Luan Rama: Reforma në drejtësi, si një përrallë nga e kaluara!

485
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, u shpreh se mosplotësimi i kushteve për institucionet e vettingut është përpjekje e qeverisë për të mbajtur nën kontroll reformēn në drejtësi. Në një ftesë publike edhe për ambasadorët e BE-së dhe të SHBA, Rama u kërkoi atyre ta ndjekin procesin me të njëjtën konsistencë që shfaqën gjatë miratimit të reformës në drejtësi, “sepse po synohet vënia nën presion e institucioneve të vettingut!”. “Do të duhej të kishin nisur nga puna institucionet e vettingut, e kësisoj do të mund të thoshim se më në fund ka filluar të zbatohet edhe reforma në drejtësi. Mirëpo, ja që qeveria, ca nga vetja e ca nga ca zëdhënëse të saj në komisionet e Kuvendit të Shqipërisë, po na shfaq fytyrën tjetër: fytyrën e dytë, në fakt fytyrën e vërtetë, atë kundër reformës në drejtësi!”, u shpreh Rama. Sipas tij, disa ditë më parë, një relatore rilindëse në komisionin e ligjeve, teksa po diskutohej struktura organizative dhe pagat e komisioneve te vettingut, hodhi idenë “brilante” që këto komisione që janë konceptuar e parashikuar nga ligji si institucione kushtetuese me rëndësi jetike për cilësinë e suksesit të reformës në drejtësi, nuk është e nevojshme të kenë administratë dhe as infrastrukturë të tyren, por të përdorin administratën dhe infrastrukturën e Gjykatës Kushtetuese! “Madje me një përmasë alarmante budallallëku teksa flitej në komisionin e ligjeve për Kolegjin e Apelimit, merrej për referencë Avokati i Popullit!”, tha Rama. Sipas drejtuesit të LSI-së, komisioneve të vettingut, këtyre institucioneve të një rëndësie jetike për fatet e suksesin e reformës në drejtësi, që jo vetëm do të pastrojnë sistemin e drejtësisë, por edhe do të jenë baza për ngritjen e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë si Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion e tjerë, u duhet dhënë mbështetja maksimale e u duhen krijuar të gjitha kushtet e nevojshme për përmbushjen e misionit të tyre kushtetues! “Qëndrimi ndaj tyre është dëshmia më e qartë se kush e do dhe kush nuk e do reformën në drejtësi dhe suksesin e saj!”, u shpreh Luan Rama.
Sigal