Luçiano Boçi, ish-deputet i PD-së/ Kryeministri po kryen një puç institucional, kërkon të rrëmbejë me dhunë Bashkitë dhe Presidencën

405
Sigal

Për atë që pa frikë mund të konsiderohet si Electiongate, prokuroria zvarritet, hesht, shmanget me mijëra marifete dhe pengon hetimin e këtij krimi me përmasa gjigante dhe pasoja katastrofale për fatet e vendit, të demokracisë dhe të politikës

 

Rama po kryen një puç institucional, kërkon të rrëmbejë me dhunë Bashkitë dhe Presidencën

 

Luçiano Boçi, ish-deputet i PD-së në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon, se prokuroria është tashmë një kobure politike në duart e Ramës, me anën e së cilës arrestohen kundërshtarët politikë. Zoti Boçi thotë se nuk ka asgjë për lobingjet ruse të PD-së, siç akuzon prokuroria, ndërkohë, që prokuroria nuk do të hetojë skandalin e lobingut të Ramës në SHBA, ku gjykata amerikane dënoi edhe Bilalin. Zoti Boçi jep edhe alarmin se kryeministri Rama kërkon që të rrëmbeje me dhunë bashkitë dhe Presidencën, Zoti Boçi shprehet se ndërkombëtarët janë të vonuar në ndërhyrjet e tyre, por forca e qytetarëve të bashkuar mbetet çelësi i zgjidhjes së kësaj krize të thellë.

 

 

-Zoti Boçi, ju si e shpjegoni që deri tani prokuroria nuk ka ASNJË eksponent të PS të arrestuar, i cili dëgjohet qartë në audiopërgjimet që publikon “Bild” se blen vota në Bashkëpunim me persona të tjerë, ndërkohë që merr të pandehur Kryetarin e Opozitës për ryshfet në lobingje?

– Ka kohë që prokuroria është shndërruar në një kobure politike në duart e Ramës, me të cilën ai kërkon të arrestojë, ka arrestuar apo kërkon të kërcënojë çdo qytetar opozitar dhe drejtues të lartë politik, përfshirë dhe kreun e opozitës me akuza false. Ndërsa për atë që pa frikë mund të konsiderohet si Electiongate, prokuroria zvarritet, hesht, shmanget me mijëra marifete dhe pengon hetimin e këtij krimi me përmasa gjigante dhe pasoja katastrofale për fatet e vendit, të demokracisë dhe të politikës. Përkohshmëria i është vënë si çekiç mbi krye Arta Markut dhe tashmë ajo duket qartë e marrë peng nga Rama dhe e vendosur tërësisht në urdhrat e tij. Në çdo vend normal demokratik do kishin plasur urdhër-arreste për anëtarët e një organizate të tillë, e cila kryen hapur krim zgjedhor dhe që bashkëpunon me krimin në mes të ditës e politikës, në këmbim të interesave e favoreve dhe vjedh, grabit vullnete politike. Çështja e lobimit rus për të cilin akuzohet kreu i PD, është inekzistente dhe ushqehet sa herë që Rama dhe organizata e tij kriminale kapet në afera korruptive, falsifikuese, shitje interesash kombëtare e afera të tilla siç është shitblerja e votës.

– Kur Gjykata e SHBA dënoi Bilalin, i cili pagoi një shumë të madhe që të lobonte në emër të Edi Ramës, pse Prokuroria në Shqipëri nuk ngriti padi penale?

Prokuroria është fshehur pas argumentit, se për këtë vazhdon një hetim i autoriteteve amerikane. Por një argument i tillë nuk e pengon prokurorinë shqiptare ta marrë si të pandehur Ramën, kur tashmë është e vërtetuar me vendim gjykate të SHBA, se ka pasur një lobim të paligjshëm për “gruan” e Bilalit, Ramën. Kjo tregon, jo thjesht preferencën e organit të akuzës se sa nënshtrimin e plotë të tij, nën kërcënimin e shpatës së vettingut, ndaj Edi Ramës
– Zoti Boçi, ku dhe kur ju arrestuan juve? Si ju trajtuan në polici? Cila është akuza që rëndon mbi ju nga prokuroria, pasi u arrestuat nga Policia?

Ka pasur disa arrestime suksesive të lidhura me protestat e shumta në Elbasan. Me përjashtim të rastit të Mollasit, ku forcat speciale ushtruan forcë në shoqërimin tim, në rastet e tjera përfaqësuesit lokalë të policisë, janë përpjekur të ruajnë një lloj protokolli, duke dëshmuar një lloj distancimi nga urdhrat politikë, por gjithsesi duke mos i kundërshtuar ato, siç do t’i kishte hije një punonjësi të vërtetë që respekton ligjin e uniformën. Akuza ka qenë ajo drejtuar dhe të tjerëve, për protestë të paligjshme, bllokim rruge dhe kundërshtim i uniformave të policisë. Akuza të pabaza siç dhe janë vërtetuar në opinion dhe që janë rrëzuar në pjesën më të madhe të arrestimeve.

