Luan Rama: “Mbështetje pa asnjë gramë politikë për artistët”

448
Nënkryetarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama dhe Kejdi Mehmetaj, morën pjesë në ekspozitën artistike “Melodi” të organizuar në Muzeun Historik Kombëtar, ku ishin prezantuar piktura, skulptura dhe fotografi nga artistë të rinj.

Kjo ekspozitë ishte organizuar edhe me mbështetjen e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Lëvizjes Rinore për Integrim, ku artistë të rinj ekspozuan punimet e tyre për qytetarët.

Në fjalën e saj në këtë aktivitet, Nënkryetarja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj nënvizoi rëndësinë e mbështetjes së artistëve, sidomos atyre të rinj në zhvillimin e talentit të tyre dhe se për këtë, LSI-ja do t’i mbështesë edhe më shumë.

“Kanë qenë vetë këto artistë, të cilët e kanë organizuar, menaxhuar aktivitetin. Kontributi ynë ka qenë shumë minimal karshi punës që ju keni bërë. Dhe shpresojmë që nga ky pozitivitet që të marrim nga kjo ekspozitë, të paktën ne që përfaqësojmë disi pjesën politike të reflektojmë edhe në punën e përditshme që bëjmë, të japim më shumë hapësira dhe më shumë mbështetje për artistët, sidomos për artistët e rinj. Për të tilla aktivitete, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë, do të na keni shumë në mbështetje dhe shumë në suport, sepse realisht ajo që kemi bërë është shumë e vogël karshi punës së madhe që ju bëni”,- tha Kejdi Mehmetaj.

Ndërsa, z. Luan Rama në fjalën e tij në këtë ekspozitë theksoi mbështetjen e Lëvizjes Socialiste për Integrim për artistët dhe se puna e tyre është për t’u admiruar.

“Është një melodi e bukur kjo sepse në këto telajo apo në gjithçka që është këtu edhe në punimet në skulpturë apo edhe në fotografi, është përjetimi, është shpirti artistik i atyre që i kanë realizuar këto vepra. Dhe kjo mënyrë komunikimi që këta artistë realizojnë me ne, që jemi publiku, shikuesit, është sa e veçantë, është sa e vështirë, por po aq edhe e bukur dhe emocionuese. Më lejoni të garantoj në mbështetjen pa asnjë gramë politikë brenda. Në mbështetjen maksimale që ne, që kemi një atribut përfaqësimi politik, ta shfrytëzojmë këtë atribut për të krijuar lehtësirat e nevojshme dhe mundësitë që shpirti artistik, dhe në këtë rast jo vetëm i piktorëve, skulptorëve apo fotografëve, por shpirti artistik i cilitdo që ndien një përjetim artistik dhe këtë përjetim kërkon t’ia transmetojë edhe publikut, ne ta mbështesim, ta inkurajomë dhe të krijojmë sa më shumë hapësira”, – tha z. Luan Rama, duke vijuar: – “Sepse në fund të fundit, çdo vepër arti, nëse nuk është e destinuar të shkojë te shikuesi, te publiku, mbetet pa jetë dhe praktikisht nuk përmbush misionin e vet. Për melodinë e shpirtit të artistëve ka shumë nevojë politika, që është kaq e vrazhdë, është kaq refraktare, pa asnjë gramë meditimi dhe përjetimi emocional. Guximi dhe këmbëngulja e ju të rinjve që nga kjo pikëpamje jeni vërtet për t’u admiruar. Arti është për të gjithë dhe le ta përjetojmë këtë si një ngjarje të bukur artistike me urimin për më shumë sukses dhe për më shumë mbarësi për të gjithë ju”,- u shpreh Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama.
Sigal