Luan Rama: Zgjedhjet të parat, dialog për të gjetur zgjidhje

540
LSI/ Emrat për Komisionet e Veting-ut, kriza politike, vizita e ministrit Jashtëm Gjerman dhe zgjedhjet e përgjithshme

Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar sot për krizën politike në vend, duke theksuar se çështja kryesore që palët duhet të shqetësohen janë zgjedhjet. Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama tha sot për mediat, përballë çështjes së zgjedhjeve, anxhendat e tjera politike kalojnë në plan të dytë. Kjo përfshin dhe çështjen e firmosje së koalicionit mes PS dhe LSI. I pyetur për aleancën e majtë, Luan Rama tha se “për LSI-në zgjedhjet janë të parat. Kjo çështje (aleanca) nuk mund të jetë parësore, më lejoni të them që zgjedhjet janë të parat dhe ftojmë të gjitha partitë që të ngrihen në nivelin e përgjegjësive dhe të tjerat në kohën e duhur do ua bëjmë të njohur”.

Fjala e plotë
Më lejoni t’ju bëj të ditur që në përgjigje të ftesës së Kryetarit të Kuvendit, i cili ka thirrur sot në një seancë të jashtëzakonshme punimet e Kuvendit për të votuar, miratuar, ngritjen e dy komisioneve të radhës që detyron ligji, pra të komisioneve ad-hoc për anëtarët të përzgjedhjes së kandidaturave për institucionet e rivlerësimit, sipas ligjit për Rivlerësimin Kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Lëvizja Socialiste për Integrim ka propozuar dhe do t’i propozojë seancës së Kuvendit, për Komisionin e parë, i cili është një komision që përbëhet nga 12 anëtarë, 6 nga shumica dhe 6 nga pakica, dy deputetët Luan Rama dhe Silva Caka. Ndërsa për komisionin tjetër prej 6 anëtarësh, tre që i përkasin shumicës dhe tre të pakicës, ne kemi propozuar deputetin Vangjel Tavo. 

Pyetje nga gazetarët 
Z. Rama, a do ta nënshkruani marrëveshjen e re me Partinë Socialiste, meqenëse po skadon afati i regjistrimit në KQZ?
Problemi i madh në këtë vend janë zgjedhjet. Dhe detyrimi i madh që ka padyshim e gjithë klasa politike, por veçanërisht detyrimi i madh që ka mazhoranca, për shkak të përgjegjësive që ka si mazhorancë e votuar nga sovrani për të qeverisur dhe për të realizuar zgjedhje sipas standardeve është dialogu me opozitën, përfshirja e opozitës në zgjedhje, si një domosdoshmëri, si një kusht jetik i rëndësishëm, si një vlerë e një shoqërie të matur dhe të pjekur demokratike, pra për pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje. 

Cili është komenti juaj për thirrjen e ministrit gjerman për ta lënë bojkotin dhe njëkohësisht për të hyrë në zgjedhje?
Qëndrimet e ndërkombëtarëve janë të dobishme për aq sa janë të balancuara dhe konstruktive. Çdo njëanshmëri nuk ndihmon në zgjidhjen e situatës. Problemi është krijuar këtu, problemi është krijuar për shkak të papërgjegjshmërisë politike të shqiptarëve dhe zgjidhja duhet të vijë nga dominimi i arsyes dhe i vetëdijes që interesat e vendit janë prioritare dhe për t’u shmangur edhe një herë e theksoj marrëzisë. LSI e ka bërë të qartë dhe ju mos prisni që unë të them sot, sepse nuk do ta dëgjoni asnjëherë, që interesi i LSI-së apo interesi i koalicionit është më i rëndësishëm se sa interesi i Shqipërisë. Është imperativ, është urgjent, është e rëndësishme ulja në tryezën e dialogut dhe gjetja e zgjidhjes për të realizuar zgjedhje në të mirë të interesit të qytetarëve shqiptarë.

A do të regjistroheni nesër për koalicionin me Partinë Socialiste për ët shkuar në zgjedhje së bashku? 
Duke mirëkuptuar të gjithë kërshërinë tuaj këmbëngulëse për të vënë në rend të parë një çështje që nuk mund të jetë parësore në raport me zgjedhjet e lira, të ndershme, transparente, demokratike dhe sipas standardeve, më lejoni t’ju them edhe një herë, zgjedhjet janë të parat dhe ne jemi të angazhuar e ftojmë të gjitha partitë politike, në mënyrë të veçantë ato parlamentare, të ngrihen në nivelin e përgjegjësive që kërkon ky moment i rëndësishëm për fatet e vendit. Të gjitha të tjerat pastaj në kohën e duhur, do t’ua bëjmë të njohura me shumë seriozitet dhe më shumë transparencë gjithashtu.

Kjo çështje bëhet parësore për sa kohë që ka nisur numërimi mbrapsht i orëve për mbarimin e afatit ligjor. A do të ketë një takim midis z. Rama dhe z. Meta sot?
Ju i numëroni orët mbrapsht, unë i numëroj siç i ka bërë natyra të numërohen dhe në kohën e duhur dhe në momentin e duhur do t’ua bëjmë të ditura të gjitha qëndrimet tona publike dhe me shumë transparencë. 

A ka LSI-ja ndonjë emër për të propozuar për postin e Presidentit të Republikës në bashkëpunim edhe me koalicionin qeverisës?
Nuk kam çfarë të shtoj për çështjen e Presidentit të Republikës asnjë fjalë më shumë nga sa ka mbajtur qëndrimin e njohur publik Kryetari i Kuvendit, njëherësh edhe Kryetar i LSI-së pas takimit që ne zhvilluam me lidershipin e Partisë Socialiste.

Përse nuk keni paraqitur emra kandidatësh bashkë me PS-në për raundin e parë dhe ekziston mundësia që ju t’i digjni të pesta seancat?
Kryetari i Kuvendit, njëherësh Kryetar i LSI-së, e bëri të qartë publikisht pas takimit me lidershipin e PS-së qëndrimin e tryezës së asaj dite, pra të takimit PS-LSI apo LSI-PS, në lidhje me çështjen e Presidentit, duke nënvizuar domosdoshmërinë e pjesëmarrjes me kontributin e vetë në këtë proces të rëndësishëm edhe të opozitës.
Sigal