Luan Rama: “Grekët duan të zgjojnë demonët e vjetër të armiqësisë”

518
Sigal

INTERVISTA/Luan Rama, ish-ambasador dhe publicist: “Ka ardhur koha për rotacion në pushtet. Tri detyrat e mëdha që la zonja Klinton”

Ish-ambasadori ynë në Francë dhe publicisti i njohur Luan Rama, i cili jeton në Francë dje kishte ardhur enkas në Tiranë në konferencë : “Çamëria gjatë rrugës së Pavarësisë” dhe në kumtesën që mbajti, solli dokumente të panjohura deri tani, nga shumë diplomatë dhe politikanë të shekullit të 19-të, të  cilët kanë vizituar trevat shqiptare të Çamërisë dhe japin përshtypjet e tyre. Me përvojën e vet publicistike, zoti Luan Rama, në intervistën ekskluzive për “Telegraf” skanon aktualitetin politik, me syrin e një analisti gjakftohtë nga pasionet partiake, duke pohuar që politika zyrtare e shtetit shqiptar duhet t’u japë një përgjigje të prerë, të hapur nacionalizmit shovinist grek. Zoti Luan Rama na sjell edhe opinionin e politikës dhe francezëve, të cilët vlerësojnë dëshirën e madhe të shqiptarëve për integrim, por është politika ajo që deri tani e ka penguar këtë proces. Gjithashtu, zoti Luan Rama, ka pak optimizëm se zgjedhjet e 2013-s do të jenë të qeta e të ndershme, duke u bazuar edhe në mentalitetin dhe deklaratat politike të tensionuara të politikanëve, të shprehura  edhe këto ditë.

– Zoti Luan, ditët e fundit, në Përmet u bë një demonstrim grek, për të përkujtuar të vrarët  e Luftës Italo-Greke. Ju, si e shikoni këtë akt në territorin shqiptar?

– Në fakt, një demonstrim i tillë, në të vërtetë shokon dhe trondit kujtesën nacionale të shqiptarëve. Kjo është gjithmonë vazhdë e një qëndrimi konsekuent, të pandryshueshëm të qeverisë greke dhe në vend që qeveria greke, e cila shitet si një qeveri europiane, moderne, e integrimeve, nga ana tjetër, vepron me një logjikë të vjetëruar tashmë dhe  të papranueshme, edhe në vend që të gjejë mënyra dhe ne kemi shumë pikëtakime me grekët,  historinë dhe me popullin grek, në vend që t’i japim dorë dhe gjejmë këto pika që na bashkojnë si popuj, grekët bëjnë gjëra që vetëm krijojnë kontradiksione, çojnë në pakënaqësi, zgjojnë demonë të vjetër dhe bëjnë një lloj tensioni në marrëdhënie. Dhe, pikërisht, këto veprime, duan gjithmonë një kundërpërgjigje, duan kundërpërgjigje në rrugë zyrtare, një kundërpërgjigje të prerë dhe jo vetëm nga shoqatat, por  do edhe kundërpërgjigje në kanale diplomatike, politike, të cilat, këto deklarata të grekëve, të mos përsëriten më. Sepse, po u lanë kështu, në mosreagim nga politika…

– Realisht, pati në reagim, nga AK-ja nga PDIU-ja, por a është i mjaftueshëm ky reagim politik?

– Këtu e kam fjalën. Domethënë, reagimet kanë qenë, por nuk kanë qenë në ato nivele që duhet t’i flasim qeverisë greke. Qeveritë flasin me qeveritë, nuk janë thjesht partitë. Duhet  të reagojë, Presidenti, Kryeministri, ministri i Jashtëm, janë këta autoritete,  që duhet të japin reagimin zyrtar.

– A e implikon kjo qeverinë tonë me çështje e kushtëzuar të paktit detarë me qeverinë greke?

– Sigurisht, kjo kuptohet menjëherë, nuk ka asnjë hije  dyshimi. Politika zyrtare shqiptare, sot, me këta lojtarë politikë që janë zyrtarë, duket qartë që këta nuk duan të cenojnë disa marrëdhënie, disa kompromise që kanë bërë me qeverinë greke. Gjërat duhen thënë hapur. Heshtja në nivelet më të larta të shtetit, krijon precedentë, dhe  krahu grek do të vazhdojë, sepse e di që nuk do të ketë një përgjigje të prerë.

