Luçiano Boçi: “Zgjedhjet në PD, janë nevojë për të rifreskuar komunikimin e munguar”

412
Sigal

Kryetari i PD-së, për Qarkun e Elbasanit, Luçiano Boçi, në intervistën për “Telegraf” është realist në analizën e humbjes në 23 Qershor, por, mbi të gjitha, pohon se çfarë ka nevojë PD-ja nga këto zgjedhje në strukturat e saj partiake. Zoti Boçi, thotë se: “ Duhet formatim konceptual dhe ideor të PD me qëllim ndërtimin e një projekti të ri modern, konkurrues, alternativ për shqiptarët”.

– Zoti Boçi, rezultatet e 23 Qershorit në Qarkun e Elbasanit, janë pasqyrë dhe pasojë e punës së qeverisë tuaj, apo edhe pasojë e (mos)kontributit të deputetëve dhe të të zgjedhurve të PD-së në qarkun tuaj?

– Rezultatet e 23 Qershorit janë pasqyrë dhe pasojë e shumë elementëve dhe faktorëve objektivë e subjektivë, të cilët në një analizë shteruese, është  vështirë ti ndash nga njëri-tjetri. Madje, n.q.s nisemi në një këndvështrim kaq makro ne duhet të kishim një rezultat krejtësisht tjetër. E them këtë, sepse Qarku i Elbasanit mbetet një ndër qarqet më të investuara nga qeverisja e PD, me km rrugë të shumta, pothuaj në tërësinë e komunave të tij, me subvencione bujqësore të spikatura, me financime shkollash, spitalesh, qendrash shëndetësore impresionuese, mbështetje universitare domethënëse dhe me përkujdesje të shumëfishuar të shtresave dhe familjeve në nevojë. Dhe pa harruar mbi të gjitha autostradën Tiranë-Elbasan, impakti i së cilës mbetet shumëdimensional dhe gjithëkohor. Kjo panoramë reale ishte shprehje e përkujdesit të asaj qeverisje, por dhe e lobimit të vazhdueshëm të deputetëve të saj të Peqinit, Gramshit, Librazhdit e Elbasanit. Në fakt refleksioni i votuesit nuk u përputh aspak me këtë panoramë dhe ne na mungoi “votë-mirënjohja”, sepse hija e gjërave të vogla rezultoi që ishte më e madhe se hija e gjerave të mëdha.

 – Kini një imazh të qartë politik, përse elektorati në Qarkun e Elbasanit, nuk i dha votëbesimin së Djathtës në 23 Qershor?

– Argumentet e thëna më lart dhe ato të pathëna, por që kanë po aq peshë sa të tjerat, na shërbejnë plotësisht për të ndërtuar një imazh të plotë të arsyeve dhe shkaqeve brenda nesh, që çuan në daljen tonë në opozitë.

 – Deri tani, në strukturat e PD-së, të Qarkut të Elbasanit, janë bërë analizat e rezultatit të zgjedhjeve të 23 Qershorit?

– Elbasani është pjesë integrale e vendit dhe normal që këto procese nisin njëkohësisht në të gjithë qarqet. Analizat janë iniciuar më datë 8 dhe në bazë të udhëzimit që pritet të dalë, do të vazhdojnë normalisht në të gjitha nivelet e strukturave të PD, përfshirë dhe strukturat në qarkun e Elbasanit

 – Cilat janë konkluzionet që keni nxjerrë për shkaqet e humbjes?

– Konkluzionet më reale, jashtë hipotezave që gjithmonë janë të mundshme, do të dalin pikërisht pas bërjes së analizave të plota.

Cili është reagimi  dhe reflektimi i strukturave të PD-së, pas humbjes së 23 Qershorit?

– Ka një pritshmëri shumë të madhe të strukturave për analizën e humbjes. Dhe këtë komunikim të lirë, çlirues dhe “katarktik”,  ne e konsiderojmë tepër të rëndësishme, për të përcaktuar më saktë kompleksitetin e probleme që parashtrohen për zgjidhje dhe që kanë qëllim shëndoshjen dhe rivitalizimin e jetës së partisë.

