Ambasadori i Italisë në vendin tonë Alberto Cutillo i është drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme ditën e sotme për të zhvilluar një takimin me kryeprokuroren e re Arta Marku.
Mësohet se temë e takimit 30-minutësh, të nisur në orën 10:00 në zyrën e Prokurores së Përgjithshme ka qenë zbatimi i reformës në drejtësi, si dhe çështje të përbashkëta hetimi të dy vendeve tona. Po kështu në takim është diskutuar edhe për mbështetjen e Italisë në goditjen e kriminalitetit në vend.
Kujtojmë se pas marrjes së detyrës, kryeprokurorja Arta Marku ka zhvilluar takime edhe me ambasadorin e SHBA në Shqipëri, Donald Lu, dhe ambasadorin gjerman Helmut Hoffmann.
NJOFTIMI I PROKURORISE
Prokurori i Përgjithshëm, znj. Arta Marku dhe Ambasadori i Republikës së Italisë në Tiranë, z. Alberto Cutillo diskutuan paraditen e sotme mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Shqipëria e konsideron Italinë një partner shumë të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve. Në këtë kuadër, gjatë takimit, Prokurori i Përgjithshëm shprehu bindjen se Prokuroria Shqiptare dhe agjencitë ligjzbatuese italiane do të intensifikojnë koordinimin për hetime të përbashkëta dhe goditjen e grupeve kriminale që operojnë ndërmjet dy shteteve.
Prokurori i Përgjithshëm, znj. Marku, falenderoi diplomatin italian për angazhimin e tij personal dhe të vendit të tij për nxitjen dhe kontributin në hartimin e Reformës në Drejtësi.
Zonja Marku theksoi rëndësinë e procesit të Vetingut në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, duke u shprehur se forcimi i integritetit të prokurorëve dhe gjyqtarëve do të ndikojë edhe në rritjen e mëtejshme cilësore të luftës kundër krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar.
Një tjetër temë e rëndësishme diskutimi ishte zbatimi i plotë i ligjit “Për Dekriminalizimin”. Ambasadori italian shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me autoritetet shqiptare për realizimin në kohë sa më të shpejtë të procesit të verifikimit të integritetit të zyrtarëve shqiptarë.