Luljeta Arapi: “PS më la pa punë 1 vit, këto 3 vjet do të bëj qejf”

861
Sigal

Deklaratë bombë e deputetes së Elbasanit: “Nuk dua t’ia di as për elektorat, as për parti

Deputetja, e cila ka marrë një muaj më parë mandatin e Damian Gjiknurit në PS, zonja Luljeta Arapi ka bërë një deklaratë të papritur në një takim të mbajtur në Elbasan me deputetët e tjerë të Qarkut dhe krerët e degëve. Pas diskutimesh dhe raportimesh nga të pranishmit, zonja Arapi, njëherësh edhe kryetare e degës së PS-së në qytetin e Elbasanit, ka deklaruar se “më latë të papunë për 1 vit  rresht, askush nuk u kujtua për mua, dhe sikur të mos kishte qenë emri  im në listën emërore, as deputete nuk do të isha sot, ndaj këto 3 vjet do të bëj qejf, nuk dua t’ia di as për elektorat, as edhe për parti”. Kjo deklaratë  e saj ka çuditur, sidomos deputetët e pranishëm, dhe të deleguarve nga Tirana, të cilët pothuajse nuk u kanë besuar veshëve. Prej afro 1 viti PS-ja e Elbasanit, fill pas marrjes së pushtetit pas 23 qershorit 2013, mbetet selia, e cila sa vjen dhe bunkerizohet, duke mos qenë e hapur për qindra e mijëra militantë dhe votues të majtë. E ndërsa  Astrit Halili, kreu i PS-së për komunat e Qarkut ka marrë detyrën e drejtorit të Uzinës së Mjekësit, duket se për kryetaren e PS-së për  qytetin, zonjën Arapi nuk ishte menduar asgjë. Por ishte urdhri i Ramës  që ministrat  të dorëzonin mandatin e deputetit, dhe fati i erdhi nga pas kryetares së PS-së, zonjës Arapi. Por fakti është se në 1 vit e pak muaj pushtet nga PS-ja, dega e qytetit të Elbasanit, asnjëherë nuk ishte dhe akoma nuk është një derë e hapur për jetë partie, hallet dhe problemet e qytetarëve, votuesve dhe militantëve. Fakti është se edhe anëtarësia e kryesisë ka rezervat e veta, dhe ja ka përcjellë këtë shqetësim edhe vetë Edi Ramës. Qejfmbetja e zonjës Arapi për “harresën” 1 vjeçare duket se ka dhënë rezultatet e veta. Baza socialiste e Elbasanit mbetet e zhgënjyer, e pakënaqur dhe akuzon drejtuesit e institucioneve të emëruar nga dega PS për nepotizëm, paaftësi, dhe lidhje me afera korruptive  dhe klienteliste. Asnjëherë më tepër se sot baza e PS-së në Elbasan nuk është gjendur e braktisur, e zhgënjyer dhe e mashtruar, e papunë, e varfëruar, e mbetur mes katër rrugëve. Dorëzimi i mandatit nga Gjiknuri, dhe marrja e  atij mandati nga Luljeta Arapi, padyshim duhej të ishte një lajm i mire për elektoratin e Gramshit dhe asaj zone, e cila mbetet e rraskapitur dhe e harruar nga çdo deputet dhe qeveri. Por duket se nuk do të ndodhë kështu, pasi zonja Arapi si deputete e re e asaj zone, as ka ndërmend të shkojë qoftë edhe si vizitore në Gramsh për t’u njohur me hallet, dertet dhe problemet e 30 mijë banorëve atje. Marrja e mandatit të deputetit, mbetet një përgjegjësi e madhe ligjore dhe personale, një detyrim dhe obligim madhor ndaj partisë tënde, elektoratit tënd, dhe jo një mundësi për t’u hakmarrë ndaj harresës së ndonjë klani të caktuar, apo më keq akoma, për ta përdorur atë për interesa personale. Mandati  i deputetit duhet të shihet me lupë dhe të kalohet nën filtra të shumtë, për të mos veshur me mandate njerëz apatikë dhe klane të caktuara që dëmtojnë interesat e elektoratit, por në sallën e Parlamentit të shkojë  ai që e meriton, ai që votohet. Eksperienca e deritanishme ka treguar se shumica e deputetëve në Parlament, duke mos përjashtuar edhe deputetë të veçantë të qarkut të Elbasanit, mandatin e kanë përdorur dhe po e përdorin për mbulimin e interesave personale, për zgjidhjen e halleve dhe problemeve të tyre, për mbushjen e xhepave të tyre.

   Ben Delimeta