Luçiano Boçi:LSI-ja me PS-në, makiavelizëm i pastër politik

471
Sigal

Largimi i LSI-së nga maxhoranca, erdhi si një e papritur te PD-ja, ku ditë më parë, Kryeministri Berisha, duke qenë i sigurt se LSI-ja do të ishte pjesë e koalicionit të tyre elektoral,  kishte deklaruar se, bashkërisht do të ishin edhe në zgjedhjet e 2013-s. Ndaj, tani PD-ja ka ndryshuar edhe siglën elektorale. “E djathta e bashkuar”, është nocioni i ri që përdor tashmë Kryeministri Berisha. Luçiano Boçi, deputeti i PD-së në Qarkun e Elbasanit, në intervistën për “Telegraf’, e cilëson ikjen e LSI-së nga maxhoranca e sotme, si  “ikje e gabuar në kohën e gabuar”. Ndërsa, sipas zotit Boçi, vlerësimet morale dhe votëbesuese, do t’i jap elektorati në 23 Qershor. Ndërsa, për marrëveshjen PD-LSI në pushtetin vendor, zoti Boçi thotë se “duket më shumë një lëvizje taktike e LSI-së për të shpëtuar sadopak fytyrën e vet, se sa betim për të respektuar vendimet e marra”.

– Zoti Boçi, si e vlerësoni ikjen e LSI-së nga koalicioni i maxhorancës dhe bashkimin me PS-në?

Si ikje e gabuar në kohën e gabuar, do ta përkufizoja. Dhe ky përcaktim bëhet jo duke u nisur nga interesat politike të forcës që përfaqësoj, pasi nga kjo pikëpamje, vlerësimet e mija do të ndryshonin katërcipërisht, por nga ajo se çfarë duhet të reflektojë politika në publik, se si duhet të sillet ajo me të dhe me vetë politikën në përgjithësi. Vërtet ajo vetë, praLSI-ja, mund ta justifikojë këtë zhvendosje si “rikthimin e djalit plangprishës në shtëpi”, por nuk besoj se një gjë e tillë përputhet me realitetin. Më shumë se një “mea culpa” e majtë, kjo duket sheshit që është makiavelizëm i pastër politik i lindur, nga alkimia e frikës së humbjes së pushtetit të njërës palë(LSI) dhe nga frika e mosmarrjes së tij nga pala tjetër (PS).

Unë pretendoj se politika është diçka më shumë se aritmetika e thjeshtë.  Bashkimi PS-LSI,  duket qartë se është një “hesap i bërë pa hanxhinë” dhe në këtë rast bumerangu është fill pas dere.

– Ç’do të thotë për PD-në kjo ikje e LSI-së nga maxhoranca?

– PD-ja ka respektuar dhe respekton çdo lëvizje të forcave politike, vendimet e të cilave përcaktohen nga forumet e këtyre forcave. Vlerësimet morale dhe votëbesuese është publiku ai që i vendos.

– A mund të bashkekzistojë- ndërkohë- marrëveshja PD-LSI në qeverisjen vendore?

Parimisht duket se ka logjikë politike brenda, nisur nga marrëveshjet e bëra, për dhe faktin se  rezultati i arritur ishte produkt i këtyre marrëveshjeve. Por për momentin, mua më duket më shumë një lëvizje taktike e LSI-së për të shpëtuar sadopak fytyrën e vet, se sa betim për të respektuar vendimet e marra. Koha në këtë rast është dëshmitari më i mirë.

– Në ditën e parë të oponencës, zoti Meta bëri fjalë për përqendrimin e pushteteve në një dorë të vetme. Ka sinqeritet politik në këtë oponencë, kur LSI-ja në të gjitha rastet i dha votat kandidaturave të propozuara nga maxhoranca?

Përgjigjen duket që e keni inkluduar qartë dhe në pyetje. Aq më tepër që një pjesë e kandidaturave ka qenë e propozuar ngaLSI-ja. Dhe aq më tepër që akuzat më të rënda PD-ja i ka marrë në drejtim të lëshimeve pushtetore të ekzagjëruara që i ka bërë LSI-ja, përgjatë këtyre viteve. Justifikime të tilla duken të sforcuara dhe aspak të argumentuara.

– Cilët faktorë do të jenë ndikues në vendimin që do marrin shqiptarët në votimin e tyre?

Normal, që programet konkrete dhe të prekshme, që sjellin benifice punësimi dhe përmirësimi të jetesës së tyre, janë primare. Por, njëkohësisht, nuk duhet harruar ajo që forcat politike kryesore kanë reflektuar përgjatë këtyre viteve në pozicionet ku janë: përkushtimin ekstrem i pozitës për t’i shërbyer njerëzve, kudo ku janë dhe në të gjitha format e mundshme, për të përmbushur maksimalisht të gjitha premtimet, nga njëra anë dhe përkushtimi absolut i opozitës për t’i bllokuar shqiptarët në rrugëtimin e tyre natyral drejt familjes europiane, nga ana tjetër. Pa harruar forcën e karakterit dhe performancën  morale që ato kanë demonstruar.

– Një tjetër raport i organizmave ndërkombëtarë, kësaj here i OSBE/ODIHR-it, bën fjalë për një klimë shqetësuese parazgjedhore,  duke u fokusuar kësaj here, me KQZ të politizuar. A janë ndërgjegjësuar forcat politike, për koston që mund të kemi, nëse zgjedhjet nuk zhvillohen brenda standardeve?

– Angazhimi i qeverisë në këtë drejtim është shprehur saktë dhe disa herë. Zgjedhjet brenda standardeve janë qëllimi kryesor i kësaj qeverisje, me bindjen për të treguar dhe njëherë, sikurse në 2009, se përpara rezultatit, rëndësi themelore për PD-në merr dhe ka procesi zgjedhor. Paragjykimi për KQZ-në nuk duhet të ekzistojë, pas rregullimeve që në fakt duhen bërë për shkak të ndryshimit të raportit të forcave politike në konfigurimin pozitë-opozitë, pasi ajo vetë (KQZ-ja) sikurse dhe Kodi Zgjedhor në tërësi, janë konkludim i një konsensusi politik, i monitoruar dhe i arritur pas një reforme, e cila adresoi të gjitha vërejtjet e raportit të OSBE-ODHIR-it për zgjedhjet e 2009-s dhe 2011-s.

– Cila është garancia që jep maxhoranca se zgjedhjet do të bëhen brenda standardeve demokratike europiane?

Respekti që ajo ka pasur dhe ka gjithmonë për votën e lirë dhe për procesin që demonstron realizimin e kësaj vote.

Punësimi, fokusimi i fushatës elektorale

– PS-ja bën fjalë për 300.000 vende të reja pune, PD-ja premton 250.000 vende pune. Por, askush nuk ka argumentuar se ku do të hapen këto vende të reja të punës. Si mund të besojnë shqiptarët në këto premtime?

–  Kryeministri në argumentet e tij niset konkretisht nga reformat e bëra, nxitjet financuese qeverisëse dhe ligjet e miratuara që stimulojnë iniciativën private dhe rrisin investimet në Shqipëri, sikurse niset dhe nga niveli real i papunësisë dhe trendi punësues që është krijuar në këto vite.  Fryrjet e Ramës për vende pune globale dhe specifike për gratë, janë stisje të rastit dhe emfaza thjesht politike, të lancuara për efekte elektorale, pa argumente ekonomikë dhe pa u nisur nga tregues realë dhe konkretë.

-Faleminderit!