Lubonja: Ndihem i poshtëruar nga arroganca e çiftit Rama-Tahiri

Shfaqja e Tahirit dhe e deputetëve socialistë në komisionin e imuniteteve është sipas publicistit Fatos Lubonja një ngjarje që fyen dhe poshtëron çdo qytetar të ndershëm.

Ai analizon përballjen me provat dhe arrogancën socialiste në komision: “Si qytetar, duke parë atë shfaqje, u ndjeva disa herë i fyer dhe i poshtëruar. U ndjeva kështu sepse pashë një njeri, për të cilin ka prova më se të mjaftueshme për ta quajtur bashkëpunëtor me kriminelët, të sillej përpara njerëzve të drejtësisë me një arrogancë dhe siguri të frikshme për çdo njeri që ka shpresë se në këtë vend mund të ketë një çikëz drejtësi. U ndjeva i fyer dhe i poshtëruar, sepse pashë deputetë, që pretendojnë se janë intelektualë apo mbrojtës të të drejtave të njeriut, të bëhen një me këtë njeri. U ndjeva i fyer dhe i poshtëruar edhe më shumë, duke parë një turmë të organizuar për ta pritur jashtë me brohorima, sikur ky sapo të ishte kthyer nga fitimi i ndonjë trofeu sportiv dhe jo sikur të ishte njeriu i akuzuar se ka kthyer shtabin drejtues të policinë në bandë kriminale, që është përgjegjës minimumi për mbulimin e aktivitetit kriminal të një bande shumë të rrezikshme, që është direkt dhe indirekt përgjegjës edhe për tërë ata të rinj, që futen në rrugën e trafikimeve dhe vrasin çdo ditë njëri- tjetrin në rrugët e Shqipërisë”, shkruan Lubonja.