Luan Rama: Pasuria jonë kombëtare kulturore e paçmuar e krijuar në më shumë se 2500 vjet është keqadministruar

466
Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi një takim me përfaqësues të komunitetit të artistëve, ku morën pjesë Kryetari i LSI-së, z. Petrit Vasili, nënkryetari i LSI-së, z. Luan Rama, kryesuesja e listës së kandidatëve për deputetë të qarkut të Tiranës, znj. Klajda Gjosha si edhe Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe emra të njohur të skenës, muzikës dhe kulturës, të cilët diskutuan lidhur me programin elektoral të LSI-së si edhe dhanë ide konkrete për problematikat që ka ky komunitet.

Nënkryetari i LSI-së, z. Luan Rama, njëkohësisht kandidat për deputet në qarkun e Tiranës, tha se pasuria jonë kombëtare e krijuar në më shumë se 2500 vjet është shkatërruar në këto 25-27 vjet për shkak të keqadministrimit.

“Pasuria jonë kombëtare kulturore është një pasuri e paçmuar, e cila për fat të keq është krijuar në më shumë se 2500 vjet, por është shkatërruar në këto 25-27 vjet, sepse është keqadministruar. Të tjerët nuk kanë Apoloni, nuk kanë Bylis, nuk kanë Butrint, nuk kanë Dyrrahun, nuk kanë Amantian, nuk kanë asgjë, por i sajojnë për t’u shitur ato që nuk janë”, – u shpreh Nënkryetari i LSI-së, duke shtuar se duhet kthyer vëmendja tek investimet për të stimuluar artin kombëtar.

“Ne vetëm duhet që këtë ta ruajmë dhe ta bëjmë pjesë të pasurisë sonë, ta shohim si pasurinë tonë dhe natyrisht të kthejmë edhe vëmendjen tek investimet, që të stimulojnë artin kombëtar, të stimulojnë artin e të rinjve sepse ka të rinj shumë të talentuar që praktikisht nuk kanë skena dhe nuk kanë galeri, nuk kanë ambiente ku t’i shpalosin gjithë atë talent dhe gjithë atë pasuri shpirtërore që ata kanë. Qasja jonë është për të krijuar këtu terrenin që e kultivon, e mbron, e promovon, dhe e difuzon këtë pasuri dhe këtë vlerë që krijojnë artistët tanë”, – deklaroi z. Luan Rama.
Sigal