Lufta për maxhorancën absolute

422
Sigal

KQZ-ja ndryshon rezultatin e Lezhës, i hiqet mandati PS-së, i kalon PD-së

Vendimi i djeshëm, për të ndryshuar rezultatin zgjedhor të Qarkut të Lezhës, nuk duhet parë thjesht si një veprim administrativ, por ajo përbën esencën politike të këtyre zgjedhjeve.

Humbja e shumicës absolute  të Kuvendit të ri nga e Majta

A do ta ketë e Majta, shumicën absolute në Kuvend? Deri tani, nga rezultatet e publikuara të zgjedhjeve, të dala nga proces-verbalet e KZAZ-ve, e Majta kishte shumicën absolute, 84 mandate në Kuvendin e ri. Nisur nga kjo, kryeministri i ri i zgjedhur, Edi Rama, pardje bëri edhe kritikat e para publike ndaj Presidentit të Shqipërisë, ndaj Kryeprokurorit dhe ndaj Guvernatorit të Bakës së Shqipërisë. Për të Djathtë, kjo kritikë e drejtpërdrejtë e Edi Ramës, ndaj Presidentit, shënoi edhe alarmin për planet që ka e Majta, e sidomos Edi Rama, si kryeministër i ri, për të përmbysur të gjitha raportet e deritanishme edhe në raport me institucionet e pavarura kushtetuese, sikurse janë Presidenca, Kryeprokuroria, SHIK-u, KLSH-ja, KLD-ja, etj. Jo vetëm kaq. E Majta, duke patur shumicën absolute në Kuvend, do të kishte duart e lira për të ndërmarrë çdo reformë zgjedhore, duke mos patur asnjë pengesë në Kuvend nga opozita e Djathtë.  Ndaj, duke përdorur të gjitha mundësitë që ende zotëron, e Djathta, u hodh në kundërsulm politik. Menjëherë, vuri në funksion mekanizmin e saj në  KQZ dhe rezultati u duk dje. Përmbysja e rezultateve të publikuara në Qarkun e Lezhës. PD-ja, nëpërmjet KQZ-së, fiton një mandat në këtë qark, në dëm të PS-së. Përmbyset kështu balanca e shumicës absolute që kishte fituar e Majta nga 23 Qershori.

E Majta shpreson …Kukësin

E Majta, ka reaguar, duke e çuar vendimin e KQZ-së në Kolegjin Zgjedhor. Mirëpo, pavarësisht fatit që mund të ketë ankimimi i PS-së në Kolegjin Zgjedhor, për mandatin e Qarkut të Lezhës, e Majta, mendon se ka një aso në mëngët e saj. Qarkun e Kukësit, ku LSI-ja pretendon se ka prova të mjaftueshme, që janë bërë manipulime në numërimin e votave, ndaj e ka adresuar ankimimin e saj në Kolegjin Zgjedhor. Mos do të bëhet ndonjë kompensim i mandateve, të qarqeve Lezhë e Kukës, pa ndryshuar thelbin e shumicës absolute? Kjo është pyetja që do të marrë përgjigje nga Kolegji Zgjedhor. PD-ja shpreson se anëtarët e Kolegjit Zgjedhor i ka të zgjedhurit e vet. PS-ja shpreson se anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, të ndodhur para faktit se maxhoranca e re, i ka në dorë karrierën e tyre profesionale, mund të reflektojnë, për të “dëshmuar” paanësinë” juridike e profesionale të tyre, ndaj vendimi që duhet të marrin, mund të jetë pozitiv për të Majtën.

Hapja e kutisë së …Pandorës

Shumica ose jo e votës absolute në Kuvendin e ri, është lufta midis të mëdhenjve, mirëpo, edhe të vegjlit, mundohen, që duke hedhur ndonjë gur nga siraja, nga muri, kujtojnë se do të prishin gjithë barrën, dhe shpresojnë një përmbysje, sado të vogël në favorin e tyre, por shumë dëmëmadh për të mëdhenjtë. Kështu, partitë e vogla kanë bërë ankesat e tyre, ndaj vjedhjes së votës, edhe brenda llojit të tyre. Domethënë, brenda koalicionit. Kështu, MEGA në Qarkun e Vlorës, pretendon se i është vjedhur vota nga PD-ja, por edhe partitë e vogla të së Majtës, kanë pretendimet e tyre. Nëse hapen kutitë e votimit dhe shqyrtohen ankesat e të të vegjëlve, ka shumë mundësi që verifikimi të prishë edhe rezultatet që deri tani kanë të mëdhenjtë. Dhe kjo, automatikisht, mund të ndikojë edhe në shpërndarjen e deritanishme të mandateve. Çfarë do të thotë, përmbysje edhe të rezultateve të publikuara deri tani. Më fjalë të tjera, marrja parasysh e ankimimeve të partive të vogla, nga Kolegji Zgjedhor, mund të jetë edhe …hapja e kutisë së Pandorës, për PD-në, PS-në, dhe pse jo, edhe për LSI-në.

