Luksemburg, Meta: Po punojmë për të reformuar sistemin tonë të drejtësisë

531
Kryetari i Kuvendit,  Ilir Meta, duke folur gjatë sesionit të dytë të Konferencës së Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të BE-së në Luksemburg me temë “Forcimi i Bashkimit Europian”, tha se në 25 vitet e fundit shpresat e Shqipërisë, dikur vendi më i izoluar i kontinentit, janë mbajtur lart falë perspektivës së integrimit europian.  Meta u shpreh para homologëve të tij se hyrja e Shqipërisë në BE do të garantojë të gjitha parametrat e duhura për një shoqëri tërësisht demokratike dhe të zhvilluar.  “Duke pasur parasysh këtë, në rastet kur vendet si i yni janë dëshmitarë të lëkundjes së vlerave europiane në mes të shteteve anëtare, e ardhmja nuk duket shumë inkurajuese. Dhe, për fat të keq, këto muajt e fundit duket se gjërat nuk kanë shkuar më mirë për të gjithë hapësirën europiane”, – tha z. Meta. 

Kryetari i Kuvendit theksoi se kriza ekonomike e pasuar nga një krizë e paprecedent migracioni shumë dimensionale ka testuar kohezionin brenda Bashkimit Europian dhe ka sfiduar sigurinë tonë shoqërore.  “Mbi të gjitha ka vënë në pikëpyetje vlefshmërinë e vlerave tona të përbashkëta europiane të solidaritetit, të drejtave të njeriut dhe zhvillimit shoqëror – në të cilat Shqipëria dhe populli shqiptar besojnë ende në mënyrë të palëkundur. Një Bashkim Europian i fortë kërkon një integrim dhe bashkëpunim më të madh dhe më të fuqishëm mes të gjitha shteteve anëtare, si dhe një shtytje përfundimtare drejt përfundimit të projektit europian në ato zona që ende nuk janë integruar, të tilla si Ballkani Perëndimor”, – shtoi z. Meta. 
Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit shprehu bindjen që nëse Europa do të mund t’i përgjigjet të gjitha sfidave të ekonomisë dhe sigurisë si një e tërë, Europa është akoma më shumë, jo më pak e nevojshme. 

Ndërkaq, duke folur për zhvillimet në Shqipëri, z. Meta tha se perspektiva europiane është vendimtare për forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin social, jo vetëm në vendin tonë, por në të gjithë rajonin, ashtu siç ka qenë rasti për vendet anëtare të BE-së gjatë 60 viteve të fundit.
“Si pjesë e përpjekjeve tona për integrimin europian, në vitin 2013 ne miratuam një ndarje të re territoriale dhe administrative të vendit – duke ulur ndjeshëm numrin e njësive tona vendore për të përmirësuar efikasitetin e shërbimeve vendore. Së fundmi, në Parlament kemi miratuar një paketë legjislative revolucionare për integritetin e zyrtarëve publikë, që pritet të rrisë integritetin e zyrtarëve publikë, të rrisë luftën kundër korrupsionit dhe të rrisë besimin e qytetarëve në funksionimin e shtetit”, – vijoi Kryetari i Kuvendit, teksa u ndal edhe çështjen e reformës në drejtësi për të cilën shprehu bindjen se do të miratohet shumë shpejt nga Parlamenti. 

