Luçiano Boçi: Procesi zgjedhor në universitete është i manipuluar nga maxhoranca

469
Luçiano Boçi, kreu i departamentit të Arsimit të PD, në intervistën për gazetën “Telegraf” argumenton sesi maxhoranca ka manipuluar edhe zgjedhjet ne universitete, ku ky proces zhvillohet mbi një rregullore që është korrektuar politikisht, por është në kundërshtim me ligjin. Zoti Boçi pohon se produkti i të ashtuquajturës Reformë në Arsimin e Lartë është tashmë deformimi dhe kaotizmi i plotë. Universitetet janë të paakredituar dhe të paorientuar. Zoti Boçi shpjegon edhe ngërçin politik që zvarrit zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH. Edhe pse tashmë janë 2 kandidatë të së Majtës, Gëllçi dhe Malaj, Edi Rama nuk ja më besim te Malaj, ndaj imponon zgjedhjen me diktat të kandidatit Gëllçi, por ngërçi kamuflon interesat e ndarjes së miliona euro që do të bëhen në RTSH, në projektet e diçitalizimit, ndaj Rama do njeriun e tij të besuar në krye të RTSH. Zoti Boçi thotë se nuk mund të bëhet dekriminalizimi i parlamentit, derisa socialistët mbështetin individët që janë objekti i drejtpërdrejtë i ligjit. Ndërsa për Reformën në Drejtësi, mazhoranca e do “konsensusin” e opozitës që të kontrollojë Gjyqësorin, por jo për të bërë katharsin e premtuar.

– Zoti Boçi, ngërçi i moszgjidhjes të Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH, kujt interesave i shërben? 
– Ngërçi i moszgjidhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH, nuk i shërben asnjë interesi opozitar, së paku. As vetë televizionit, nuk mendoj. Imponimi i zgjedhjes së personit të paracaktuar, për arsye dhe rrethana që nuk lidhen me një proces të ndershëm dhe ligjor, madje, duke imponuar dhe kërkuar dhe ndryshime ligjore alogjike dhe në kundërshtim me kushtetutën dhe konsensusin politik, sigurisht që i shërben interesave politike, personale e klienteliste afër mazhorancës. Këtu duhet kërkuar dhe origjina e tij, e ngërçit, pasi dihet mirë që kandidaturat e paraqitura për këtë post, janë me vokacion tërësisht të majtë, për shkak të historisë personale dhe angazhimeve politike të tyre. Anëtarët e mbështetur në zgjedhjen e tyre nga opozita e kanë shprehur qartë vullnetin e tyre për të respektuar plotësisht procesin dhe në asnjë rast nuk e kanë penguar apo bojkotuar atë, duke qenë se drejtori duhet të zgjidhej me shumicën të cilësuar të gjitha votave të anëtarëve të KDRTSH. Përkundër kësaj, përfaqësuesit e mbështetur nga maxhoranca, kanë mbetur frakturë të nominimit partiak. Pra, janë viktimë e urdhrit të ardhur nga lart, për të zgjedhur domosdo njeriun e Ramës, më saktë ish-kryeredaktorin e gazetës “Zëri i popullit” para viteve ’90. Do mjaftonte një lëvizje e vogël e tyre, profesionale dhe morale njëkohësisht që sot RTSH të kishte drejtorin e saj dhe mazhoranca, ndërkohë e pa shqetësuar, do kishte njësoj “njeriun e saj” në krye, pavarësisht se alternativi nuk ka qenë i lidhur me Zërin e popullit. E meta e tij, siç duket, është se “i ka dalë nga zemra” Ramës. Në fakt, personalisht mua më duket se “lepuri fle diku gjetkë”. Tek interesat që do shpërndahen aty që fillojnë nga milionat e eurove e shkojnë deri tek favoret e ditës, për të cilat Z. Malaj, Ramës i duket krejtësisht i papërshtatshëm. Ndryshe nuk ka shpjegim tjetër e gjithë kjo histori me ndryshime absurde të ligjit që të vijë me “se s’bën” në krye të televizionit publik një “xhaketë e vjetër”, nga e cila do na dilka “mrekullia” e reformimit të TV publik. Fatkeqësisht tek ne seleksioni “natyror” vepron nga e kundërta. Në përplasjen për afirmim fiton gjithnjë individi më i papërshtatshëm. Kriteri i besnikërisë personale partiake, prevalon mbi të gjithë kriteret.
– Ku manipulohet procesi i zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH? 
-Realisht po ndryshohen rregullat e lojës në mes të lojës dhe kjo është e papranueshme. Procesi i zgjedhjes së drejtorit ka konsumuar raundin e tretë dhe është në vazhdim. Dhënia e ligjit fuqi prapavepruese, e shprehur në marrjen në konsideratë të raundeve të zhvilluara, është një shkelje e rëndë kushtetuese e pandodhur dhe e vënë qartë në pah në dekretin kthyes të ligjit nga Presidenti. 
