Luçiano Boçi: Shkolla e ndërtuar me 1.5 milionë euro të shtetit jepet me qira

566
Sigal

Denoncimi nga deputeti Luçiano Boçi: Nxënësit bëjnë 10 km rrugë në ditë, ndërsa…

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi ka denoncuar një rast absurd sipas tij, ku godina e shkollës së mesme në njësinë administrative Bradashesh të Elbasanit është dhënë me qira. Ai thotë se aty janë investuar gati 1.5 milionë euro dhe jepet me qira me çmimin qesharak 75 lekë. Sipas deputetit Luçiano Boçi, vendimi është marrë në muajin korrik të këtij viti.

MINISTRIA E ABSURDIT

Kështu e cilëson deputeti Luçiano Boçi Ministrinë e Arsimit, e cila “jep” lejen për dhënien me qira të godinës së shkollës, sepse shkolla aty nuk mund të zhvillohet. Deputeti Boçi: Para viteve ‘90, nën zë, për të treguar absurditetin e regjimit, qarkullonte një barsoletë:

– Çfarë do bënte regjimi në qoftë se instalohej në Sahara? Përgjigja ishte: – Do të importonte rërë. Por nuk mbaron me kaq. Tani kemi absurditete të reja. Me Ministrinë e Absurdit, alias të Arsimit. Në një kohë që kërkesat për shkolla të reja janë maksimale për shkak të degradimit infrastrukturor të tyre, Ministria, jo vetëm që nuk ndërton të reja, por dhe të rejat e ndërtuara nga 2013, nuk i përdor por i jep me qira. Për të qeshur e për të qarë. Kjo ka ndodhur me godinën e re të shkollës së mesme në njësinë administrative Bradashesh.

Investimi për shkollën 1,5 milionë euro

E filluar si investim në 2013, shkolla ishte një kërkesë permanente e komunitetit, për shkak se të gjithë fëmijët për të vazhduar shkollën e mesme, detyroheshin me furgona e mjete të rastit të shkonin deri në Elbasan. Por megjithëse përfundoi në 2014-n, kjo shkollë nuk u vendos në funksion. Aty janë investuar gati 1.5 milionë euro.

Ndërkohë, nxënësit bëjnë 10 km rrugë për në shkollën tjetër

Shkaku i mosfunksionimit të godinës së re të shkollës, për të cilën u investuan 1,5 milionë euro është paaftësia ulëritëse e ministrisë së arsimit. Justifikimi është absurd: s’ka nxënës, kur kjo njësi është ndër më të mëdhatë, me gati 10.000 banorë. Fëmijët, ndërkohë, çdo ditë bëjnë 10 km për të arritur shkollën.

Qiraja e godinës së shkollës: 75 lekë!

Për turp jepet me qira me çmimin qesharak 75 lekë. Vendim i marrë në korrik të këtij vitin në kulmim e pushimeve verore. Lajmi ka kaluar pa vëmendje, siç e donte Ministria jonë e famshme e Arsimit.