Luan Rama pyet Xhafën: Ku e kini listën me emrat e 124 trafikantëve?

500
Trafiku i drogës është vënë sërish në qendër të vëmendjes së opozitës. Nënkryetari i LSI kërkon shpjegime nga Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa
Pak kohë më parë Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj si dhe kryeministri i vendit Edi Rama deklaruan se kanë gati emrat e trafikantëve të drogës në të gjithë vendin. Ekzistencën e një liste me emrat e trafikantëve të drogës e ka bërë të ditur edhe ish-ministri teknik Dritan Demiraj. Por ndërsa kanë kaluar disa javë nga bërja publike e këtij fakti, deri tani nuk ka asnjë të dhënë, se çfarë po bëhet me emrat e trafikantëve. Qeveria ka marrë përsipër të luftojë kultivimin dhe trafikun e kanabisit. Por në të gjitha operacionet kemi parë vetëm arrestimin e personave që paguhen për të kaluar jashtë vendit drogën dhe jo pronarët e vërtetë të saj. Duke marrë shkak nga kjo gjendje, Luan Rama. Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, i është drejtuar ministrin të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, me një pyetje mbi listën e kriminelëve të drogës. Duke iu referuar deklaratave të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit teknik të PD, të bërë pak muaj më parë, se kishin një listë me 124 emra trafikantësh dhe kultivuesish droge, Luan Rama pyet Xhafajn, se çfarë ka ndodhur me këtë listë. Në faqen e tij zyrtare në Facebook, Rama shkruan se nuk dyshon në vërtetësinë e asaj që ka deklaruar kryeministri, pra në ekzistencën e listës, ndërsa pyet ministrin aktual nëse ajo listë është bërë e pavlerë. “Një kujtesë për Ministrin e Brendshëm!… Çfarë ka ndodhur me listën e kriminelëve të drogës?!… I nderuar zoti Ministër! Mbi një muaj e ca më parë, Kryeministri e pas tij edhe ministri teknik i PD-së që ju zëvendësoi për disa muaj në detyrën e Ministrit të Brendshëm, u shprehën publikisht se kishin një listë me 124 emra trafikantësh e kultivuesish të drogës! Pa dashur të merrem me “tejkalimin e të drejtës” prej tyre në prononcimin për këtë listë, me vullnetin për të qenë përkrah jush, përkrah Policisë së Shtetit e të gjitha agjencive ligjzbatuese në sfidën e përbashkët të luftës kundër krimit të organizuar dhe kultivimit e trafikimit të drogës, më lejoni t’ju drejtohem publikisht se a ekziston vërtetë kjo listë? E nëse ekziston, çfarë është bërë e çfarë po bëhet ligjërisht me të? Nuk kam asnjë arsye të dyshoj në vërtetësinë e asaj që kanë deklaruar Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm, pra në ekzistencën e listës, por meqenëse më pas nuk u fol më për të, nuk u fol as për hapat procedurialë ligjorë që duheshin ndërmarrë, po ju drejtohem juve, me shpresën që ajo listë të mos jetë bërë e pavlerë! Prandaj, informojeni publikun zoti Ministër, çfarë ka ndodhur me listën e kriminelëve të drogës?”, shkruan Luan Rama.
Sigal