Ndërkohë ndryshimi i nenit përkatës 102, pika 3 synon transformimin e formulës së zgjedhjes nga shumicë e cilësuar në të thjeshtë, pas raundit të tretë. Kjo jo thjesht shkel frymën konsesuale të këtij ligji, por dhe anashkalon insistimin e vetë kësaj maxhorance, atëherë në opozitë, që zgjedhja e drejtorit ët RTSH të bëhej me shumicë të cilësuar të anëtarëve të KDRTSH. Është pak të thuash që këta për interesat e tyre “lëpijnë atë që kanë pështyrë”. Këtu vetëm emri i Gëllçit mungon pa u shkruar në fakt në ndryshim ligjor. Shpërfillja e mendimit të institucioneve ndërkombëtare BE, KiE, OSBE që kanë asistuar ligjin është tjetër shkelje e nivelit më shumë moral dhe etik. Por duket e vështirë të kërkosh moral në “kohëra kolere”. Manipulimi i bërë ndërkohë nuk është as fin. Tingëllon dhe reflekton “trashësi” dhe nxitim të plotë ligjor. E them këtë sepse ndryshimi i bërë në nenin 102 pengohet në zbatimin e tij në formën siç këta e kërkojnë, për shkak se të nenit 99, pika 6 që përcakton organizimin e KDRTSH. Kjo pikë thekson se “Vendimet e KDRTSH-së për miratimin e rregullores së veprimtarisë së tij, statutin e RTSH-së dhe emërimin ose shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm quhen të miratuara, kur për to votojnë pro jo më pak se 7 anëtarë”. Siç shihet, shumica e cilësuar mbetet ende në fuqi, pavarësisht ndryshimit të bërë. Pra, megjithë “djersën e derdhur” për nenin 102, këtyre do i duhet që të sjellin ndoshta për ndryshim dhe nenin 99, pasi pengesa ligjore është e qartë dhe me një ankimim të thjeshtë administrativ i gjithë procesi konsiderohet i pavlefshëm. E them ndoshta pasi mund të ndodhë, siç ka ndodhur gjithmonë në raste të ngjashme në këto tre vite, që gjithçka të bitiset siç është nis. “Nallbançe”! Pa pyetur as për ligj e as për kushtetutë.
– Cili është vlerësimi juaj për procesin e zgjedhjeve të rektorëve dhe dekanëve të Universiteteve Publike? Politika a ka ndikim? 
– Procesi zgjedhor në Universitete Publike po zhvillohet mbi bazën e një rregullore të shkruar me nxitim dhe të korrektuar politikisht, rast pas rasti, për të gjitha ato pozicione që kanë impakt dhe rëndësi specifike në ndikime t e tyre të ardhshme politike. Mjafton të themi që në harkun kohor të një jave ajo ndryshoi katër herë për të ardhur në gjendjen aktuale të veprimit. Aty u hoqën e u vendosën kritere sipas orekseve dhe preferencave për njerëz e individë të veçantë. Përjashtuan nga gara konkurrentët të aftë dhe i dhanë të drejtë ndonjërit i cili është në prag të fikjes së karrierës akademike. Studentët përjetojnë një çorientim të plotë në zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre në senat, pasi rregullorja pothuaj i emëron. Ndërkohë që penalitete si ai i pastërtisë së figurës në raport me regjimin e së shkuarës, nuk janë marrë fare në konsideratë nga komisionet e vlerësimit të kandidaturave. Madje do thoja që rregullorja është e shpallur dhe në kundërshtim me vetë ligjin e Arsimit të lartë, pasi shumë nga dispozitat kalimtare parashikonin përputhjen e plotë të strukturës së Universiteteve publike në raport me kërkesat e ligjit të ri. Gjë që nuk është bërë. Vetëm pas kësaj përputhje, pas akreditimit të tyre, pas përcaktimit të strukturës së tyre, duhet të ishin bërë zgjedhjet. Kohësisht, kjo është penguar jo nga Universitetet, por nga mosdalja e akteve nënligjore të ligjit të ri. Paaftësinë dhe dembelizmin e vet, Ministria kërkoi t’ia kalojë me imponimin e zgjedhjeve, duke u justifikuar tek afati ligjor i mandateve. Nga mënyra se si është formatuar komisioni i apelimit dhe mënyra, se si po komportohet ministria në këtë proces, duket qartazi që politika nuk po qëndron duar jashtë. Presionet politike të pushtetit në fakultete dhe universitete të veçanta janë evidente dhe bëhen pa asnjë lloj hezitimi. Metodat e rrëmbimit të votës si pjesë e “ustallëkut” të tyre, me presione, favore, premtime po përdoren gjerësisht. Shpesh të krijohet përshtypja se zgjedhja nuk do bëhet në godinën së fakultetit, apo të universitetit , por të PS. Këta duan t’i përdorin universitetet, si baza nisje për marrje e manipulim vote politike në të ardhmen e afërt dhe po investohen pa kursim. Unë e konsideroj skandaloz procesin në njësi të veçanta, i cili po përbaltet, megjithë kundërshtitë e sinqerta të Stafeve Akademike, të cilat realisht kërkojnë që politika të distancohet.
