Luan Rama ndërkombëtarëve: Persona të sapo dalë nga burgu përdoren nga PS në fushatë

501
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama doli në konferencë për mediat pas takimit të ditës së djeshme të një përfaqësie të LSI me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian në Tiranë, atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të OSBE.

Ai tha se qëllimi i takimit ishte për informimin mbi situatën e zgjedhjeve, me zhvillimet elektorale duke u ndalur në disa nga episodet më pikante.“U ndalëm në vendimin arbitrar të kundërligjshëm të Task-Forcës që në përpjekje për të trembur votuesit. Ka nisur një fushatë spastrimesh politike nga administrata publike, që e dokumentuam me dhjetëra raste, çka është në fakt një parathënie për të kontaminuar të gjitha parimet kushtetuese të zbatimit të ligjit në funksion të zbatimit të ligjit që e ka shndërruar këtë institucion në një Gestapo politike që përndjek në mënyrë abuzive dhe në kundërshtim me ligjin të gjithë punonjësit e administratës në të gjitha nivelet”, u shpreh Rama. Ai deklaroi se persona të dalë nga burgu po përdoren si pjesë të stafeve elektorale dhe veçanërisht të Partisë Socialiste. Rama denoncoi keqpërdorimin politik të strukturave të Policisë së Shtetit.

Po ashtu tha se policia ka lënë jashtë vëmendjes grupet kriminale, njerëz me precedentë penalë të liruar nga burgu kohët e fundit për t’i përdorur ata si pjesë të stafeve politike, veçanërisht të PS-së. Në vijim deklaroi se iu treguan ambasadorëve raste konkrete.
“Rastet më skandaloze tashmë janë evidentuar në Berat, në Njësinë Administrative nr 2 në Tiranë, Lezhë. Po kështu kemi informuar diplomatët për grupet kriminale, që janë angazhuar në një sërë qendrash të banuara në qytete të ndryshme, duke ushtruar presione. Një pjesë të mirë të informacioneve na ka ardhur nga punonjësit e Policisë së Shtetit që kanë refuzuar të bëhen pjesë e grupimeve të policisë që përdoren për përndjekjet e kandidatëve apo simpatizantëve të LSI”, deklaroi Luan Rama. Më tej u ndal edhe te vendimi i fundit i KQZ për numëruesin, ku tha se i takonte LSI për të mos u hedhur në short me një parti tjetër. Sipas tij, Kodi Zgjedhor e ka të përcaktuar qartë si ndahet shumica parlamentare dhe pakica parlamentare. Në vijim shtoi se “Kemi të bëjmë me një veprim haptazi kundër ligjit, demonstrim të dy qëndrimeve në kohë të ndryshme”.
Sigal