Luan Rama: Sistemi i drejtësisë është në kolaps!

776
Luan Rama: Maxhoranca përgjegjëse për aplikim të dy standardeve ndaj institucioneve të drejtësisë!
Zëvendëskryetari i LSI-së Luan Rama u shpreh dje, pas vendimit të Kolegjit të Apelit, i cili shkarkoi një gjyqtar, se sistemi i drejtësisë është në kolaps. Kjo gjendje është një kolaps dhe përgjegjësia e plotë rëndon mbi maxhorancën, nxitimi i saj për ta përdorur reformën për demagogji, sepse ka bllokuar koorumet ligjore të trupave të vendimmarrjes. Zëvendëskryetari i LSI-së Luan Rama shpreh edhe qëndrimin e LSI-së, “Propozimi i LSI-së, ka qenë konsistent dhe i pandryshueshëm që në momentin kur për shkak të LSI, u miratuan ndryshimet kushtetuese dhe paketa e Reformës në Drejtësi që ka në bazament bashkëpunimin, bashkëveprimin parlamentar për të ruajtur frymën e konsensusit dhe të ndërveprimit me transparencë në të gjitha etapat e vendimmarrjes”.
-Keni një koment, për kolegjin e apelimit që shkarkoi një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese duke lënë këtë Gjykatë me 4 anëtarë me mandat, nga 9 që duhet të ketë? 
– E para, nuk ia lejoj vetes të komentoj vendime që marrin trupa kushtetues dhe që kanë mandatin të gjykojnë dhe vlerësojnë mbi gjithë sistemin e drejtësisë. Ajo që unë dua të theksoj përpara jush është, kolapsi në të cilin gjendet sistemi i drejtësisë për shkak të bllokimit të koorumeve ligjore të trupave të vendimmarrjes. Ajo që po ndodh me Gjykatën Kushtetuese është paradoksalisht skandaloze. Ashtu siç është skandaloze gjendja dhe në Gjykatën e Lartë. Në fund të fundit ky është produkti i mungesës së vizionit që në projeksionin e Reformës në Drejtësi, nxitimi për ta përdorur reformën për demagogji dhe ka çuar në këtë produkt dhe kjo është padyshim përgjegjësi e drejtpërdrejtë e mazhorancës në rradhë të parë, si trupa që ka kartonët e vendimmarrjes. Dhe nga ana tjetër, dëshmon se në çfarë situate paradoksale gjendet i gjithë sistemi ynë i drejtësisë. 

– A ka një propozim për zgjidhje LSI-ja?
– Propozimi i LSI-së, ka qenë konsistent dhe i pandryshueshëm që në momentin kur për shkak të LSI, u miratuan ndryshimet kushtetuese dhe paketa e Reformës në Drejtësi që ka në bazament bashkëpunimin, bashkëveprimin parlamentar për të ruajtur frymën e konsensusit dhe të ndërveprimit me transparencë në të gjitha etapat e vendimmarrjes. Ju jeni dëshmitar, opinioni e di tashmë që KLGJ-ja, KLP-ja dhe trupat e tjerë janë miratuar me arrogancë në mënyrë të njëanshme. Janë miratuar duke mandatuar në këto trupa individë me kredenciale të dyshimta, me probleme në zbatimin e ligjit. Dhe për shkak të integritetit të tyre është kompromentuar dhe identiteti i këtyre trupave vendimmarrëse.

– Zoti Rama ju jeni të mendimit që të zgjidhen pa Vetting, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese?
– Jo, pretendimi që Vettingu po e bllokon procesin është abuzim, ne kemi qenë të vendosur, madje kemi insistuar dhe me hap ligjor, që çdo individ, kudo ku emërohet, apo kudo ku zgjidhet, duket të shkojë në detyrë, pasi të ketë kaluar procesin e Vettingut. Kjo gjë nuk ka ndodhur për shkak të shkeljes së Kushtetutës, moszbatimit të ligjit dhe pa dashur t’u referohem rasteve konkrete kjo në fakt është sjellja e papërgjegjshmërisë së mazhorancës.
Sigal