Luan Rama: Rilindja erdhi në pushtet me votën e vjedhur dhe tjetërsuar, turp për ata që s’e shohin

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë, bëri një bilanc të të gjitha vendimeve që u morën duke rrëfyer se si do të riorganizohet partia pas kësaj faze. Në mbledhje tha Rama, u bë analiza politike zgjedhjeve, u analizua situata politike në vend dhe u vu theksi tek domosdoshmëria e krijimit të një fronti kombëtar opozitar. Sipas Ramës ky front duhet të përballet me një pushtet i cili si para , gjatë dhe pas zgjedhjeve, dëshmoi papërgjegjshmëri. Mbledhja doli edhe me konkluzionin e qartë tashmë, se zgjedhjet e 25 qershorit, u vodhën nga Rilindja. Rama tha se LSI ka denoncuar çdo shfaqje të kriminalizimit të procesit, një proces ku sipas tij, paratë e pista të krimit dhe të drogës dominuan mbi alternativat, mbi ballafaqimin e tyre dhe mbi domosdoshmërinë e një dialogu konstruktiv dhe transparent me qytetarët. “Lëvizja Socialiste për Integrim, si një forcë që në themelin e vet ka dhe do të ketë gjithmonë vlerat e patjetërsueshme të humanizmit dhe të solidaritetit, do të vazhdojë të jetë gjithnjë në anën e qytetarëve dhe bashkë me qytetarët në mbrojtje të interesit të tyre, në mbrojtje të interesit publik, në mbrojtje të interesit të vendit, për të qenë realisht zëdhënëse shprese dhe mbrojtëse e interesit të më shumë se 75% të qytetarëve të këtij vendit. Pra të të gjithë atyre që kanë votuar kundër rilindjes apo që me mospjesëmarrjen e tyre kanë shprehur padyshim abstenimin ndaj mënyrës se si u zhvilluan zgjedhjet, ashtu sikundër edhe abstenimin ndaj mënyrës se si është qeverisur vendi”, tha Rama. Më tej ai shtoi se LSI po ristrukturon të gjithë skemën e organizimit dhe Kryesia përcaktoi disa detyra të qarta për mënyrën e organizimit të strukturës së partisë, për mënyrën e funksionimit të të gjithë të zgjedhurve në të gjitha nivelet e drejtimit të partisë, duke përcaktuar detyra rigorozisht të qarta për secilin në funksion të këtij realiteti politik që është krijuar në reflektim të zgjedhjeve të 25 qershorit. Në fjalën e tij Luan Rama përmendi edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. “Siç e dini janë shfaqur të dokumentuara, në mënyrë shumë korrekte, raste konkrete të vjedhjes së votës, të tjetërsimit të vullnetit të qytetarëve. E gjitha kjo padyshim që është një njollë e madhe turpi për procesin, është një njollë e madhe turpi edhe për ata të verbër që nuk kanë sy të shohin edhe pas dokumentimit me pamje filmike të rasteve skandaloze të vjedhjes së votës në funksion të tjetërsimit të vullnetit të qytetarëve”, tha Rama. Kryesia gjithashtu emëroi në detyrën e Kryetarit të Grupit Parlamentar Petrit Vasilin duke përcaktuar edhe raportin e funksionimit dhe të bashkëveprimit midis strukturave të partisë dhe grupit të ri parlamentar që do të ketë LSI në Kuvendin e Shqipërisë.