– Cili është produkti i Reformës së Arsimit të Lartë? 
– Është e vështirë të flasësh për produkt reforme në Arsimin e Lartë. Këtu jemi para një deformimi dhe kaotizmi të plotë, ku askush nuk e di se çfarë do ngjasë. Kanë tre vite që dallojnë fjalën reformë dhe ja ku jemi sot. Universitetet publike janë në udhëkryq të plotë. Të paakredituar dhe të paorientuar. Pedagogët në një pasiguri e përçmim total. Korrupsioni lulëzon kudo. Diplomat “falen”, jepen, shpërndahen pa asnjë cifël cilësie të rritur dhe pa asnjë destinacion punësimi. Tarifat janë rritur në mënyrë galopante. E vetmja ngjarje është heqja e maturës shtetërore e vendosja nga Kryeministri e mesatares. Se çdo ndodhë pas kësaj ministria rri e po e vëzhgon, ndërkohë që pasoja negative i ka dhënë shenjat e para, me çorganizimin e organizuar të Agjencive që nuk po duken në horizont. Maturantët janë kapur mat me ndryshimet e befta dhe falë optimizmit moshor po përballojnë stresin e një situate pa kuptim, të mbjellë nga paaftësia e një ministrie dhe qeverie të tërë. 
– Përse ende nuk bëhet dekriminalizimi i Parlamentit? 
– Me shumë pengesa procesi sapo ka nisur. Formularët e parë kanë nisur të dorëzohen, por nuk mendoj se kjo është e mjaftueshme për të shprehur optimizëm. Maxhoranca vazhdon të tregojë që nuk ka vullnet ta zbatojë ligjin e dekriminalizimit dhe përkundër kësaj demonstron me akte konkrete, përkrahje të fortë politike për individët, që janë objekt i drejtpërdrejtë i këtij ligji. Hezitimi i saj, për të miratuar amendimet e kërkuara me të drejtë nga ne dhe promovimi i vazhdueshëm që i bëhet politikanëve lokalë e qendrorë nga Kryeministri, tregojnë qartë që kjo mazhorancë ndjek një axhendë krejtësisht tjetër përtej këtij ligji. Ajo e mban në sqetull krimin e miklon, e favorizon në mijëra forma e mënyra me qëllimin e thjeshtë për ta ndërsyer e përdorur në fushatën e radhës. Do përdorë sigurisht kamuflazhin. Ndonjë, nga parlamenti do e kalojë në Parti siç dhe e ka bërë. Një tjetri ofertën politike do ja këmbejë me ofertë ekonomike dhe ja ku u krye gjithçka. Personalisht unë nuk shoh ndonjë shenjë serioze që kjo maxhorancë të nisë presë degën ku është ulur, “krimin”. Nuk e bën, jo se i duket vetja si majmuni i degës, por sepse nuk pranon të zbresë nga aty. Ndjehet ngrohtë dhe mirë. Aq më tepër që kreu i saj, pa mbështetjen e krimit, nuk bën dot asnjë hap para. Nuk e bën dhe se misioni i saj nuk është Shqipëria, por është interesi personal, nuk është e mira e qytetarit, por e mira e skotës dhe sektit që ka kapur vetë maxhorancën. 
– Mos vallë konsensusi që kërkohet për Reformën në Drejtësi është kompromisi që kërkohet midis Maxhorancës dhe Opozitës për të balancuar interesat e tyre politike? 
– Në bindjen tonë, konsensusi i kërkuar nga ne është i orientuar drejt cilësisë së produktit të kësaj reforme dhe jo drejt plotësimit të interesave të balancuara politike. Opozita të vetmin interes në këtë proces ka realizmin e ngritjes së një drejtësie të vërtetë dhe të pavarur politikisht. Të një drejtësie e cila nuk merr “avdes” tek kryeministri dhe tek ryshfeti, në dhënien e saj. Njëkohësisht ai, konsensusi është gardiani i moskapjes së drejtësisë nga maxhoranca politike, e cila po përdor mijëra truke e marifete që ta zaptojë dhe ta kontrollojë plotësisht atë. Një gjasë e tillë do shënonte dhe fundin e demokracisë, të lënduar tashmë në shumë drejtime. 
– Cili shqiptar sot mund të besojë se konsensusi midis Maxhorancës dhe Opozitës për Reformën në Drejtësi është se do ekzistojë vullneti politik për drejtësi nga Gjyqësori?
– Vullneti politik, jo gjithmonë buron nga dëshira, por dhe nga detyrimi. Ne këtë jemi duke bërë, duke i imponuar maxhorancës vullnetin e munguar që të prodhojmë një reformë, që ngjall besim tek qytetari. 
– Zoti Boçi, ju mendoni se ka politikanë shqiptarë, qoftë nga opozita, qoftë nga maxhoranca, që kanë fshehur pasuri në offshore në vende të ndryshme të Botës? 
– Sipas një raporti jo zyrtar të organizmave ndërkombëtarë në vend, kryeministri ynë zotëron një pasuri 200 milionë euro, të cilën e ka të investuar në offshore.
Sigal