“Aktualisht po punojmë ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, BE-në dhe SHBA-të, për të reformuar të gjithë sistemin tonë të drejtësisë. Në sajë të Komisionit të Venecias dhe asistencës teknike të misionit të BE-së, Euralius dhe Misionit të SHBA-ve, OPDAT, jemi në fazën përfundimtare të dakordësimit për draftin përfundimtar të së ashtuquajturës ‘Reforma e Drejtësisë’, që shpresojmë se do të miratohet në Parlament në javët e ardhshme, përmes një konsensusi të gjerë mes partive”, – deklaroi Kryetari i Kuvendit gjatë ndërhyrjes së tij në sesionin e dytë të konferencë. 
Z. Meta shoqërohej në këtë aktivitet nga Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, znj. Arta Dade.
Ndërhyrja e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta në sesionin e II-të “Forcimi i Bashkimit Europian” 
Në 25 vitet e fundit shpresat e Shqipërisë, dikur vendi më i izoluar i kontinentit, janë mbajtur lart, falë perspektivës së Integrimit Europian. 
Ne gjithnjë kemi besuar dhe vazhdojmë të besojmë se hyrja në BE do të garantojë të gjitha parametrat e duhura për një shoqëri tërësisht demokratike dhe të zhvilluar. 
Duke pasur parasysh këtë, në rastet kur vendet si i yni janë dëshmitarë të lëkundjes së vlerave europiane në mes të shteteve anëtare, e ardhmja nuk duket shumë inkurajuese. 
Dhe, për fat të keq, këto muajt e fundit duket se gjërat nuk kanë shkuar më mirë për të gjithë hapësirën europiane. 
Kriza ekonomike, e pasuar nga një krizë e paprecedent migracioni shumë dimensionale ka testuar kohezionin brenda Bashkimit Europian, ka sfiduar sigurinë tonë shoqërore dhe mbi të gjitha ka vënë në pikëpyetje vlefshmërinë e vlerave tona të përbashkëta europiane të solidaritetit, të drejtave të njeriut dhe zhvillimit shoqëror – në të cilat Shqipëria dhe populli shqiptar besojnë ende në mënyrë të palëkundur. 
Një Bashkim Europian i fortë kërkon një integrim dhe bashkëpunim më të madh dhe më të fuqishëm mes të gjitha shteteve anëtare, si dhe një shtytje përfundimtare drejt përfundimit të projektit europian në ato zona që ende nuk janë integruar, të tilla si Ballkani Perëndimor. 
Ndaj ne iu përgjigjëm menjëherë ftesës të koleges së nderuar italiane Laura Boldrini për nënshkrimin e Deklaratës së Romës, dhjetorin e kaluar. 
Ne vërtetë besojmë që nëse Europa do të mund t’i përgjigjet të gjitha sfidave të ekonomisë dhe sigurisë si një e tërë, Europa është akoma më shumë, jo më pak e nevojshme. 
Ndërkohë që për disa prej jush kjo do të thotë një Union më i integruar, për disa prej nesh do të thotë një Europë e plotësuar. 
Pavarësisht lodhjes së zgjerimit, gjë që e kuptojmë shumë mirë, Bashkimi Europian nuk duhet ta braktisë procesin e tij të zgjerimit, ndërkohë që disa vende anëtare të BE-së nuk duhet të braktisin vlerat që i bashkuan fillimisht, të cilat ne, si vende kandidate, na mbajnë ende të angazhuara në mënyrë aktive në rrugëtimin tonë europian. 
Ky proces duhet realizuar përmes një sistemi të bazuar tek meritat. 
Nëse më lejoni t’ju njoh shkurtimisht me zhvillimet e fundit në Shqipëri, do të kuptoni që perspektiva europiane është vendimtare për forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin social, jo vetëm në vendin tonë, por në të gjithë rajonin, ashtu siç ka qenë rasti për vendet anëtare të BE-së gjatë 60 viteve të fundit.
Për të sjellë shembullin e Shqipërisë – si pjesë e përpjekjeve tona për integrimin europian, në vitin 2013 ne miratuam një ndarje të re territoriale dhe administrative të vendit – duke ulur ndjeshëm numrin e njësive tona vendore për të përmirësuar efikasitetin e shërbimeve vendore. 
Së fundmi, në Parlament kemi miratuar një paketë legjislative revolucionare për integritetin e zyrtarëve publikë, që pritet të rrisë integritetin e zyrtarëve publikë, të rrisë luftën kundër korrupsionit dhe të rrisë besimin e qytetarëve në funksionimin e shtetit. 
Ligji ka filluar të zbatohet dhe po jep rezultatet e para të dëshiruara. Parlamenti Europian ka qenë vendimtar për arritjen e konsensusit politik për draftin.
Aktualisht po punojmë ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, BE-në dhe SHBA-të, për të reformuar të gjithë sistemin tonë të drejtësisë. Në sajë të Komisionit të Venecias dhe asistencës teknike të misionit të BE-së, Euralius dhe Misionit të SHBA-ve, OPDAT, jemi në fazën përfundimtare të dakordësimit për draftin përfundimtar të së ashtuquajturës “Reforma e Drejtësisë”, që shpresojmë se do të miratohet në Parlament në javët e ardhshme, përmes një konsensusi të gjerë mes partive. 
Si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, mbetem i angazhuar fort në rritjen e bashkëpunimit ndër-partiak, për të përshpejtuar ritmin e të gjitha reformave madhore në vend. 
Por, mbetem veçanërisht i fokusuar tek reforma në drejtësi, për të garantuar që Shqipëria të forcojë shtetin e së drejtës, të luftojë më me efikasitet korrupsionin dhe krimin e organizuar, të rrisë besimin e investitorëve të huaj dhe të meritojë plotësisht hapjen e bisedimeve të pranimit me BE-në, në kohën e duhur. 
Shembulli i Shqipërisë, ai i një vendi dikur tërësisht i izoluar, tashmë vend kandidat i BE-së, pavarësisht sfidave aktuale dhe problemeve të brendshme, thekson efektet pozitive që integrimi europian i sjell një shoqërie. 
Ne jemi të vetëdijshëm se Europa Jug-Lindore nuk mund të stabilizohet plotësisht pa integrimin në BE të të gjitha vendeve të saj, pikërisht sepse nuk mund të ketë një Bashkim Europian të plotë pa një Ballkan Perëndimor plotësisht të integruar në Union. 
Pavarësisht qiellit të zymtë, shqiptarët mbeten optimistë për një Europë më të fortë në të ardhmen. 
Shpresoj që ju të gjithë të ndani të njëjtin vlerësim dhe ju jam mirënjohës për mbështetjen tuaj të vazhdueshme në këtë kontekst. 
Faleminderit. 
Sigal