Luçiano Boçi: Kryeministri Rama është problemi dhe personi i padëshirueshëm për kancelaritë e mëdha evropiane

399
Sigal

Luçiano Boçi, ish-deputet i PD-së

Reagimet e Ramës ndaj mediave ndërkombëtare, dëshmojnë gjendjen e rënduar psikike të tij përballë një diskreditimi të pashmangshëm dhe tentativën e tij të dëshpëruar për të mos pranuar asnjë akuzë të faktuar ndërkombëtarisht

Kryeministrit Rama është person i padëshirueshëm për kancelaritë evropiane

Jakup B. GJOÇA

Luçiano Boçi, ish deputet i PD-së në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se, qeveria transitore do të jetë garancia për proces të pranueshëm, të mirëbesuar dhe të ndershëm zgjedhor. Zoti Boçi, duke ilustruar qëndrimin e ambasadorit të OSBE-së në Tiranë pohon se diplomatët e huaj në Tiranë kanë përgjegjësinë që gjuhën diplomatike e njësojnë me gjuhën e qeverisë. Zoti Boçi thotë se protesta e 25 Majit do të jetë më e madhja, ndërkohë, që pohon se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen edhe me një sistem të ri elektoral.

-Zoti Boçi Kryeministri Rama kur u pyet për shkrimin e “Bild” për Shqipërinë u përgjigj se ” Unë nuk lexoj pisllëqet”, ndërkohë kur u pyet nëse është dakort për reagimin e deputetes Socialiste Gjylameti e cila tha se “Bild” u pagua nga Opozita Shqiptare, Rama tha se nuk deputetja nuk e pyeti. Cilin pohim të kryeministrit të besojmë?

– Janë një seri mediash të shkruara e televizive reputative e të njohura të vendeve perëndimore, përfshirë “Bild”, “The Guardian”, “Zërin e Amerikës”, “ZDF”, “RAI”, të cilat kanë kryer investigime të imtësishme për lidhjet e ngushta të krimit me pushtetin në Shqipëri dhe rolin e kësaj dyshe në menaxhimin e proceseve zgjedhore. Sikurse kjo ka ndodhur dhe për korrupsionin galopant, kanabizimin e rolin e vendit tonë në tranzitimin e drogave të forta dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Konkluzioni i tyre është tronditshëm i njëjtë. Në Shqipëri ka një simbiozë të fuqishme të krimit me politikën dhe vendi është në duar e organizatës së gangsterëve modernë, të cilët kanë rrëmbyer logon e një partie politike dhe kanë uzurpuar shtetin. Akuzat i drejtohen drejtpërdrejtë kryeministrit aktual, i cili pothuajse është sot një person i padëshirueshëm për pjesën më të madhe të kancelarive evropiane. Reagimet e Ramës ndaj këtyre mediave, dëshmojnë gjendjen e rënduar psikike të tij përballë një diskretitimi të pashmangshëm dhe tentativën e tij të dëshpëruar për të mos pranuar asnjë akuzë të faktuar ndërkombëtarisht dhe të denoncuar publikisht me fakte nga opozita. Gjuha e tij ndaj tyre i ngjan gjuhës së asaj prostitutës, e cila ndalohet për aktivitet të paligjshëm dhe mbron veprimin e saj ilegjitim. Rama ka kohë që pretendon në këtë pozicion, se e vërteta kalon vetëm përmes ERTV-së së tij antiligjore dhe zyrës së tij të propagandës pranë kryeministrisë. Çdo lajm tjetër, analizë apo editorial që shmang këto zyra, është për Ramën pjesë e kazanit dhe e pisllëqeve që gatuhen kundër tij dhe qeverisë së tij të ndritur. Deri në momentin kur pjesë e sulmeve të tij ishin mediat shqiptare ai ndjehej komod. Kjo pasi me fijet e pushtetit, ai ka gati dhe ndëshkimin për to, të cilin kërkojë ta bëjë si me “xhandarët” institucionalë ashtu dhe me ndërhyrje ligjore idiote, por ka gati dhe miklimin për to, me shpërblime sipas gjendjes së motit psikik dhe zgjedhor. Me mediat ndërkombëtare “i ka ngecur sharra në gozhdë”. Ndikimi i tyre është shumë i madh dhe kundërpërgjigjet e tyre janë çarmatosëse, pasi amplifikojnë e shtojnë më shumë dozat e akuzave. Prandaj ndaj tyre në momente të vështira, urdhëron njëkohësisht kamikazët e vet plagjiaturistë të recitojnë qëndrimin e tij, siç bëri me Gjylametin. Të besosh akuzat e Ramës e justifikimet e tij, i cili blerjen e medias e shantazhimin e saj e ka mjet pushteti dhe që të vetët i trajton si çirakë të rëndomtë partie, është më shumë se absurd.

