Luçiano Boçi: Pr/ligji për Arsimin e Lartë, klientelist, dëmton autonominë dhe cënon lirinë akademike

441
Nesër Kuvendi diskuton projektligjin “Për Arsimin e Lartë”, i cili është kundërshtuar fort nga rektoratet dhe studentët, por edhe nga opozita. Luçiano Boçi, shefi i departamentit të Arsimit të PD dhe relatori i këtij projektligji, në intervistën për gazetën “Telegraf” shpjegon se cilat janë kundërshtitë e PD, të rektoratit, të studentëve për këtë projektligj, dhe 10 të këqiat të cilat do ta shkatërrojnë rsimin e Lartë publik, deri në falimentimin e universiteteve publike. 
– Zoti Boçi a ishte opozita palë në diskutimin e pligjit për Arsimin e Lartë?
– Ne kemi shprehur qartazi qëndrimin tonë të argumentuar, kundër këtij projektligji dhe kemi marrë pjesë aktive përgjatë gjithë procesit të diskutimit të tij në komisionet përkatëse, përfshirë seancat dëgjimore me grupet e interesit si dhe shqyrtimin nen për nen të tij. Madje, në këtë etapë të fundit, kemi qene tepër konsistentë në kërkesat tona për të ndryshuar thelbësisht, nene dhe paragrafë të tërë, të cilat kanë ngjallur sot dhe reagimin e botës akademike dhe të grupimeve të ndryshme studentore.
Propozimet e PD për projektligjin “Për Arsimin e Lartë”
– Ju çfarë jeni propozuar dhe sa u morën në konsideratë propozimet tuaja në këtë pligj?
– Propozimet tona kanë qenë të shumta dhe kanë lëvizur nga rregullime teknike deri në ndërhyje thelbësore. Në terma konkretë, kemi kërkuar ndryshimin e atyre neneve që i jepnin më shumë kompetenca bordit të administrimit në dëm të vendimarrjes së organeve akademike si Senati, apo Rektorati. Gjithashtu, insistuam në heqjen e varësisë shtetërore të agjensive të krijuara, sidomos të AFKAL dhe ASCAL, të cilat sipas neneve të këtij ligji në përbërjen dhe funksionimin e tyre rregullohen ose me VKM, ose me vendim të Ministrit përgjegjës. Bërjen e tyre autonome e kemi konsideruar si të domosdoshme për të garantuar autonominë universitare dhe për të minimizuar ndërhyrjen dhe kontrollin politik-shtetëror në IAL-të. Përfaqësimi i studentëve në organet vendimarrëse ka qenë pjesë e shqetësimeve tona. Kemi insistuar në rregullimin e atyre neneve që rrisin prezencën studentore, jo vetëm e thjesht brenda organeve akademike, por dhe administrative. Madje, edhe në Bordin e administrimit, përderisa ata janë dhe bëhen akoma më shumë financuesit kryesorë të IAL-ve. 
Ndërkohë nenet që ndikojnë drejpërdrejtë në rritjen e tarifave të studimit kanë qenë pjesë e ndryshimeve të kërkuara, pavarësisht insistimit të mazhorancës për të mos i prekur. Në strukturën e Universitetit kemi kërkuar rishkrim të neneve që përcaktojnë domosdoshmërinë dhe rolin e Këshillit të Fakultetit, si organ kolegjial kryesor dhe të Këshillit të Profesorëve. Kalimi i kompetencave të tij brenda komisioneve me frekuecë të shpeshtë mandatesh duket e pajustifikuar dhe dobësim i rolit të profesoratit. Zhvendosjen e fakultetit në një plan të dytë në raport me departamentin, e kemi arsyetuar të parakohshëm dhe jo efikas, perderisa brenda tij nuk sanksionohet qartë ligjërisht detyrimi për të ndërtuar grupet mësimore-shkencore. Për nenet përkatëse kemi sjellë propozimet tona. Kolegjet Universitare i kemi kundërshtuar si lloje, pasi ato thjesht përfaqësojnë një hap eleminues të Universiteteve aktuale të rretheve dhe nuk i shërbejnë synimeve për cilësi të arsimit të lartë. Për pedagogun kemi kërkuar garantimin pagës që kjo të ishte pjesë e grantit të pakushtëzuar dhe jo varësi e vendimeve të bordeve të administrimti të vetë universiteteve. Gjithashtu dhe çështjet e sigurimit të karrirës së tij akademike, të vlerësimit të punës së tij shkencore dhe ato që lidhen me promovimin e personelit dhe kushtet e largimit të tij, i kemi pasur në vëmendjen e paketës sonë propozuese. Më tej, kundërshtim i më i fortë është përqëndruar për kreun XII, i cili lidhet drejtpërdrejt me skemën e re të financimit të Universiteteve dhe që detyron shndrrimin e IAL publike në IAL Publike të Pavarura dhe njëkohësisht të një pjese të IAL jopublike me dëshirë, në Publike të Pavarura. Pjesë e dikutimeve ka qenë dhe kredia studentore, për të cilën kemi kërkuar përcaktim ligjor më të saktë në lidhje me skemën dhe garantimin e saj nga ana e shtetit. Evaziviteti i përcaktimit të saj, lë shumë vend për abuzim dhe aplikimi i menjëhershëm, si për studentët e IAL publike dhe atyre IAL private do të krijojë problematika që rëndojnë mbi studentët.
