Luan Rama priti në takim Kryetarin e Komisionit parlamentar për Punët e Jashtme të Kosovës, z. Elmi Reçica

527
Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, z. Luan Rama sëbashku me deputeten e kësaj partie Kejdi Mehmetaj, priti në takim Kryetarin e Komisionit parlamentar për Punët e Jashtme të Kosovës, z. Elmi Reçica dhe delegacionin që e shoqëronte atë në këtë vizite.
Pasi i uroi mirëseardhjen në Shqipëri, z. Luan Rama, u shpreh se këto takime hapin një dimension tjetër jo vetëm për bashkëpunimin midis institucioneve, parlamenteve dhe grupeve tona parlamentare, por ndikojnë dhe cilësinë e produktit që sjell bashkëpunimi midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Kryetari i grupit Parlamentar të LSI-së theksoi se e ka ndjekur me shqetësim situatën e fundit në Kosovë dhe marrëdhëniet e tendosura me Serbinë, ndërsa evidentoi maturinë politike dhe qetësinë me të cilat janë menaxhuar këto situata nga institucionet kosovare.
Z. Luan Rama nënvizoi gjithashtu se pavarësisht faktit që përfaqësojmë dy parlamente të dy shteteve, ne asnjë herë nuk duhet të harrojmë se jemi deputete të të njëjtit komb dhe mbi çdo gjë kemi të përbashkët historinë, gjuhen dhe flamurin kombëtar, ndaj të cilëve detyrimet janë të njëjta e të përbashkëta.
“Vendosmëria për ta prishur murin në Mitrovicë nuk është thjeshtë çështje e një veprimi fizik, por domethënie shumë e madhe e vendosmërisë për të dëshmuar forcën e legjitimitetit dhe të autoritetit të institucioneve të Kosovës në të gjithë hapësirën e shtetit të Kosovës”, – tha z. Luan Rama.
Gjithashtu, Kryetari i Grupit Parlamentar tha se kemi shumë hapësira për të ushtruar së bashku jo thjesht diplomacinë parlamentare, por bashkëveprimin ndërparlamentar midis nesh. Z. Luan Rama nënvizoi nevojën për të konkretizuar bashkëpunimin edhe në nivele komisionesh parlamentare, duke bërë një axhendë veprimi të përbashkët.
Nga ana e tij, Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme të Kuvendit të Kosovës, z. Elmi Reçica, pasi e falënderoi Kryetarin e Grupit Parlamentar të LSI-së, z. Luan Rama, për pritjen e ngrohtë, vlerësoi mbështetjen e dhënë nga Lëvizja Socialiste për Integrim për Kosovën për situatën e tensionuar të krijuar së fundmi në Kosovë.
“E dimë qe e keni ndjekur me vëmendje, edhe si parti politike edhe si grup parlamentar, por edhe kryetari i partisë suaj që është edhe Kryetar i Kuvendit. Mbështetja dhe bashkëpunimi ka qenë i vazhdueshëm”, – theksoi z. Reçica.
Ne fund, delegacioni i Komisionit për Punët e Jashtme të Kosovës dhe përfaqësuesit e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, vlerësuan se ndalimi i papërligjur i z. Haradinaj është një përpjekje e djallëzuar për të goditur përmes Ramush Haradinajt luftën e lavdishme të UÇK-së dhe gjakun e derdhur për lirinë e Kosovës, prandaj lirimi i tij i menjëhershëm dhe kthimi në Kosovë janë e vetmja zgjidhje.
Sigal