Lubonja: Zgjidhja e krizës është largimi i Edi Ramës

393
Sigal

Fatos Lubonja: Hapi i parë për zgjidhjen e krizës është largimi i Edi Ramës

“Hapi i parë për zgjidhjen e krizës ishte largimi i Edi Ramës. Për mua shqetësues është tejkalimi i përdorimit të dhunës ndaj protestuesve. Janë dhunuar edhe gazetarët, pra kemi një nervozizëm në rritje të mazhorancës. S’ka pasur gjëra aq të rënda sa të kesh 40 të arrestuar.”- deklaroi dje analisti Fatos Lubonja, duke vijuar: Protesta kishte një pjesëmarrje masive, solli edhe jehonën ndërkombëtare dhe konfirmoi që këtu kemi një problem, një krizë që duhet zgjidhur. Debati mbetet i hapur se si duhet zgjidhur. Megjithatë mazhoranca do ta injorojë që kemi krizë për të cilën përgjegjëse është vetë ajo. Për mua shqetësues është tejkalimi i përdorimit të dhunës ndaj protestuesve, janë dhunuar edhe gazetarët, pra kemi një nervozizëm në rritje të mazhorancës. S’ka pasur gjëra aq të rënda sa të kesh 40 të arrestuar. Problemi i madh i kësaj qeverie është pandjeshmëria ndaj atyre gjërave që janë dukshëm problematike në mënyrën se si qeveriset vendi. Protesta është mjeti i fundit, pasi ka pasur gjëra të tjera që kanë ndodhur para protestave që mund të tronditnin ndërgjegjen e mazhorancës. Përdorimi i gazit në mënyrë jo selektive, pra kur në shesh mund të ketë edhe gra, fëmijë njerëz që nuk ushtrojnë dhunë edhe gazetarët është shumë i dëmshëm dhe i pamoralshëm. Policia të reagojë me mjetet e veta të forta ndaj pakicës, por jo me gaz ndaj shumicës. Vihet re një teprim, demonstruesit treguan që nuk kishin synim të çonin deri në fund një betejë për jetë a vdekje ,por një betejë thjesht simbolike, si në rastin kur u ngjitën tek shkallët. Pra, s’ka pasur sulme agresive që të vërë në rrezik jetën e policëve. Gazi, siç e kam parë unë është përdorur në mënyrë të tillë masive me qëllim që ta shpërndajë turmën fare. Në këtë kuptim është metodë e ekzagjeruar dhe e rrezikshme, plus me pasoja për njerëzit. Ikja e Edi Ramës është hapi i parë i zgjidhjes së krizës. Kjo krizë është shumë e thellë, krizë që ka të bëjë me raportin e forcave politike, konflikti mes partive, kriza e ndërtimit të një sistemi ku një pakicë ka kapur shtetin, grabit në mënyrë arrogante pasurinë e shumicës, pra, ka të bëjë me sistemin që duhet ndryshuar. Duhet larguar Edi Rama që përdori pakicën e të fortëve, kriminelëve për të sunduar dhe kontrolluar gjithçka në këtë vend. Ndoshta një qeveri teknike, por nuk mund të bëhet qeveri teknike e diktuar nga opozita, duhet diçka e përbashkët si një konsensus për të dalë nga situata. Ka ardhur koha tha ai që populli shqiptar të ndërgjegjësohet si në Serbi, psh dhe të përdore parullën: Shteti jemi ne. “Ka ardhur koha që kjo parullë të kuptohet nga populli. Shteti janë gjithë ata protestues e populli që po vuan nga ky sistem.