– Pse kritikat e mediave evropiane për ngjarjet e fundit në Shqipëri janë diametralisht të kundërta me deklaratat zyrtare të ambasadave në Tiranë e disa krerëve të BE-së?

– Janë të ndryshme, mendoj, jo të kundërta. Nuk mund të kërkojmë që atë që bëjnë mediat ta bëjnë me të njëjtin regjistër dhe ambasadat. Janë entitete të cilat kanë shumë diferenca nga mënyrat që përdorin për të thënë e transmetuar faktet e për të thënë të vërtetën. Brenda gjuhës së imponuar diplomatike është e vërtetë që një pjesë e ambasadave kanë heshtur për gjendjen e korrupsionit e krimit në Shqipëri, sikurse ka nga ato që në raportet e tyre dhe të dhënat e transmetuara kanë dëshmuar gjendjen e vërtetë. Deklaratat e tyre neutrale, ose përkrahëse respektojnë disa protokolle qeveritare deri diku të detyrueshme, por aspak justifikuese. Megjithatë, me mënyrat e veta dhe ato janë të detyruar ta paraqesin të vërtetën në masa të duhura. Subjektivizmi i personave brenda tyre që hartojnë raporte, apo bëjnë deklarata është evident e shpesh ka ndodhur që e vërteta për një kohë të pacaktuar të mungojë. Kjo u pa dhe në deklaratat e OSBE-së, për dhunën në protestën ë datës 11 Maj, ndryshimi i së cilave brenda një kohe të shkurtër, ishte një përsëritje e ndryshimeve të deklaratave të 2015 të zotit Borchard, për 2 miliard lekë droge që rrezikonin blerjen e votës, në zgjedhjet e atëhershme lokale. Nga akuzuese për qeverinë ato u transformuan në mbrojtëse për të. Mos harrojmë njëkohësisht që Rama e shpura e tij investojnë në forma dhe aligjore, që opinionet e shprehura publikisht të jenë në formën e klisheve që nuk përputhen me të vërtetën. Nga ana e saj, media perëndimore në dallim nga ambasadat, nuk është e futur brenda kostumit diplomatik të interesave të gjëra dhe të vogla dhe në ndryshim nga media tek ne, gëzon një liri dhe vlerësim me dimensione krejt të ndryshme. Si e tillë, ajo synon të vërtetat kudo ku ato qëndrojnë dhe janë fshehur. Qofshin në zyrat kryeministrore, qofshin brenda botës së krimit, apo në mes të arave me kanabis. Kjo bën që e vërteta mediatike për Shqipërinë të jetë bruto, ulëritëse, faktike, e prekshme, kurse ajo diplomatike të jetë e zmusuar, e lakuar shpesh me tendenca për të fshehur e për të mos i thënë të gjitha deri në fund, pse dhe jo, siç ka ndodhur kohët e fundit, të jetë krejt e papërputhshme me realitetin protestues, të krimit zgjedhor, të implikimit banditesk të qeverisë e arrogancës së strukturave shtetërore. Ky ndryshim nuk heq aspak përgjegjësinë diplomatëve të veçantë të cilët janë të afiluar pranë qeverisë e flirtojnë me të dhe gjuhën diplomatike e njësojnë me gjuhën e qeverisë. Por në fund përgjegjësia është tërësisht e tyre.

– Ju si e shpjegoni që ende ka shtete të BE që mbështetin qeverinë shqiptare edhe pse paralelisht Shqipëria cilësohet në raportet zyrtare të institucioneve ndërkombëtare si shteti i zhytur në korrupsion dhe qendra e trafikimit ndërkombëtar të drogave?

