Luan Rama: LSI qëndron në anën e qytetarëve, synimi ynë të ruajmë solidaritetin dhe humanizmin

373
Sigal

Lëvizja Socialiste për Integrim po vazhdon Konventën e saj, e cila nisi punimet paraditen e kësaj të shtune. Aktualisht po votohet për të zgjedhur krerët e strukturave të kësaj partie. Për të mësuar më shumë, në lidhje direkte me studion e lajmeve të Top Channel ka qenë sekretari i përgjithshëm i LSI, Luan Rama, i cili në këto zgjedhje kandidon për nënkryetar.

 Zoti Rama, një pyetje të shpejtë, si është më mirë nënkryetar apo sekretar i përgjithshëm?

Luan Rama: Nënkryetar nuk kam qenë asnjëherë, kështu që mebetet ta provoj, por në thelb angazhimi mbetet i njëjtë sepse do të mbetem i fokusuar tek orientimi politik i LSI, për rikonceptimin dhe ridimensionimin që i është bërë rolit të forumeve dhe strukturave drejtuese të saj në kuadër të sfidave që do të vijnë. 

Zoti Rama, sot delegatët votojnë, përveç kryesisë, për çfarë votojnë tjetër?

Luan Rama: Konventa Kombëtare sot voton për të nxjerrë Komitetin e ri Drejtues Kombëtar. Është hera e parë që votimi për nënkryetarët e partisë dhe sekretarin e përgjithshëm bëhet nga Konventa, sepse në bazë të statutit këto janë atribut i KDK-së. Por kryetari i partisë, për t’i dhënë një peshë dhe dimension tjetër përgjegjësisë vendimmarrëse të KDK-së dhe përgjegjësisë që marrin funksionet për të cilat do të votohet i propozoi Konventës që atributin e zgjedhjes ta marrë ajo. 
 Në fjalën tuaj ju përmendët se ka një dallim thelbësor mes jush dhe partnerit në koalicion, se ju nuk largoheni nga rrënjët. Çfarë do të thotë kjo?

Luan Rama: Unë e thash dhe në fjalën time dhe i qëndroj idesë se e majta moderne e progresiste shqiptare duhet jo vetëm të respektojë traditën dhe vlerat fondamentale të saj, por duhet të ruhet prej snobimit për të luftuar politikisht me slogane apo qëndrime të djathta. Për këtë arsye thash se, ndryshe nga aleatët në qeverisje ne qëndrojmë fort tek rrënjët, tek vlerat si solidariteti e humanizmi, pasi është misioni ynë historik të qëndrojmë në anën e qytetarëve dhe duhet ta ridimensionojmë rolin dhe opozicionin tonë në qeveri për ruajtjen e këtyre vlerave dhe për të mos lejuar eksperimente që ndikojnë në një masë të gjerë te publiku. I qëndroj bindjes se sistemi ynë i taksimit, për shembull, penalizon njësoj si punën edhe pronën. 

 Në fjalën e tij kryetari Ilir Meta përmendi se ka potenciale të pashfrytëzuara në koalicionin qeverisës. Si përkthehet kjo deklaratë e tij, një “mea kulpa” për gjërat që nuk janë bërë dhe një mundësi për t’i zgjidhur ato në një koalicion të ardhshëm zgjedhor?

Luan Rama: Mendoj se ajo që tha zoti Meta është e qartë, e drejtëpërdrejtë dhe vjen prej bindjes dhe pretendimit tonë se ekzistojnë potenciale, mundësi dhe energji që duhet të sinkronizohen më mirë tek prioritetet qeverisëse, si tek reformat thelbësore, ose shkurt tek produkti që shkon tek qytetari. E vlerësoj të drejtë qëndrimin e tij se ka potenciale të pashfrytëzuara, të cilat duhet të jenë objekt i një diskutimi të përbashkët. Në fund të mandatit të parë qeverisës duhet bërë një bilanc, që nuk është rozë dhe një anallizë realiste në funksion të asaj çfarë duhet përmirësuar është shenjë serioziteti e koalicionit dhe shenjë respekti ndaj besimit qytetar. Nuk duhet të flasim me gjuhën e 1 milion shuplakave, siç dëgjon retorikën euforike të qeverisë. Ne duhet të dëgjojmë qytetarin dhe të fokusohemi tek shërbimi. LSI duhet të ketë një rol frenues të kësaj arrogance të pushtetit dhe të fokusohet tek shërbimi.