Lubonja vesh jelekun portokalli: Duhet të rezistojmë, të mposhtim të keqen e madhe që na ka kapur

500
Sigal

Në ditën e 31 të protestës së tyre, banorët e zonës së Astirit, banesat e të cilëve preken nga projekti i “Unazës së Re” kanë bllokuar rrugën kryesore. Protestës i janë bashkuar deputetët e opozitës si dhe analisti Fatos Lubonja, i cili gjatë prononcimit të tij tha se i është bashkuar protestës si qytetar i këtij vendi. Fatos Lubonja ka veshur jelekun portokalli, ndërsa u shpreh se duhet rrëzuar kjo qeveri që po shkon nga krimi në krim. “Unë kam ardhur sepse kjo nuk është vetëm çështje e Astirit, pasi ka ndodhur kudo. Unë kam ardhur këtu si qytetar, pasi kjo është çështje e të gjithëve. Ne duam t’u japim kurajë qytetarëve sepse po shkelet ligji. Unë kam ardhur si qytetar dhe u bëj thirrje të gjithë qytetarëve në Tiranë e kudo në Shqipëri, se kjo është një çështje e rëndësishme. Kurajoja e protestuesve është nxitje për rezistencë edhe nga e keqja që e ka kapur vendin. Po nuk u bashkuam, do na hanë një nga një. Duhet të rrëzojmë këtë qeveri sepse po shkon nga krimi në krim. Këta duhet të mbrojnë këto shtëpi sepse janë dhe në një mënyrë shtëpitë tona. Duhen të bëhen të gjitha procedurat ligjore. Këtu s’kanë nevojë për një rrugë më të gjerë se kaq. Këtu kemi një gjë korruptive. Këtu është që të vijnë të gjithë dhe ta transferojmë këtë rrugën këtu në bulevardin atje tek Kryeministria. Kjo është rruga, s’ka rrugë tjetër sepse janë konsumuar të gjitha. I bëj thirrje prokurorisë, gjyqtarëve të ndërhyjnë, të shikojnë krimin mbi njeriun nga disa banda që kanë marrë pushtetin. Është e paimagjinueshme se si e bëjnë këtë, janë shkelur të gjitha ligjet. Është turp për çdo prokuror dhe çdo gazetar që të mos ngrejë zërin dhe të mos veprojë përballë këtij krimi”- tha Lubonja.