Lufta për drogën, Basha: Rama betejë imagjinare, humbi në katër vite tashmë e pranon

547
Trafiku i kanabisit nga vendi ynë drejt vendeve të BE-së ka qenë dhe vazhdon të mbetet kauza kryesore e Partisë Demokratike
Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratave të Edi Ramës se tani është zgjidhur problemi i drogës. Me një deklaratë për mediat, Basha thotë se njeriu që e mohoi për 4 vite drogën, del tani e thotë se e kemi zgjidhur problemin. Por për Bashën, asnjë njeri nuk është arrestuar dhe asnjë drejtues trafiku nuk është zbuluar. “Njeriu që për 4 vjet mohoi problemin e drogës në Shqipëri, duke bekuar kthimin e saj në vendin kryesor të drogës në Evropë, sot befas deklaroi se e paska zgjidhur këtë problem. Askush nuk është arrestuar, asnjë drejtues i trafikut nuk është zbuluar, asnjë organizatë trafikantësh nuk është goditur, asnjë rezultat konkret nuk ka pasur në asnjë drejtim. Por kryeministri ka shpallur fitoren e luftës që nuk ka ndodhur”, shprehet Basha. Sipas kreut të PD-së, tani që droga është bërë problem për Bashkimin Evropian, Rama ka vendosur ta pranojë, pasi nuk e fsheh dot më, por shton se nga ana tjetër ai vazhdon të promovojë Gramoz Ruçin dhe Fatmir Xhafën.“Tani që droga shqiptare dhe krimi i organizuar është kthyer në problem politik për qeveritë evropiane dhe BE-në, duke rrezikuar integrimin e Shqipërisë dhe kthimin e vizave për shqiptarët, Edi Rama nuk e fsheh dot më, ndaj ka vendosur ta pranojë dhe menjëherë të shpallë fitoren e luftës imagjinare ndaj saj. Por nga ana tjetër promovon Gramoz Ruçin të cilit që nga 2005 qeveria amerikane i ka refuzuar hyrjen në SHBA për shkak të përfshirjes në krimin e organizuar dhe trafikun e drogës, dhe Fatmir Xhafën e përfshirë në mbrojtjen e të vëllait të dënuar nga Italia për trafikun ndërkombëtar të kokainës”, shton ai. Basha shprehet në fund se kjo “Është një lojë e rrezikshme: inkurajim për trafikantët dhe kriminelët që vazhdojnë të patrazuar dhe shkurajim për policët e ndershëm dhe të gjithë shqiptarët që duan ta luftojnë drogën. Është një lojë që do ketë pasoja për shqiptarët dhe të ardhmen e Shqipërisë. Ndaj nuk do ta ndalim asnjë ditë betejën kundër kësaj të keqe që ka pllakosur vendin, demokracinë dhe ekonominë tonë”.

CDU dhe PPE mbështesin aksionin opozitar
Ndërkohë Partia Kristian Demokrate gjermane dhe Fondacioni ‘Konrad Adenauer’, dëshmojnë mbështetjen për Partinë Demokratike dhe aksionin e saj opozitar. Një këshilltar i kartë i grupit parlamentar CDU-CSU, në Bundestag, gjatë ditës së djeshme pati një bashkëbisedim me deputetët e Partisë Demokratike në lidhje me mbështetjen për strategjinë dhe aksionin e PD përballë qeverisjes dhe për rrugën e ardhjes në pushtet. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer të CDU në çdo drejtim dhe tha se PD do të angazhohet për ta thelluar bashkëpunimin në çdo drejtim. Në prioritetet kryesore të Partisë Demokratike, renditet reforma e plotë zgjedhore që do të bëjë të mundur garantimin e votës së lirë e të ndershme, asgjësimin e shitblerjes së votës, dhe dhënies fund një herë e mirë të manipulimit të vullnetit të qytetarëve. Basha tha se krahas betejës së përditshme kundër keqqeverisjes, krimit dhe drogës, Partia Demokratike do të konsolidojë alternativën e saj qeverisëse me mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë me partitë simotra evropiane, e në veçanti me CDU.
Sigal