Luan Rama: Marrëveshja PS-LSI ka qenë parimore, programore dhe jo për tepsi dhe timon

509
Vazhdon debati në distancë mes Partisë Socialiste dhe lëvizja Socialiste për Integrim. Nënkryetari i LSI-së në një konferencë për shtyp, ka rrëfyer qëllimin e vërtetë të marrëveshjes së 1 prillit 2013 
Prej ditësh kryetari i Rilindjes, Edi Rama është duke stigmatizuar marrëveshjen politike 1 prillit 2013 midis Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe partisë së drejtuar prej tij. Janë lëshuar një lum akuzash dhe dhe për këtë qëllim nënkryetari i LSI-së Luan Rama tha se ishte i detyruar të sqaronte opinionin publik dhe gjithë shqiptarët. Sipas Luan Ramës, gjithçka që thotë kreu i Rilindjes s’është gjë tjetër vetëm se një mashtrim, një falsifikim dhe përpjekje për të manipuluar opinionin dhe për të fshehur përgjegjësitë e veta të drejtpërdrejta si kryetar i qeverisë. Gjatë konferencës për shtyp Luan Rama foli edhe për disa prej pikave themelore ku u fokusua marrëveshja. “Një bashkëpunim strategjik programor dhe politik bazuar në domosdoshmërinë e realizimit të objektivave afatgjatë dhe në nevojën e bashkëveprimit konstant, mes PS dhe LSI, për të ndërtuar Shqipërinë Evropiane si realitet i ri në të ardhmen e afërt i BE-së përmes mirëqeverisjes së punëve të vendit çdo ditë”. Një çështje tjetër është: “Një vullnet të palëkundur për të garantuar kohezionin e brendshëm të koalicionit dhe konsensus për mirëqeverisjen, në funksion të reformave të dakordësuara bashkërisht, të emërimeve që janë përgjegjësi kushtetuese e Kuvendit, për të garantuar pavarësinë e institucioneve, të depolitizimit dhe modernizimit të administratës publike përmes konkurrencës dhe meritës”. “Po. Nuk lejuam tentativën e tij për të kapur sistemin, përmes një reforme të deformuar dhe bëmë çmos që të realizonim reformën sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Çfarë reforme tjetër e ka penguar LSI-ja kryetarin e Rilindjes që dërdëllit sot shesh më shesh, duke gënjyer shqiptarët e duke drejtuar gishtin te shushunjat sipas tij, në administratën publike? Ku janë shushunjat? Pse nuk e vë dorën mbi plagë kryetari i Rilindjes dhe t’u thotë shqiptarëve në cilin sektor të hipotekave janë shushunjat. Ku? Në Tiranë? Në Durrës? Në Vlorë? Në Elbasan? Në Korçë? Në Berat? Në Gjirokastër? Në Dibër apo në Kukës? Të gjitha këto janë shërbime të hipotekës së drejtuar nga përfaqësues të Partisë Socialiste.

Ku janë shushunjat në këtë sistem dhe pse i ka lejuar shushunjat kryetari i Rilindjes dhe u kujtua sot në fundin e mandatit t’u flasë shqiptarëve për shushunjat. Cila pjesë e tepsisë së kryeministrit qenka pjesa e helmuar? Pjesa që ka drejtuar LSI-ja dhe pjesa që paska drejtuar zotëria e tij qenka pjesa e ëmbël? Natyrisht, ka edhe në sistemin e punonjësve që shërbejnë në hipoteka, njerëz që kanë shfaqur probleme me ligjin, njerëz të korruptuar, është e vërtetë. Ka edhe nga ata që ai e quan “policët gri”, njerëz që jo nuk meritojnë të përfaqësojnë punonjësin e shtetit në detyrë, por meritojnë të ndëshkohen ligjërisht.

Atje nuk paska shushunja. Shushunjat qenkan gjetiu. Jo vetëm kaq, po në sistemin tatimor? Po në sistemin doganor? Ku doganierë të korruptuar dhe të inkriminuar i manipulojnë dhe i komandojnë skanerat për t’i mbyllur kur duhet të kalojnë tonelatat e drogës, kush mban përgjegjësi, z. kryetar i Rilindjes? Përse nuk u thoni shqiptarëve hapur, cila është përgjegjësia juaj e drejtpërdrejtë dhe lërini tentativat për të mashtruar, për të manipuluar dhe për të trafikuar opinionin vetëm e vetëm në funksion të pushtetit të tepsisë suaj dhe të timonit tuaj. Sistemi, është e vërtetë, që ka probleme. Është i korruptuar, sepse në krye të këtij sistemi për katër vjet ka qenë kryetari i Rilindjes. Sistemi po, është i trafikuar dhe i kanabizuar, sepse për 4 vjet me radhë në krye të këtij sistemi ka qenë kryetari i Rilindjes. Po, sistemi është i inkriminuar, sepse në krye të këtij sistemi për katër vjet ka qenë kryetari i Rilindjes.”, tha Luan Rama në konferencën për shtyp.
Sigal