Luçiano Boçi/ Jam pro ndryshimit të sistemit elektoral aktual

400
Sigal

Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, në intervistën për “Telegraf”, kundërshton opinionet që PD-ja nuk përfitoi nga keqmenaxhimi i krizës së armëve kimike të Kryeministrit, duke argumentuar që PD-ja ishte ne unison me qëndrimin qytetar, dhe nuk e rrëmbeu flamurin e protestës, pasi ai i përkiste qytetarëve. Gjithashtu, zoti Boçi rrëzon edhe politikën e nxjerrjes së gjendjes ekonomike që gjeti  maxhoranca,  pasi raportet e BB-së, FMN dhe BE-së, tregojnë të kundërtën. Zoti Boçi hedh poshtë edhe hipotezat se brenda PD-së ka grupe dhe ç’ekulibrime politike, pasi ato ushqehen nga grupime politike antiopozitare. Zoti Boçi, është pro edhe ndryshimit të sistemit të sotëm elektoral, për të penguar edhe shitblerjen e deputetëve.

– Zoti Boçi, në keqmenaxhimin e krizës së armëve kimike nga Kryeministri, përse opozita nuk përfitoi politikisht?

– Ka dy interpretime për qëndrimin e opozitës: I pari është ai i integruar në fjalën e asaj dite dështimi të kryeministrit, sipas së cilës ishte opozita ajo që u bë nxitëse dhe mbështetëse e protestave mbarëqytetare, duke na armiqësuar kështu me aleatin tonë të madh historik SHBA. Ndërsa i dyti është ky i shprehur në pyetje, por në formë pohore, që opozita nuk e menaxhoi si duhet këtë krizë për të nxjerrë prej saj përfitimet e momentit politike. Dhe të dyja janë krejtësisht të pasakta, sepse e para kërkon të sfumojë gabimin fatal kryeministror ndaj qytetarëve dhe politikës së këtij vendi, ndërsa e dyta kërkon të anashkalojë faktin që qëndrimi i opozitës ishte në unison me qëndrimin qytetar. Përtej këtyre konsiderative in extremis, PD dhe grupi parlamentar e menaxhuan me kujdes këtë situatë delikate. Ky arbitraritet maksimal u denoncua plotësisht nga ne në shumë niveli ligjërimi- mediatik, politik e publik. Ne nuk mund të rrëmbenim flamurin e betejës, pasi ai i përkiste qytetarëve. Ne thjeshtë bëmë atë që duhet dhe do të bënte çdo opozitë në një vend demokratik normal,  u bashkuam me interesin publik në kohën dhe momentin e duhur, duke e konsideruar këtë bashkim si detyrim moral e qytetar dhe jo si arrivizëm politik. Një përputhje e tillë sigurisht e ngriti nivelin e alarmit të Kryeministrit dhe shumëfishoi frikën e tij ndaj protestës qytetare e cila performoi si kurrë si më parë ndonjëherë, me një qëndrim shembullor ndaj ndërhyrjeve të politikës. Tërheqja e tij e vonuar, normal që nuk ishte një dëgjim zëri mase, siç rreken ta interpretojnë preferentët e tij politikë, por thjesht ishte dëgjim i zërit  të brendshëm të frikës për humbjen e pushtetit politik. Ai që cenoi marrëdhëniet me SHBA dhe që tronditi besimin e qytetarit tek politika ishte personi që meqenëse nuk dinte të thoshte as po, as jo, tha vetëm P-JO! Pra ishte Kryeministri në detyrë.

– Në debatin parlamentar për buxhetin faktik të 2012-s, maxhoranca akuzoi qeverinë e shkuar se ka lënë të boshatisur arkën e shtetit, ndërsa opozita akuzon maxhorancën, se ka shpërdoruar financat që gjeti. A është ekonomia jonë në krizë dhe a ka rrugëdalje?

