitës
theksoi se, “Edi Rama pas 3 vitesh nuk mbajti asnjë premtim, nuk bëri asgjë për
bujqësinë dhe tani ju kërkon të merrni kredi, ndërkohë që ju kishte premtuar
subvencione”.
 

Basha tha se paratë që shkojnë në xhepat e miqve
të Ramës përmes tenderave korruptivë dhe investimeve të luksit do të mjaftonin
për të subvencionuar çdo fermer në Shqipëri për dy vite me radhë.

“Pasi e ka telendisur, e ka lodhur, e ka varfëruar në pikën
ku i ka zhytur në borxh pas borxhi, ka dalë t’iu thotë fshatarëve që me të
vërtetë s’kam bërë gjë për fshatin por tani po ju hap mundësinë që të merrni
kredi. Po shteti i këtij 100 milionë euro iu dha 11 njerëzve, klientë të Edi
Ramës, ndërtuesit të vilës së Surrelit, ndërtuesit të vilës së Dardhës,
ndërtuesit të vilës së Durrësit dhe një grusht sadrinjsh. Për 1.5 milionë
fermerë nuk paska subvencione? 92 milionë të tjera i bëri rrush e kumbulla për
zyra, për kolltuqe, për perde, për makina. A për fermerët nuk paska? Për
fermerët shkoni e merrni kredi. Ed mashtruesi ka hapur thesin e gënjeshtrave se
po vjen ora e përballjes me qytetarët dhe e di fare mirë që jo vetëm nuk ka
përmbushur asnjë premtim, por iu ka rënë hasha të gjithë premtimeve që iu ka
bërë duke përfshirë së fundmi edhe çështjen e importit të plehrave”, tha Basha,
i cili solli në vëmendje programin e Partisë Demokratike për bujqësinë, ku ndër
të tjera parashikohen rreth 100 milionë euro subvencione direkte për fermerët.

“Programi ynë për bujqësinë do të përbëjë 1.5% të Prodhimit
të Brendshëm Bruto, ku një pjesë do të shpenzohet për infrastrukturën në
funksion të zhvillimit rural, kanalet vaditëse, ujitëse, rrugët e aksesit,
tregjet, infrastrukturën përpunuese. Dhe 100 milionë euro do të jepen
subvencione kapilare për fermerët, jo për grumbulluesit, as për importuesit një
grusht njerëzish që hanë e pinë në mensën e Kryeministrit, por për fermerët si
zgjidhja jonë ku djersa e fermerit, e blegtorit, e peshkatarit, e bletarit të kthehet
në mirëqenie për të, të kthehet në mirëqenie për familjen e tij dhe të shtojë
vendet e punës”, tha Basha