– Meqë jemi në procesin e marrjes të statusit kandidat, mos vallë qeveria jonë hesht, ngaqë nuk do ta acarojë politikën me qeverinë greke, për hir të një “pro”-je të saj në KE dhe BE?

– Kështu është, realisht. Domethënë, gjithmonë, qeveritarët tanë mendojnë se nga Greqia do të ketë një kundërpërgjigje në këtë rast, por në fakt, është një lloj miopie kjo. Është mirë që gjërat të thuhen, të thuhen hapur dhe drejt, sesa të mendohet se Greqia do të pengojë integrimin tonë. Nuk ka se ç’të pengojë Greqia, pavarësisht nga qenia e saj si anëtare e BE-s. Natyrisht, duhet parë parasysh, që parësore janë marrëdhëniet dypalëshe, ndërsa në raportet e integrimit të Shqipërisë, grekët nuk kanë sesi të pengojnë.

– Mendoni që politika shqiptare e ka argumentuar të drejtën e saj te anëtarët e tjerë të BE-së, që të ketë mbështetjen në bazë të së drejtës së BE-së?

– Unë kam përshtypjen që deri tani qeveria shqiptare ka qenë disi e ndrojtur në marrëdhëniet me Greqinë. Nuk do që të krijojë krisje, nuk do që të krijojë probleme, por kjo është e gabuar. Në politikë, gjërat duhen thënë hapur dhe unë insistoj në këtë. Por, shpresojmë që do të ketë një përgjigje, një reaksion.

– Ato manifestime të grekëve në Përmet u bënë 1 muaj para ditës së 100-vjetorit të Pavarësisë. Mund të ketë një nëntekst , që Shqipëria  të vuajë  destabilitet dhe të mos  ketë një pavarësi reale, sipas mendësisë greke?

– Nuk besoj se ka një qasje të tillë, por unë e shikoj thjesht si një dobësi të qeverisë greke. Së pari, këto reaksione nacionaliste shumë të forta që janë në Greqi, e cila është e destabilizuar politikisht, ekonomikisht, janë një sërë  rrethanash që bëjnë të mundur që qeveria  të jetë një çikë e dobët  dhe t’i mos përballojë dot të gjitha këto  dhe qeveria si qeveri, do të ketë marrëdhënie të mira edhe me Shqipërinë, në kuadrin edhe të BE-së, por është e paaftë që t’i përmbajë këto. Dhe bie viktimë e atyre reaksioneve shumë të fuqishme nacionaliste.

– Si e shikoni fushatën zgjedhore të 2013-s, që de facto ka filluar dhe a ka ardhur  domosdoshmëria e rotacionit politik?

– Sigurisht, koha  ka ardhur për një rotacion politik. Problemi qëndron në mënyrën sesi do të organizohen e kryhen këto zgjedhje. Është problemi kyç i Shqipërisë. Këto  fokusohen të gjitha analizat e BE-së, analizat e amerikanëve, nis te zgjedhjet. Kjo votë kujt i jepet? Duke qenë se deri tani janë bërë shumë makinacione, unë nuk jam shumë optimist që politika shqiptare do t’i përgjigjet asaj që kërkon Hillari Klinton, sepse kam përshtypjen që të gjithë janë në të drejtën e tyre dhe do të gjejnë makinacione. Kam përshtypjen që edhe këto zgjedhje nuk do të jenë të qeta, të ndershme. Është krijuar një mentalitet. Nga deklaratat që bëhen nga opozita, nga pozita, ekziston problemi, nuk ka ndryshime të asaj që ekziston.

– A mendoni se opozita ka një strategji të qartë politike që të bindë që është e aftë që të vijë në pushtet?

– Varet se çfarë alternativë do të japë dhe kushtet e bashkëpunimit. Dëshirën opozita e shpreh, por ajo akoma nuk ka thënë se çfarë konkretisht do të afrojë. Çdo gjë do të vendoset nga hapat që do të ndërmerren gjatë kësaj  fushate, lidhjet e ndryshme politike, vendi që do t’i lënë aleatëve të tyre. Gjithë problemi këtu qëndron. Se një parti e madhe nuk duhet ta marrë pushtetin vetëm për vete, por ta ndajë.

– Faleminderit!