Luçiano Boçi: “Lufta ndaj korrupsionit, prioritet i axhendës së qeverisë”

421
Sigal

INTERVISTA/ Luçiano Boçi, deputet i PD-së: “Kërkesat e PS-së, dëshira negativiste për të penguar me çdo kusht marrjen e statusit”

Ndërsa ditët për afatin e plotësimit të tre kushteve të statusit kandidat po skadojnë, palët politike, edhe më me fanatizëm partiak, mbrojnë tezat e tyre politike, që divergojnë nga pikëqasja e mirëkuptimit. Një pyetje madhore pret përgjigje nga PD-ja dhe PS-ja: Në qoftë se dështon për herë të tretë dhënia e statusit kandidat, a mundet PD-ja dhe PS-ja të shfajësohen te shqiptarët se kujt do t’i varin këmborë, përgjegjësitë? Këtë pyetje i jep një përgjigje deputeti i PD-së, Luçiano Boçi në intervistën për “Telegraf”.

– Zoti Boçi,  si i kanë ndjerë politikanët  përgjegjësitë, që Shqipërisë i është dhënë një status me kusht?

– Miratimi i rekomandimit për dhënien e statusit me kusht është një procedurë e zakonshme e KE-së, e cila paraprin dhënien e statusit dhe synon të nxisë shtetet aspirante që  këto të fundit të thellojnë reformat e kërkuara në fusha specifike. Kështu është vepruar p.sh me Serbinë, në lidhje me dialogun që kjo e fundit duhet të instalonte me shtetin e Kosovës, sikurse u veprua dhe me Malin e Zi, të cilit ju vendos kushti i reformimit të kodit zgjedhor dhe të miratimit të disa ligjeve të rëndësishme, me impakte domethënëse në funksionimin e shtetit ligjor. Nga ky rregull i pashkruar nuk bëri sigurisht përjashtim dhe Shqipëria, klasa politike e së cilës, megjithë progresin e shfaqur në komunikimin politik, vazhdon, për shkak të pjesës së majtë të saj, të konsumojë një luftë politike të paprinciptë, të inspiruar nga interesat e ngushta arriviste të oligarkëve ramiste. Kushtet që kërkojnë të nxisin pikërisht atë që është minuar me dashje nga lidershipi i PS-së, bashkëpunimin politik për interesat kombëtare, normal që rrisin përgjegjësitë e tërë klasës politike. Por kjo përgjegjësi nuk është reflektuar në mënyrë të barabartë nga krahët dominantë politikë, pasi lëshimeve tona për rregulloren e parlamentit, thirrjeve tona për të punuar për të mirën e vendit, PS-ja vazhdon t’i vendosë përballë një kusht sa qesharak aq dhe politikisht të pajustifikueshëm, atë të qarkut të Fierit. Në këtë rast ato mundohen që papërgjegjshmërinë konstante, të treguar përgjatë këtyre viteve, t’i veshin sot një petk, me demek, ligjor, prapa të cilit dukshëm gëlon dëshira negativiste për të penguar me çdo kusht marrjen e statusit.

– A nuk ka një kontradiktë të madhe midis dëshirës dhe vullnetit të shqiptarëve që 21 vjet kërkojnë  të integrohen në BE dhe  PD-PS, të cilat janë bunkerizuar në politikën partiake, derisa nuk zgjidhin dot ngërçin e 3 reformave të statusit kandidat?

– Kontradikta realisht ekziston dhe ajo është midis dëshirës së madhe të shqiptarëve dhe midis pengestarëve majtistë, të cilët asnjëherë në historinë e këtij vendi nuk janë bërë dhe nuk priten të bëhen pendestarë. Filozofia politike e sotme e kësaj force politike nuk përputhet aspak me aspirata e kahershme të shqiptarëve. Dhe kjo kontradiktë nuk është aspak e re dhe nuk është as parimore as matematikë ligjesh që presin miratim. Ajo është sa historike, aq dhe aktuale. Pak a shumë është mënyra se si ekziston kjo parti-grup. Për të kuptuar këtë mjafton të bëjmë historinë e shkurtër të komportimit të saj përgjatë këtyre tre viteve të fundit, e cila është e mbushur me sharje, qarje, përdëllime hipokrite, pengesa pa fund, aksione revolucionare, veprime anarkike, si një shumatore e refleksionit të mungesë së karakterit kombëtar të lidershipit të një force politike që gjithmonë ka sakrifikuar në altarin e shenjtë të kombit interesin kombëtar për hir të interesit të ngushtë partiak dhe personal.

– Hedhja e përgjegjësive te fusha e kundërshtarit politik, derisa pohoni që maxhoranca, pjesë e së cilës jeni, e ka bërë detyrën e vet, a mund t’ju përligjë përpara elektoratit tuaj, në rast se dështojnë 3 reformat e kushtëzimit të statusit kandidat?