– Nuk ishte hera e parë që amplifikohej kjo akuzë nga maxhoranca. Dhe një gjë e tillë do jetë ende refren i vazhdueshëm i debateve e tryezave politike, pasi qëllimi i kësaj akuze është ndërtimi i një baze justifikuese, për të ndërhyrë me të dyja duart në arkën e shtetit dhe për të marrë borxhe të panevojshëm, luksesh, e harxhimesh për teka e salltanete qeveritarësh. Dhe këto i kanë bërë me ato para që i ishin akorduar dhe me ato që i vetëkorduan me një copë V.K.M-je, duke e çuar borxhin 70%, ndërkohë që kanë lënë pa para invalidët, shtresat në nevojë dhe pensionistët. Njëkohësisht, do ta përdorin si koperturë, siç po bëjnë, për të fshehur paaftësinë totale qeverisëse në mbledhjen e të ardhurave dhe në menaxhimin e tyre. Për të thënë që a është ekonomia në krizë, unë nuk do t’i referohem argumenteve shifrorë e faktikë të deklamuara ngaFMNdhe BB për treguesit stabël makroekonomikë dhe për rritjen e parashikuar, pasi janë thënë shpesh. Do të mjaftohem duke përmendur faktin që BE, për të miratuar dhënien e statusit të Shqipërisë, siç dhe bëri, merr në shqyrtim krahas të tjerave kriterin ekonomik, të vendosur si kusht paraprak, pa plotësimin e të cilit nuk ka hapa të mëtejshme. Dhe ky kriter është konsideruar prej saj, prej pothuaj një viti, si kriteri më i mirëpërmbushur nga Shqipëria. Ndërsa kriza, do shprehesha, ka filluar të ulet këmbëkryq pas veprimeve arbitrare që qeverisja e re bëri me borxhin e do bëjë ende me të, duke e rritur dhe më shumë. Rrugëdalja është tek ndryshimi i praktikave të derisotme të kësaj qeverisje, të cilat duket qartë,  se janë vjetërsuar ende pa u tharë firma e vetë kryeministrit të ri.

– Ndonëse zgjedhjet në strukturat e PD-së do të mbarojnë deri në dhjetor, deri tani asgjë nuk është dëgjuar të bëhet për këto zgjedhje. Ka zëra që thonë se ky proces ngadalësohet për shkak se brenda PD-së ka rryma të ndryshme  dhe ç’ekulibër politik. Cili është problemi?

– Opozita e PD është një realitet tashmë i pranuar, sipas parimit të rrotacionit normal politik, sikurse ajo në vetvete është një proces, i cili ka kurbën dhe mënyrën e vet të ngritjes dhe të organizimit. Reformimi i PD-së është elementi më i rëndësishëm, por njëkohësisht dhe jo kaq i menjëhershëm, pasi nuk është thjesht dhe vetëm çështje  ndërrimi emrash, por mbi të gjitha është çështje idesh të reja, projeksionesh të qarta, strategjish efikase, fryme koherente bashkëpunimi, etj. Në këtë kontekst, ky proces është në inicimet e veta dhe do marrë kohën e duhur dhe sigurisht do jetë përfundimtar dhe konkludiv. Hipotezat e ekzistencës së grupeve dhe ç’ekuilibrave politikë brenda PD, janë më shumë ego e dëshirave të grupimeve politike anti-opozitare, se sa realitete ekzistenciale.

– Në Qarkun e Elbasanit, cila është ecuria e këtij procesi?

Është si në të gjithë qarqet e tjera: në fazën e inicimit dhe reflektimit.

– Kryeministri Rama pohoi se është dakord që të bëhen ndryshime kushtetuese. Cili është qëndrimi i PD-së dhe ku mund të japë konsensusin, ose jo?

– Para se të jetë dakord, Ramës dikush duhet t’ja kërkojë. Normalisht opozita. N.q.s ai deklaron që është dakord me kërkesat e veta për ndryshime, ky është problemi i tij, pasi ne nuk e kemi kërkuar një gjë të tillë. Madje, sipas dhe pohimit të juristes të tij në Gjykatën Kushtetuese, ai këtë gjë mund ta bëjë dhe me një akt normativ, gjithmonë me kokën e vet!! Ndryshimet kushtetuese nuk janë vendime për lojra fati dhe si të tilla ato kërkojnë konsultime të gjëra dhe gjithëpërfshirëse politike. Dakortësia për to nuk është çështje numrash në parlament, por çështje marrëdhëniesh dhe marrëveshjesh politike që zakonisht i ftillojmë si konsensuse. Për këto ndryshime që ende janë të supozuara, PD do të shprehet në kohën dhe momentin e duhur.

– A ka brenda PD-së një politikë të studiuar, lidhur me  reformën e riorganizimit të pushtetit vendor?

– Kjo reformë ka vite që diskutohet në korridoret e politikës dhe të qeverisjes. Mungesa e konsensusit politik e ka shtyrë, pothuaj në kalendat greke, një gjë të tillë. Dhe normal që ne kemi alternativën tonë të mënyrës së organizimit, të cilën do ta ballafaqojmë me draftin e paraqitu,r për të cilin nuk mund të jepen tani për tani gjykime paraprake. Në këndvështrimin tonë, më emergjente se çdo gjë është zgjerimi dhe aplikimi i autonomisë së pushtetit vendor, i cili në këto tre muaj po shkon drejt një vdekje klinike, si rezultat i ndërhyrjes totale në kompetenca të organeve të qeverisjes qendrore.