– Tashmë, nga dje ka filluar edhe zyrtarisht fushata e zgjedhjeve të strukturave të PD-së. Për qarkun tuaj, si do të ndërtohet kjo fushatë?

– Gjithçka do të vijojë sipas procedurave të përcaktuara në statutin e PD dhe në sinkron me analizat. Të dyja këto: dhe analiza dhe zgjedhja, do të prekin çdo qelizë të PD, duke synuar një shkundje kapilare të saj. Kjo do të thotë që do të organizohen duke nisur nga niveli i seksionit deri në ripërtëritjen e tërë strukturës drejtuese të degës. Në vazhdimësi, kjo shtrirje ripërtëritje do të finalizohet me pjesën sipërore të drejtimit të PD-së.

– Cili do të jetë pikësynimi i kësaj fushate?

– Formatim konceptual dhe ideor të PD me qëllim ndërtimin e një projekti të ri modern, konkurrues, alternativ për shqiptarët që zgjon tek ata shpresën e tronditur nga tritoli i një qeverisje revanshiste. Synohet një strukturim total, brenda të cilit do të harmonizohen dukshëm kontributet e njerëzve historikë të saj  dhe të rinjve që priten të afirmohen.

– Cila është më e vështira, për një fushatë zgjedhjeje të strukturave të partisë,  pas një humbjeje të madhe elektorale?

– Tendenca për t’i vënë një emër konkret humbjes dhe tendenca tjetër për shfajësim personal ndaj humbjes. Ajo që triumfon në fund është  ajo që na mblodhi, ajo që na jep energjinë për të debatuar, për t’u frymëzuar, për të punuar, për t’u grindur nga pak dhe për të kontribuar sa më shumë, për të qenë pak të ndarë dhe shumë solidarë me njëri-tjetrin, është pikërisht PD, sjellësja e lirisë dhe e demokracisë së këtij vendi.

– Ju do të jeni sërish kandidat për kryetar i PD-së, në rrethin tuaj? Janë bërë publike kandidaturat?

– Në konceptin tim politikbërja është një aksion, që jo patjetër kërkon një identifikim me ndonjë post drejtues partiak, pasi ajo lëviz në shumë korridore të tjerë. Të gjitha këto arsye më shtyjnë drejt një moskonfirmimi personal, por që nuk pengon të tjerë drejtues ta bëjnë një gjë të tillë.

 – Kush do t’i propozojë këto kandidatura? Strukturat qendrore të PD-së, apo strukturat e bazës së PD-së në qarkun tuaj?

– Strukturat e bazës propozojnë ndërsa strukturat qendrore filtrojnë kandidaturat e propozuara. Gjithçka sipas statutit të PD-së.

– Faleminderit! 

Ja për kë votoi elektorati i PD-së në Elbasan në 23 Qershor

 – Ajo pjesë e elektoratit, që deri para 23 Qershorit ju kishte mbështetur në Qarkun e Elbasanit, keni idenë për kë forcë politike votoi dhe përse?

– Personalisht mendoj se ajo që devijoi më së shumti nuk ishte vota refleksive, por vota pragmatike. Ishte vota e atyre njerëzve që në një mënyrë ose tjetër e panë mbështetjen për LSI-në si varkën e shpëtimit të interesit imediat të ruajtjes së vendit të punës. Por kjo nuk duhet të na krijojë iluzione, sikur kjo rrethanë ishte faktori determinant i përcaktimit të rezultatit. Ne nuk duhet të anashkalojmë, të hatërmbeturit, të pakënaqurit, të bërë të tillë nga sjellja jonë, sikurse ndonjë mosrealizim sidomos ai i punësimit, apo dhe konsumin që të sjell pushteti. Pa llogaritur këtu megamashtrimin premtues të PS-së, sikurse dhe blerjet masive të votës.