PS-ja humbet mandatin në Qarkun e Lezhës. E fiton PD-ja

KQZ-ja miratoi dje me katër votat e anëtarëve të pranishëm tabelën përfundimtare të qarkut të Lezhës, vendim që ndryshoi edhe raportin e mandateve të këtij qarku, ku mandati i katërt i së majtës i kaloi koalicionit të udhëhequr nga PD-ja. Vendimi erdhi pas verifikimit nga administrata të tabelave origjinale të 248 qendrave të votimit në këtë zonë zgjedhore, ndërsa për 10 qendrat e votimit të ZAZ-së nr. 13, për të cilat Komisioni nuk dispononte tabela origjinale, rezultati doli pas kalkulimit të të dhënave të sistemit elektronik të KQZ-së. Ndryshimi i rezultatit erdhi pas kërkesës së PD-së, e cila paraqiti edhe procesverbalet. KQZ vendosi të shqyrtojë edhe njëherë rezultatin në 10 qendra votimi, ku rezultoi se Partisë Socialiste nuk i takonte mandati i 3-të. Në rezultatet paraprake të 23 Qershorit në qarkun Lezhë koalicioni i majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, mori katër mandate, ndërsa koalicioni i djathtë “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim” fitoi tre mandate. Por pas verifikimit dhe korrigjimit nga KQZ-ja të rezultateve të 10 QV-ve në ZAZ-në nr. 13 të kësaj zone zgjedhore, numri i votave ndryshoi në favor të koalicionit të djathtë, duke i kaluar një mandat. Kështu me këtë ndryshimin, Vasil Bicaj i PD-së merr mandatin e Arben Ndokës  të PS-së. Përfaqësuesit ligjor të PS-së dhe LSI-së paralajmëruan apelimin e vendimit të KQZ-së, duke kërkuar zbardhjen e vendimit të djeshëm brenda afateve kohore.

Përfaqësuesi ligjor iLSI-së, Ilirjan Muho dhe ai i PS-së Genci Gjoncaj, e vlerësuan veprim tërësisht të paligjshëm, pasi më parë sipas tyre duhet të miratohej tabela përfundimtare dhe rillogaritja të vinte gjatë procesit të ankimimit.

Debatet

Gjonçaj: Na vunë në dispozicion tabelat sipas procedurës së përcaktuar nga ju. Dua të them se kjo që sapo prezantuat dhe do e vendosni në vendimmarrje bën të mundur lëvizjen e një mandati nga një koalicion në tjetrin. Dua të them se ky veprim në këtë formë nuk bazohet në kodin zgjedhor është një procedurë që nuk përcaktohet në nenet e kodit zgjedhor. Ajo që do kërkoja për hir të procesit zgjedhor në këtë qark është që të zbardhni sa më shpejt vendimin që të bëjnë animimin në kohën e duhur.

Kosovrasti: E vlerësoj aktin që kemi para, 10 tabela rezultatesh të ardhura në KQZ nuk ishin tabela origjinale, madje as tabela rezultatesh nuk ishin kështu qëndrimin që KQZ ka mbajtur për këtë zonë zgjedhor, vlerësoj vendimin që po merrni dhe që i drejtoheni sistemin elektronik. Sot kemi një rezultat që është i vërteti për këtë zonë zgjedhore.

Muho: Lidhur me materialin e shpërndarë së fundi, komenti im ka të bëjë me atë çka u tha nga parafolësi. sipas shpjegimeve të bëra nga it tha se në momentin e përpilimit të tabelës së numërimit printohej dhe sillej në KQZ, pyetja ime ka të bëjë me faktin se gjatë gjithë ditëve që zhvillohej procesi i numërimit në qarkun e Lezhës sistemi i të dhënave KQZ pasqyronte një rezultat që mandatet ndaheshin 4 me 3, ndërsa sot ku ka përfunduar procesi i votave i referoheni sistemit dhe rezultati shkon të favor të koalicionit të djathtë. Ju pretendoni se janë përcjellë tabelat origjinale? Ajo që konstatojmë është se sistemi i të dhënave tuaja gjatë ditëve të numërimit ka dhënë rezultate 4 me 3 për të majtët.

 Ndoka: Është vjedhje mandati në tavolinë për të humbur 84 votat

Vjedhje të mandateve në tavolinë, me qëllim për të rrëzuar maxhorancën cilësuese të së Majtës, e ka konsideruar vendimin e KQZ-së Arben Ndoka. Vendimin e mesditës së këtij institucioni, kandidati i PS-së, e ka quajtur një vjedhje mandati për të cilin do të ankimohet në Kolegjin Zgjedhor.Vendimi i KQZ-së është një vjedhje mandati, për të cilin ne do të kryejmë ankimimin tonë në Kolegjin Zgjedhor. Në fakt, ky vendim ka qëllim të vetëm prishjen e maxhorancës cilësuese të së majtës, por ky ndryshim i rezultatit është i përkohshëm, sepse ne kemi argumente që hedhin poshtë pretendimet. I garantoj votuesit që nuk do t’i zhgënjej, do t’i shkoj deri në fund kësaj historie. Kolegji Zgjedhor do të jetë i qartë përsa i përket argumenteve që ne do paraqesim dhe kam bindjen se mandati do t’i kthehet PS-së. Anëtarët e KQZ-së të mos kalojnë në rolin e organit të akuzës. Procesverbalet e KZAZ-së nuk janë fallco, por origjinale”, thotë Ndoka.