Luçiano Boçi: S’ka përçarje të opozitës, zgjedhjet vetëm me qeveri tranzitore

534
Sigal

30 qershori është nul dhe dekreti i Presidentit për 13 tetorin është në fuqi, deklaron ish-deputeti i PD, Luçiano Boçi.

Në një intervistë për Koha Jonë, Boçi përmend situatën në gjykatën e Durrësit, ku thekson se “skandali i Durrësit dëshmoi qartazi që sot sistemi i drejtësisë është nën vasalitet politik të plotë”.

Sipas tij, gjyqtarët janë nën presion të plotë dhe vendimit e tyre vazhdojnë të jenë partiake dhe jo ligjore.

“Në të tilla rrethana por dhe ato pararendëse që lidhem me dekretin e Presidentit, kryebashkiakët nuk mund të largohen nga ushtrimi i detyrës. 30 Qershori është krejt nul dhe dekreti i Presidentit në fuqi. Është e drejtë institucionale e kryebashkiakëve të vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë dhe madje të angazhohen për situatën zgjedhore”. Boçi akuzon se PS vazhdon në harbuterinë e saj ligjore duke i vënë minat çdo ligji e institucioni në Shqipëri”, tha ai.

I pyetur pse PD-ja ka nisur tani të shpalosë programin e saj për ekonominë, Boçi thekson se është garancia më e prekshme për zgjidhjet që sot kërkojnë qytetarët për problemet e tyre të mprehta ekonomike e sociale. “Prezantimi i platformës ekonomike është jo thjesht pararendësja e programit të PD për zgjedhjet politike të prakohshme por dhe garancia më e prekshme për zgjidhjet që sot kërkojnë qytetarët për problemet e tyre të mprehta ekonomike e sociale”, theksoi Boçi.

Ish-deputeti thotë se nuk ka çarje në qëndrimet e opozitës, ndërsa thekson se zgjedhjet lokale dhe politike do të kalojnë përmes një qeverie tranzitore.

“Opozita nuk ka çarje në qëndrimin e saj. Ne vazhdojmë të theksojmë që zgjedhje me Ramën nuk ka dhe që zgjedhjet politike e lokale do të kalojnë nëpërmjet një qeverie tranzitore”, shprehet Boçi.

Sipas tij, dinamika politike është në lëvizje edhe pse jemi në pikun e sezonit turistik.

“Dinamika politike pavarësisht stinës është në lëvizje të vazhdueshme dhe zgjidhja e krizës është e afërt. Ne kemi ende në dispozicion mjete politike për të detyruar një zgjidhje që sot e kërkojnë 85 % e shqiptarëve”.