Luçiano Boçi, deputet i PD-së: “Alibia e opozitës për vjedhje të votave nuk qëndron”

448
Sigal

Në raportin e OSBE-s për ecurinë e reformave të prioriteteve të BE-së, thuhet se, “mund të presim një garë të egër”. Ka parasysh konfliktualitetin e egër politik?

– Më shumë se pasje parasysh e konfliktualitetit politik, pra larg të qënit një konstatim i thjeshtë, më duket një këshillë e mirë e dhënë për të menaxhuar me kujdes një situatë kulmore politike, e cila ka shumë emocionalitete, me dëshirën e mirë që klasa politike të tregojë maturi e mençuri. Kjo prognozë e faktorit ndërkombëtar në realitet e ka burimin në qëndrimet fraktare, agresive, anarkike të opozitës së majtë si dhe në përpjekjet e saj të vazhdueshme për të penguar me çdo kusht proceset europianizuese, të cilat janë agravuar në paralel të plotë me lakminë e saj të pandalshme për të rrëmbyer pushtetin e munguar. Njëkohësisht evidentimi i dobësisë programore dhe i vizioneve të qarta ekonomike dhe sociale si dhe kapja nga interesa të ngushta e opozitës “i tremb” ata se një gjë e tillë mund të kompensohet nga kjo opozitë me vënien në përdorim të mjeteve dhe elementeve ekstra ligjorë, me qëllim realizimin e ëndrrës pushtetore

– Majko, por edhe të tjerë, kanë bërë fjalë për mundësinë e vjedhjes se votës, duke bërë analogjinë edhe me 1996-n. Sa është mundësia e vjedhjes së votës, dhe a ka vend për analogjira politike?

– Habinë time për deklarata të tilla e kam shprehur herët dhe çudia më e madhe është se ato erdhën gati fill pas përfundimit me sukses të reformës zgjedhore, e cila në plotësimin e rekomandimeve kishte qëllim kryesor pikërisht transparencën e votës, gjë që u mbështet jo vetëm deklarativisht dhe nga vetë opozita. Të mos harrojmë këtu kontributin e palëve dhe sidomos hapësirat që maxhoranca i la iniciativës propozuese të opozitës. Jo vetëm kaq por si rezultat i konsensusit të dhënë u plotësuan në afatet limit dhe kërkesat e saj për formën e ankimimeve si dhe për ndërtimin e KQZ, realizime të cilat ajo nxitoi ti interpretojë si fitore në funksion të mosvjedhjes së votës. E gjithë kjo panoramë nxjerr qartë në pah absurditetin e deklarimeve të tilla dhe na bind se nuk janë as lapsuse mendore apo gjuhësore dhe as harresa ndaj reformës së kryer. Nuhatja e humbjes i bën që të rindërtojnë që herët alibinë e vjetër të përdorur tashmë disa herë por së cilës kërkojnë ti veshin një kostum të modës alla-Rama, pa përjashtuar opsionin e ndodhur gjithmonë që si hajdutë profesionistë të votës që janë, të thërrasin për t’u mbrojtur “kapeni hajdutin!”.