Ja çfarë kërkuan rektorate dhe studentët
– Po universitetet rektoratet e studentët a u ftuan ne diskutimin e pligjit? U morrën parasysh kontestimet e tyre?
– Pothuaj të gjithë Universitetet publike dhe jopublike treguan interes ndaj thirrjes sonë për degjesa. Nuk munguan dhe grupet studentore si dhe Forumet akademike. Ne si opozitë i kushtuam vëmendjen dhe respektin e duhur, gjë që nuk mund ta them për mazhorancën, e cila u tregua disi indiferente. Shqetësimet e ngritura prej tyre ishin të natyrave të ndryshme, që lëviznin nga kërkesat për mos cënim të lirisë akademike e deri në rishikim të strukturës universitare e të kompetencave akademike të cënuara. Megjithatë evidente ishte se përgjithësisht konvergonin në një pikë: në mospranimin e tipit IAL Publik i Pavarur dhe në kundërshtimin e rritjes së tarifave për studentët. Madje, Forumi për Liri Akademike paraqiti dhe një memorandum që mbante firmën e 220 pedagogëve të Universiteteve publike, të cilët në unison kundërshtonin projektligjin me argumente cilësore dhe bindëse. Ne në parashtrimet tona për ndryshim tona reflektuam pothuaj tërë gamën e shqetësimeve të tyre. Me keqardhje u konstatua se mazhoranca nuk lëvizi për asnjë arsye nga pozicioni i saj, duke refuzuar jo pa nëncmim, propozimet e ardhura nga këto grupe interesi.
Të këqiat e propjektligjit- sipas PD dhe rektoratëve e studentëve
– Ku e kundërshtojnë rektoratet e studentët këtë pligj?
– Për ta, projektligji dëmton autonominë universitare dhe cënon lirinë akademike. Ai ul ndjeshëm rolin parësor të vendimmarrjes akademike dhe në shumë raste ja nënshtron këtë vendimeve të një bordi me përbërje shtetërore. Projektligji ndërton një rrjet burokratik të agjencive, që më shumë janë drejtori në varësi të ministrisë, të cilat atrofizojnë dhe trysnojnë inisiativën universitare dhe punën kërkimore shkencore duke ja nënshtruar këtë preferencës politike. Studentët goditen në tarifa dhe roli i tyre si financues parësor nuk pasqyrohet në përfaqësimin e tyre brenda organeve vendimmarrëse. Pligji ul aksesin dhe detyron të rinjtë shqiptarë të emigrojnë drejt universiteteve të huaja. Univeristetet publike dhe pedagogët braktisen dhe i dorëzohen tregut për të luftuar se kush do marrë më shumë studentë dhe jo se kush do japë dijen më të mirë. Kërkesa për shndërrim në IALPP i fut universitetet në një rrugë pa krye brenda një modeli që nuk dihet se nga vjen, i cili nuk përputhet me traditën tonë më të mirë dhe atë europiane. Diskriminimi i IAL publike sanksionohet. I braktisur nga qeveria, Universiteti publik vendoset para rrezikut për të falimentuar dhe jopubliku gjendet në pozitë më të avantazhuar në raport me kuotat dhe me fleksibilitetin e konkurrencës së tregut.
– Po opozita ku e kundërshton?
– Në të gjitha parashtrimet e paraqitura më lart kemi listuar kundërshtitë tonat, të cilat dukshëm nuk janë vetëm tonat, por të gjitha grupeve të interesit. Ato nisen nga filozofia që e mira publike e arsimit të lartë transmetohet kryesisht dhe thelbësisht nëpërmjet një shërbimi publik. Këtë shërbim më së shumti e ofron IAL publikë. Hibridet, as publik e as privat, ose dhe publik dhe privat, siç janë IALPP-të, nuk besoj se ofrojnë zgjidhjen e duhur për Arsimin e Lartë. Financimi në arsim arrihet së pari nëpërmjet rritjes së përqindjes së PPB për Arsimin e Lartë që është detyrim kushtetues i çdo qeverisje dhe jo nëpërmjet rrjepjes së dëshirës së shqiptarëve për të pasur breza të arsimuar.
– Sa vlerë zbatuese mund të ketë ky projektligj Për Arsimin e Lartë kur ai kundërshtohet nga vetë rektoratet e studentët?
– Këtë vlerë duhet t’ia kërkojmë atyre që e insistojnë këtë dhe që vënien në udhëkryq të Arsimit të Lartë e konsiderojnë etapë të një reformë “madhore”, e cila në thelb është dhe mbetet as reformë dhe as madhore. Thjesht është klienteliste dhe mbytëse.
– Faleminderit!
Sigal