– Nuk është përkrahje e zgjedhur. Është etikë brenda një marrëdhënie institucionale qeveri-përfaqësi që prevalon si gjuhë komunikuese dhe që sheh më larg se vendi ynë për të harmonizuar interesat e stabilitetin në rajon. Kjo gjë nuk shmang kritikat por më shumë e vendos theksin tek inkurajimi i detyrave që duhet të përmbushë një qeverisje me qëllim që të ushtrohet presion dhe të kërkohet vullnet e angazhim për pikat themelore të luftës ndaj krimit të organizuar, drogës, terrorizmit e plotësimit të angazhimeve të shumta që ka marrë shteti shqiptar. Fakti që shumë raporte ndërkombëtare evidentojnë mosfunksionimin e shtetit për angazhimet e marra, evidentojnë korrupsionin, kriminalizimin e politikës, tregon që një pjesë e të dhënave për këto gjenerohen dhe nga zyrat e veçanta pranë këtyre përfaqësive. Pra jo gjithçka është bardh e zi dhe ka diferenca të mëdha midis asaj që mund të shprehet diplomatikisht dhe asaj që transmetohet si e vërtetë nëpërmjet kanaleve të tjera diplomatike.

– Protesta e 25 majit çfarë risi do sjellë në krahasim me 13 protestat e deritanishme?

– Protesta e 25 majit do të jetë një përshkallëzim i dukshëm i zemërimit popullor dhe i revoltës qytetare shumëdimensionale. Natyrshëm ajo pritet të jetë më e madhe në numër dhe më e fuqishme në aktet e shprehjes, brenda të cilave gëlon dëshira për t’i dhënë grushtin përfundimtar klikës së korruptuar dhe banditeske policore të Ramës

– A do të mundet Opozita të rrëzojë qeverinë vetëm me protesta disaorëshe në ditë të caktuar? Përse protesta nuk zhvillohet pa ndërprerje duke mbajtur të rrethuar paqësisht Kryeministrinë?

– Thelbësisht ajo që kërkojmë ne, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe jo pushtetit. Rruga e këtyre zgjedhjeve kalon domosdoshmërisht nëpërmjet largimit të Edi Ramës si kryeministër i kapur në vjedhje dhe në blerjen e votës, bashkë me sejmenët e tij në qeverisje dhe i qeverisë së dëshmuar në korrupsion e bashkëpunim me krimin. Prandaj, qeveria transitore është mekanizmi themelor për të siguruar e garantuar një proces të mirëpranuar e të ndershëm, i cili do të paraprihet nga vendime të rëndësishme që prekin si kodin zgjedhor ashtu dhe kuadrin ligjor që merret posaçërisht me proceset zgjedhore. Qëllimi është dhënia fund blerjes, trafikimit dhe marrjes së votës me dhunë. Vullneti i qytetarëve duhet të jetë i shprehur qartë dhe drejtë. Kjo është ajo që synohet të arrihet. Strategjia jonë e protestave e vendimet e forta politike kanë dhënë rezultatet e tyre dhe bindja ndër qytetarë që zgjidhja është afër, ka zënë vend dhe ka marrë përkrahje të gjerë. Shumica sot presin thjesht datën e largimit të Ramës që po vonon për shkak të rezistencës personale të tij si njeri jashtë realitetit politik dhe si individ me probleme të forta të personalitetit dhe të karakterit. Për të arritur këtë që të gjithë e presin, dhe nëse Rama vazhdon me teorinë e tij të tokës së djegur, nuk përjashtohet mundësia që nga protestat periodike ne të kalojmë në protesta permanente, të përditshme, formati i të cilave do të vendoset nga forumet drejtuese të PD dhe të opozitës së bashkuar.

– Derisa Opozita e Bashkuar nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore përse merr pjesë në KZAZ? Sikur procesi zgjedhor të mos manipulohet çfarë ndryshimi cilësor do të sjellë nga Bojkoti që Opozita i bëri?

– Zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë. Dhe ky nuk është slogan por është vendim i marrë nga shumica e shqiptarëve. Por kjo nuk do të thotë që aktivizimi ynë institucional zgjedhor të mbetet pasiv dhe vetëm i shprehur në protesta. Prezenca e përfaqësuesve tanë brenda KZAZ apo komisioneve do të bëjë të mundur marrjen e të gjitha atyre masave që çojnë qartazi në evidentimin e shkeljeve dhe vjedhjes së votës si dhe ndalimin e tyre. Sa për manipulimin ai është i tillë që në gjenezë të këtyre zgjedhjeve farsë që pretendohen. Është prezent në regjistrimin e partive politike, të kandidatëve për bashki apo të atyre për këshill bashkiak, si dhe në mënyrën e shpërndarjes së përfaqësuesve politikë. Faktet e falsifikimeve të firmave, e regjistrimeve jashtë afatit dhe aligjore, e dëshmojnë manipulimin. Madje në bashkitë me një kandidat të vetëm nga maxhoranca manipulimi është më ulëritës. Në këtë kontekst nuk do bëjmë llogaritë e vlerës së veprimit tonë, pasi ai sot i ka kaluar kufijtë e një bojkoti. Ai është refuzim ndaj vjedhjes dhe kontestim, sikurse është një aksion i gjerë për pamundësimin e këtyre zgjedhjeve që do varrosnin përfundimisht demokracinë dhe do sanksiononin në Shqipëri triumfin e regjimit. Këto zgjedhje, pavarësisht procedurave false të ndërmarra deri më tani, nuk kanë për t’u zhvilluar. Do pengohen me çdo mjet të mundshëm.

– Përse Opozita e Bashkuar nuk i ka dërguar OSBE një Notë Proteste kundër deklaratës së Ambasadorit të OSBE në Tiranë i cili tha: “OSBE do të njohë zgjedhjet vendore edhe pa Opozitën?”

– Deklarata e Ambasadorit e bërë nën emocion nuk besoj se do meritonte një notë proteste. Më shumë i shkon përshtat shpërfillja, sepse kjo tregon shumë qartë shkallën e absurditetit që ajo ka brenda. Mentalitet e ideologjive që ne i kemi lënë pas e që nuk duam të rikthehen, kanë gjurmët e tyre dhe përtej vendit tonë dhe shfaqen herë pas here, në mënyrë sporadike dhe si deklarata të tilla. Por përtej tyre, çdo njeri, apo politikan e funksionar diplomatik, e di se demokracia taksativisht është produkt i marrëdhënies mazhorancë-opozitë. Kur njëri nga elementet e binomit bie, atëherë nuk ka demokraci. Vetëm nën një regjim nuk konsiderohet opozita dhe mazhoranca bën si të dojë e çfarë të dojë, ndonjëherë fatkeqësisht duke pasur dhe një mbështetje situative ndërkombëtare. Këtë ambasadori e di shumë mirë, pavarësisht se i është dashur të tregojë më shumë mbështetje seç duhet, për arsye që vetëm ai i di.

– Nëse zhvillohen Zgjedhje të parakohshme parlamentare a e ka vendosur Opozita me çfarë sistemi elektoral do të zhvillohen? Me Kodin Zgjedhor aktual? Me lista të hapura? A është ky një kusht i pa negociueshëm i Opozitës që do t’i kërkojë mazhorancës?

– Një nga objektivat e ekzistencës së qeverisë transitore është dhe mundësimi i atyre ndryshimeve në kodin zgjedhor me të cilat partitë politike do të dakortësohen. Ndryshime që mund të prekin si vetë thelbin e sistemit ashtu dhe natyrën e listave, por dhe të aspekteve të tjera. Vetë PD ka nisur një proces të brendshëm të përzgjedhjes së kandidatëve sipas modelit të konservatorëve britanikë, ku roli i kryetarit pakësohet dhe roli i anëtarësisë dominon. Ne jemi të hapur dhe të gatshëm të dëgjojmë të gjitha kërkesat e partive aleate dhe t’i respektojmë ato për ndryshimet përkatëse. Ndërkohë, ne do të propozojmë e mbështesim pa rezerva të gjitha ato nisma që çojnë në dekriminalizimin e zgjedhjeve, propozimet e platformën e së cilës e kemi paraqitur, moslejimin e blerjes së votës, apo deformimit të saj. Njëkohësisht, i mbahemi kërkesave tona për mënyrën e financimit të partive politike si dhe të votimit e numërimit elektronik.