– Përse deri tani PD-ja nuk ka shprehur asnjë opsion të saj? Apo, së pari, PD-ja do të shikojë draftin e projektit të qeverisë, për të shprehur qëndrimin e saj?

– PD nuk mund të paraqesë një opsion të saj alternativ, pa pasur një opsion konkret qeveritar. Ne kërkojmë ballafaqim e konvergim idesh e projektesh  dhe jo përjashtime me përcaktim-detyrim, sipas orekseve politike.

– Ju keni informacion sesi është projekti për riorganizimin e pushtetit vendor në Qarkun e Elbasanit? Ku bashkoheni dhe ku ndaheni me projektin e qeverisë?

– Përderisa nuk është bërë publik, nuk mund të ndërtojmë qëndrime në bazë hamendësimesh.

– Faleminderit!

Sistemi elektoral i ri të pengojë shitblerjen  e deputetëve

Si e shpjegoni ju rrjedhjen e deputetëve nga opozita?

– Forca gravitacionle e pushtetit ndikon tek mënyra e sjelljes politike të deputetëve. Ka individë që nuk mund t’i rezistojnë kësaj tërheqje dhe realizojnë atë që quhet kapërcim politik, që, në konceptin tim personal për politikën, është i papranueshëm dhe njëkohësisht fyes ndaj elektoratit. Një deputet mund të mos jetë dakord për qëndrime, apo votime të caktuara dhe kjo është njerëzore dhe e justifikueshme, por është e pajustifikueshme, që ai të zbulojë që paska bindje të tjera në një moment të dhënë, larg momentit kur u votua. Njëkohësisht, do ta konsideroja dhe si sëmundje të politikës shqiptare, si shprehje e pazotësisë së saj për të bindur me ide dhe projekte votuesin, i cili në raste të tilla, përveç buzëqeshjes së hidhur e ironike, nuk shfaq ndonjë fuqi reaguese. Për këtë shkak, çdo gjë rreth saj (politikës), përfshi lëvizjen e deputetëve, ndodh vetëm dhe posaçërisht për interesa të ngushta ekonomike, ose joekonomike dhe aspak për interesa të publikut zgjedhës. Përgjegjësia politike këtu është bërë nul. Sikurse është dhe shkak i boshllëqeve që ofron sistemi zgjedhor aktual.

– A duhet ndryshuar sistemi zgjedhor aktual?

– Personalisht jam pro idesë së ndryshimit të tij në shumë pika, përfshi dhe atë të shumë-debatuar, të lëvizjes së deputetit sipas dëshirës së tij, lëvizje e cila duhet të bëhet në bazë të disa rregullave dhe rrethanave të parashikuara e të kodifikuara mirë dhe jo në çdo moment që kërkohet të dalë mirë llogaria e një pazari politik.

Mandatet “e dhuruara” nga listat e partive të mëdha forcoi pushtetin e kryetarëve, dobësoi partitë dhe shumë më tepër peshën elektorale. A duhet të kemi lista të hapura elektorale që zgjedhësi të vendosë vetë për deputetët?

– Alternativat për të prishur këtë piramidë arbitrare pushteti  dhe marrëdhënieje politike, e cila ka çuar në rritjen e diferencës kilometrike të politikës nga votuesi, janë të disata. Ato mund të prekin si vetë sistemin në tërësi, po ashtu dhe aspekte të veçanta të tij, qoftë duke ruajtur dhe këtë statu-kuo. Duhet vetëm pak vullnet nga krahët politikë dhe shumë dëshirë nga maxhoranca, për të ndërmarrë një reformë të tillë, e cila duket së është bërë krejtësisht e domosdoshme. Gjasat në realitet nuk janë optimiste, pasi pushteti ndjehet i favorizuar prej këtij sistemi aktual. Dhe, duke ballafaquar kërkesën dhe dëshirën e madhe që po shfaq ky i fundit, për blerje deputetësh opozitarë, më rezulton se uji i kësaj kënete i shijon shumë kësaj maxhorance dhe ja ka shtuar etjen. Iniciativat për të reflektuar mbeten të vakëta, pothuaj të zeruara. Shkërmoqja e fuqisë duket e papranueshme për atë që e ka fuqinë.