– Përgjigjen e përligjës ne e lemë gjithmonë në dorë të elektoratit, i cili me mençurinë e tij vazhdimisht ka qenë një hap para politikës. Ajo që ne e duam sot nuk është përligja, pasi nuk ka qenë kjo lufta jonë. Ajo që ne duam është marrja e statusit, pasi kjo ka qenë beteja jonë e përbashkët me shqiptarët dhe mbetet ëndrra dhe sfida jonë themelore. Për të parë dhe gjetur sot fajtorin dhe penguesin e marrjes së statusit në rast se kjo ndodh nuk besoj se duhet shumë mund e mend. Atë e kemi pasur gjithmonë pengesë dhe ai do mbetet gjithmonë i tillë. Dhe ky nuk është as Fieri, as ligji “X” dhe as prioriteti Ypsilon. Është Rama si mbartës i asaj çka ai përfaqëson.

– Një opinion është se PD-PS mundohen që, me 12 prioritetet, të përfitojnë kapital politik partiak dhe pak interesohen për të mirën e përgjithshme të shqiptarëve dhe Shqipërisë, në procesin e integrimit. Kjo shpjegohet me shkallën e ulët të emancipimit demokratik?

– Ka një lloj mospërputhje midis deklaratave të vazhdueshme që ka bërë PS-ja, sipas së cilave, PD-ja kërkon ta shfrytëzojë marrjen e statusit për interesa zgjedhore dhe deklaratës më të fundit, sipas së cilës ai që nuk e do statusin, është pikërisht Berisha. Kjo mospërputhje shfaq qartë një mungesën e orientimit të plotë politik të kësaj force, ndërkohë që maxhoranca vazhdimisht e ka bërë të qartë që marrja e statusit nuk është arritje thjesht e politikës në tërësi, por në radhë të parë e vetë shqiptarëve. Ajo është deklaruar që ky sukses nuk është kartabiankë zgjedhore para se të jetë arritje e tërë spektrit politik, brenda të cilit kontributet janë të matshme dhe konkrete. Brenda kësaj situate, PS-ja në vend që të vendosë dhe ajo dorën në ngritjen e trofeut, vazhdon të tërheqë me forcë dorën që kërkon me ngulm ta ngrejë atë. Një komportim i tillë tregon jo thjesht mungesën e emancipimit të saj, por akoma me keq, dëshmon kthimin mbrapa të saj, në një mentalitet që gabimisht ne e kishim menduar të fshirë në mendimin e veprimin politik.

– Kryeministri Berisha, mesazhin e zonjës Clinton për bashkëpunim e deshifroi: “Ftojmë opozitën të vijë e të miratojë tre kushtet e statusit”, ndërsa Edi Rama, tha: “Zonja Clinton dëgjoi zërin tonë, derisa theksoi domosdoshmërinë e zgjedhjeve të lira në 2013”. Mos vallë politikanët tanë i kuptojnë dhe interpretojnë demokracinë, sipas interesave të politikës partiake?

– Deshifrimi i parë, ai i Kryeministrit ishte real, konkret, i drejtpërdrejtë, ndërsa ai i dyti, i Ramës ishte hipokrit, justifikues, spekulativ. Demokracia dhe interpretimi brenda saj sigurisht që reflekton interesa politike, por mbi të gjitha vendos interesin e votuesit. Këtë Rama ende nuk e ka kuptuar, megjithëse mundohet të elaborojë një gjuhë politike, në dukje demokratike, por që në thelbin e saj, mbetet narciste dhe jo komunikuese.

– Kritika më e fortë që i bëhet Shqipërisë është korrupsioni. Pajtoheni se mungesa e vullnetit politik shpjegon përse deri tani ne kemi dështuar?

– Lufta ndaj korrupsionit mbetet një sfidë e përhershme e shoqërive demokratike dhe vazhdon të jetë ndër prioritet kryesore të axhendës së qeverisë. Ajo mbetet gjithmonë permanente. Pengesa politike ka pasur, sidomos në drejtim të disa ligjeve, që e shtrijnë luftën e tij brenda vetë politikës, të cilat jo më larg se para një muaji u dëshmuan me hezitimin e opozitës për të votuar ligjin për kufizimin e imuniteteve. Por këto, me vullnet e dëshirë nga maxhoranca, janë rrëzuar dhe rezultatet pozitive janë të pritshme. Politika duhet të jetë dhe mbetet inkurajuesja dhe pse jo, iniciatorja e vazhdueshme e kësaj lufte, si një nga armiqtë kryesorë të demokracisë.

– Faleminderit!