Lubonja: Pse ka të drejtë Presidenti i Republikës për qëndrimin ndaj “Unazës së Re”

495
Sigal

Publicisti Fatos Lubonja, komentoi reagimin publik të pardjeshëm të Kreut të Shtetit, Ilir Meta i cili doli me qëndrim publik për çështjen e “Unazës së Re” dhe kërkoi anulimin e këtij projekti që prek shumë shtëpi banime me arsyetimin se ka pasur shkelje të mëdha ligjore. Zoti Lubonja thotë se për të dalë në këtë konkluzion Presidenti Meta i ka bërë kërkesë institucioneve për t’u mirë-informuar për këtë projekt dhe është plotësisht në të drejtën e tij.

Fatos Lubonja: “Të mos harrojmë se ngjarja u bë ngjarje kur u denoncua falsifikimi në News 24. Qëndrimi i Presidentit ka një vlerë tjetër. Unë nuk dua ta shoh këtë si një konflikt mes dy personash, dua ta shoh si mënyrë të funksionimit të ligjit në Shqipëri. Ata që kanë detyrë t’i përfillin nuk i përfillin (Në këtë rast Qeveria nuk përfilli Presidentin). Kjo i tejkalon të gjitha caqet. Është ligji që duhet t’i përgjigjesh. Presidenti rendit nja 8 raste kur është nëpërkëmbur nga institucionet e shtetit që duhet ta informojnë. Dhe kjo tregon se kjo pjesë e shtetit që është qeveria kujton, se është i gjithë shteti dhe nuk del përtej, atëherë ky është një problem i madh për demokracinë. Padyshim reagimi lidhet me vetë faktin se, si është dhënë ky tender. Grabiten 20 milionë euro, ditën për diell, nga institucionet e shtetit dhe nuk heton prokuroria. Nuk arrestohet, nuk hetohet personi që qëndron prapa këtij skandali, një 26-vjeçar. Pra shteti vjedh se s’ka frikë nga askush, opozita nuk quhet, Presidenti nuk quhet, atëherë ku jemi? Demokracia është kontroll pushtetesh. Ke një president që mendon se ka të drejtë, nga ana tjetër është ekzekutivi dhe nga ana tjetër, media. Nëse kryeministri thotë media është kazan, nëse Presidentin e quan kryetar opozite, ndaj është demokracia, ajo ka një gjykatës. Ky karagjozi i Bashkisë thotë Presidenti i rrugëve… Por duhet dhënë përgjigje për vjedhjen 20 milionë euroshe, ose ndryshe duhet lënë drejtësia të veprojë. “Unaza e Re” ishte një projekt për të vjedhur. Lekët nuk mund të shkojnë tek “Unaza”, kur mund të shkojnë për studentët, tek arsimi etj. Ka shumë gjëra të tjera primare për të investuar. Ai projekt për mua duhet të anulohet. “Unaza” është metafora e asaj se ku po shkon Shqipëria. Ne kemi 3 banda parti dhe po ngushtohen këto hapësira. Ne kemi ngushtimin e hapësirave demokratike, të demokracisë nga Edi Rama dhe Rilindja. Unë mendoj se gjithë ky lloj fronti apo “xhepa”, ose do fashitet, ose ky lloj fronti do të arrijë, mendoj se do jetë me zgjedhje, ose protesta që të mos përsëritet gjithçka, por të korrigjohen ca gjëra. Këta edhe vetë po tërhiqen nga ca koncesione. Ka një vetëdije, se nuk shkohet më kështu. Edhe këta oligarkët, mbase do të reflektojnë. Opozita duhet të ndërtojë një ekonomi alternative.”