– Derisa dekreti i Presidentit të Republikës për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve vendore në 30 qershor u botua në gazetën zyrtare mbi çfarë ligji Policia dhe Prokuroria mund të dënojnë ata që nuk lejojnë të bëhet procesi zgjedhor?

– Të dy institucionet e përmendura si policia ashtu dhe prokuroria kanë humbur referencën ligjore dhe i binden sot krejtësisht në mënyrë të verbër vetëm urdhrave e paranojës politike të Ramës. Detyrimet kushtetuese që lindin mbas botimit në fletoren zyrtare të vendimit të presidentit do duheshin ta detyronin policinë të pengonte çdo veprimtari të KQZ si organ administrativ dhe njëkohësisht të detyronin prokurorinë të ngrinte akuzat përkatëse për çdo shkelje të një vendimi të tillë, përfshirë akuzën për krim zgjedhor ndaj kryeministrit. Ndalimi i veprimtarisë së tij të paligjshme duhet tashmë të ishte bërë dhe në rast kundërshtimi të kërkonit edhe arrestimin e tij. Në kushtetutë nuk parashikohet një klauzolë se çfarë ndodh kur kryeministri ikën nga mendja. Por kur kryeministri bën krim se ikën nga mendja Kushtetuta detyron prokurorinë të veprojë e të ndalojë kryerjen e krimit. Përkundër këtij detyrimi policia dhe prokuroria vazhdojnë të arrestojnë në mënyrë të paligjshme qytetarë dhe drejtues opozitarë me akuza krejtësisht politike e në mënyrë të paligjshme. Mjafton të krahasojmë faktin se akuzat e tyre argumentohen me përgjime video për arsye se kanë dalë për të mbrojtur vlerat e Republikës të Kushtetutës e demokracisë. Ndërsa me të njëjtat prova me përgjime audio ku del hapur krimi i kryer zgjedhor për të blerë pushtet në bashkëpunim të plotë me krimin, drejtuesit e lartë të çetës banale politike të së majtës, përfshirë dhe Ramën, shëtisin studiove televizive, kur duhet të ishin në qelitë që janë mbushur me njerëz të pafajshëm.

– Nga ngjarjet e djeshme pranë KZAZ morëm një ikonë. Ju keni ndonjë imagjinatë çfarë mund të ndodh në 30 qershor nëse zhvillohen zgjedhjet?

– Po përjetojmë një përplasje institucionale të paprecedentë me pasoja katastrofale për shtetin ligjor dhe demokracinë nën urdhrat politikë dhe me bekimin e qeverisë, në shkelje totale të Kushtetutës. Rama po kryen një puç insitucional dhe kërkon të rrëmbejë me dhunë Bashkitë në tërësi, por dhe Presidencën që duket se janë domenet e fundit të pa pushtuara ende nga regjimi. Pas kësaj Rama kërkon të ndezë zjarrin e një konflikti social tek i cili sheh mundësinë e vetme të shpëtimit të pushtetit të tij tashmë të diskretituar faqe gjithë botës. Zemërimin popullor ndaj tij dhe qeverisë së tij ai kërkon ta impostojë si zemërim midis grupimeve politike. Ne do bëjmë gjithçka që ky plan diabolik të dështojë dhe njëkohësisht të pamundësojmë me të gjithë faktorët socialë atë që sot është e paligjshme dhe antikushtetuese, zgjedhjet e 30 qershorit. Zgjidhjet e tjera të kërkesave tona për largim të Ramës, qeveri tranzitore e zgjedhje të parakohshme mbeten prioritare dhe bashkëshoqërojnë pamundësimin total të zgjedhjeve lokale.
– Ju shpresoni se ndërkombëtarët do të ndërhyjnë që kriza politike në Shqipëri të mos kalojë vijën e kuqe e të arrijë në përplasje civile?

– Në optikën time janë të vonuar dhe çdo hezitim i tyre shtyn vite mbrapsht demokracinë ende të brishtë shqiptare. Por përtej iniciativës ndërkombëtare, forca e qytetarëve të bashkuar mbetet çelësi i zgjidhjes së kësaj krize të thellë politike dhe i çlirimit të vendit nga kapja politike prej organizatës mafiozo-kriminale që sot ka rrëmbyer pushtetin me forcën e blerjes e dhunës ndaj votës së lirë.

– Faleminderit!