Luan Rama: Shqipëria pa Gjykatë Kushtetuese, pengesë për çeljen e negociatave

515
Sigal

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, ka akuzuar qeverinë se e ka ëlnë vendin pa Drejtësi. Ai shprehet nëpërmjet një statusi në Facebook se ky është skandali i radhës së një maxhorance skandalesh.

“Eshtë skandaloz fakti që Shqipëria ka mbetur pa Gjykatë Kushtetuese! E më skandaloz akoma bëhet ky fakt, kur askush prej maxhorancës që s’rresht së mburruri me reformën në drejtësi, nuk ndjen përgjegjësi për gjendjen e krijuar!,” shkruan Luan Rama.

 Statusi i plote

Skandali i rradhës së një maxhorance skandalesh:

Shqipëria vend pa Drejtësi Kushtetuese, dhe kërkon çeljen e negociatave me BE-në!

Juristë e konstitucionalistë frikacakë, që nuk kanë guxim të ngrenë zërin për shkatërrimin e Gjykatës Kushtetuese, por gogësijnë e mbllaçiten rreth tepsisë së pushtetit!

Eshtë skandaloz fakti që Shqipëria ka mbetur pa Gjykatë Kushtetuese! E më skandaloz akoma bëhet ky fakt, kur askush prej maxhorancës që s’rresht së mburruri me reformën në drejtësi, nuk ndjen përgjegjësi për gjendjen e krijuar!
Po për çfarë reforme në drejtësi mund t’u flitet qytetarëve, kur prej papërgjegjshmërisë së maxhorancës dhe qeverisë, ata janë privuar nga Drejtësia Kushtetuese, që presupozon ose parakupton tërësinë e institucioneve të ngarkuara me mbrojtjen e rendit juridik të shtetit!
Në qeveri dhe në përbërje të grupit parlamentar të maxhorancës së Edi Ramës ka juristë të zotë e me përvojë që e kuptojnë shumë mirë se çfarë do të thotë të cënosh Drejtësinë Kushtetuese, dhe pavarësisht se ata janë aq të padinjitet sa nuk guxojnë as të flasin, me heshtjen e tyre të turpshme janë bërë fajtorë, dhe kostove të njëpasnjëshme që pengojnë çeljen e negociatava me BE-në, iu kanë shtuar edhe mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese apo të asaj që në manualet e institucioneve të drejtësisë njihet ndryshe si “Rojë e Kushtetutës”.
Eshtë kjo arsyeja që kompetenca e Gjykatës Kushtetuese për të kontrolluar dhe mbrojtur procesin ligjvënës, në thelb vlerësohet si bazamenti i shtetit të së drejtës.
Mirëpo si mund të realizohet kontrolli dhe mbrojtja e kushtetutshmërisë së procesit ligjvënës kur nuk ka Gjykatë Kushtetuese?!
Më lejoni t’i referohem pak togfjalëshit “Rojë e Kushtetutës”, për të shpjeguar se kemi të bëjmë me një organ, funksioni i të cilit është mbrojtja e Kushtetutës nga cënimet e mundshme të pushtetit shtetëror. Pra, bëhet fjalë për një organ, garant të Kushtetutës. Duke qenë se Kushtetuta është tërësi e normave të caktuara a të vendosura nga ligjvënësi, cënimi i saj do të thotë kryerja e një veprimi apo mosveprimi që bie ndesh me këtë tërësi normash.
Me lejoni gjithashtu të abstragoj mbi një kazus, duke e sjellë marrëveshjen e detit me Greqinë ne realitetin e sotëm.
Partia Socialiste me të drejtë ju drejtua Gjykatës Kushtetuese për t’a shpallur të pavlefshme marrëveshjen e nënshkruar mes dy qeverive respektive disa vite më parë, dhe falë atij vendimi, marrëveshja për hapësirën detare mes Shqipërisë e Greqisë po rinegociohet! Por, imagjinoni sikur në atë kohë, Gjykata Kushtetuese të ishte kjo që është sot apo më saktë në gjendjen që është sot, vetëm me dy gjyqtarë, për të hamendësuar fare lehtë se çfare mund të ndodhte?!
Thënë fare shkurt dhe qartë: Shqipëria sot është një vend pa Drejtësi Kushtetuese, është një vend pa “Rojen e Gjykatës Kushtetuese”, është një vend pa Gjykatë Kushtetuese!
Natyrisht, ka juristë, madje edhe juristë të zotë, ka edhe konstitucionalistë e pedagogë, ka profesorë e gjyqtarë, prokurorë e këshilltarë që merren me çështjet e drejtësisë, ka edhe anëtarë e ish anëtarë të Gjykatës Kushtetuese apo të Gjykatës së Lartë, por nuk e di se pse janë kaq frikacakë, sa nuk kanë guxim të ngrenë zërin por gogësijnë rreth tepsisë së pushtetit!
Dhe Shqipëria kërkon e pret që Këshilli Europian të miratojë çeljen e negociatave të saj me BE-në!…